Napoli u ndal në barazim 2-2 nga Lazio, në sfidën e javës së 25-të në Serinë A. Skuadra e Antonio Contes dështoi të largohet me tre pikë nga kryeqyteti italian, pas një ndeshje spektakolare.

Kjo është sfida e tretë për këtë sezon, ku Napoli nuk arrin ta mposhtë dot Lazion. Vendasit kaluan të parët në avantazh, falë një goli të Isaksen në minutën e 6-të. Megjithatë Raspadori riktheu baraspeshën në minutën e 13-të.

Një autogol i Marusic përmbysi rezultatin në favor të Napolit, me miqtë që i shkuan afër fitores. Te Lazio nuk e kishin thënë ende fjalën e fundit dhe në minutën e 87-të, Dia barazoi shifrat në 2-2, rezultat me të cilin u mbyll ndeshja.

Ky barazim i bën nder Interit. Napoli mbetet në vendin e parë me 56 pikë, 2 pikë më shumë se zikaltërit e Inzaghit, të cilët në rast se fitojnë ndaj Juventusit, do të merrnin vendin e parë në renditje.

Lazio në krahun tjetër, mban vendin e katërt me 46 pikë të grumbulluara. /tvklan.al