Erion Veliaj:aty mund të ndërtojë vetëm ai që ka pronën ose…

Prokurori Ols Dado: E di se ku shkon ky…

Gjyqtari Erjon Bani: Ju lutem!

Veliaj: Po ju them si funksionon. Pra lejen nuk e merr organizata e arkitekturës vetëm se ka një ide.

(Dëgjohen disa zëra njëkohësisht)

Prokurori Ols Dado: Po s’ke turp që thua banesën e prokurorit këtu, tregon banesën e prokurorit, ça është ky është kërcënim? Është kërcënim është ky?

Ky regjistrim audio i seancës gjyqësore të 12 Shkurtit kur u caktua masa e sigurisë për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj e ka përplasur këtë të fundit me SPAK dhe GJKKO. Gjatë replikave me prokurorin e SPAK Ols Dado, Veliaj thotë se ai e ka fyer duke e quajtur “ndyrësirë”.

Më herët Veliaj publikoi në Facebok zbardhjen që sipas tij ka dalë nga proceverbali i seancës ku gjenden edhe fyerjet e prokurorit.

“Ky është një nga dialogjet në thertoren e Erion Kasapit! Shihni çfarë gjuhe flet prokurori i SPAK-ut, aq të ulët sa edhe Erion Kasapi (gjyqtari) duket xhentëllmen para tij! Kjo gjuhë dhe atmosferë, sikur Sigurimsat janë kthyer nga penxherja, pasi i nxorëm nga dera, nuk duhet toleruar më.”

Por nuk ka vonuar reagimi i Gjykatës së Posaçme dhe SPAK-ut që kanë publikuar këtë procesverbal nga seanca në fjalë. Ato e quanjnë të pavërtetë këtë pretendim të Veliajt.

“S’ke turp që thua banesën e prokurorit. Ca është kjo? Kërcënim është ky që tregon në banesën e prokurorit”, është pasazhi i zbardhur nga seanca në procesverbal.

“Nga verifikimi i bërë në sistemin audio, të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të personave nën hetim Erion Veliaj, etj., të datës 12.02.2025,  (të cilit i referohet i hetuari Erion Veliaj në postimin e tij) si dhe nga procesverbali i seancës gjyqësore, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment”, thuhet në reagimin e GJKKO.

Veliaj ka reaguar sërish pas këtij reagimi duke këmbëngulur se është fyer në sallën e gjyqit.

Po! E them dhe e përsëris, në atë sallë gjyqi unë jam fyer, sulmuar e kërcënuar nga prokurori im, Olsi Dado, me fjalë të cilat janë të regjistruara dhe padyshim mund të bëhen transparente për publikun. Ajo seancë ishte një kasaphanë e përgatitur për të më “vrarë” politikisht dhe kam dëgjuar lloj-lloj epitetesh, që nga “gënjeshtar”, “je patologjik” e deri te fjalia “e di se ku shkon, ky merret me mua ky …ndyrësirë”.

Veliaj fton gjykatën të publikojë audion e seancës në mënyrë që qytetarët të vendosin vetë se kush ka të drejtë.

Tv Klan