Raportim Live
10:58, 4 Korrik 2024

Deklarata e Bardhit për këshilltarin rumun të Ramës/ Bledi Çuçi: E largoi pasi mësoi akuzat për trafik droge

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, i është përgjigjur pyetjeve të kreut të grupit të PD Gazment Bardhi në lidhje me një ish-agjent të Rumanisë që është kontraktuar si këshilltar nga Kryeministri Edi Rama.

Në fjalën e tij në Parlament, Çuçi pranoi faktin e punësimit të një këshilltari të tillë, i cili në momentin që është punësuar nuk ka qenë pjesë e shërbimeve inteligjente rumune.

Sa i përket akuzave të Bardhit se këshilltari rumun është akuzuar edhe si i përfshirë në linjën e trafikut të drogës Meksikë-Shqipëri-Rumani, Bledi Çuçi sqaroi se pasi Kryeministri Rama kishte marrë dijeni për këto akuza, e largoi nga posti i këshilltarit.

Bledi Çuçi: “Personi për të cilin kryetari i grupit kërkoi interpelancë është një ish-zyrtar i lartë i shërbimeve inteligjente, madje me gradën gjeneral i një vendi të BE, i cili ka udhëhequr në mënyrë profesionale procese që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Rumani. Kryeministri shqiptar e ka marrë në një moment kur nuk kishte më pozicion. E dyta, nëse akuzohet në vendin e tij për vepra të ndryshme, padiskutim ajo është një çështje e Rumanisë, jo e Shqipërisë. Në momentin që Kryeministri është informuar për këtë gjë, sigurisht që nuk e ka më këshilltar, e ka larguar nga këshilltar”.

10:56, 4 Korrik 2024

“O gore mbylle gojën ti, ke vrarë njerëz”, sherr mes Bardhit dhe Braçes në Parlament

Por teksa Bardhi mbante fjalim në foltoren e Kuvendit dhe bënte akuza ndaj Kryeministrit Rama, situata u tensionua teksa nga vendi ndërhyri deputeti i PS Erjon Braçe.

Bardhi iu kundërpërgjigj me tonë të ashpra.

“Gore ç’a ke, ç’a ke, ç’a ke? Mbyll gojën ti, mos guxo të më ndërhysh kur jam unë duke folur. Ti mos fol fare, zëdhënës i krimit të organizuar, ti vrave njerëz, vrave njeri në derën e SPAK-ut, ti vrave dje një qytetar atje në derën e SPAK, ti dhe qeveria jote. Mbylle gojën. Ju ka sjellë ju këtu si dele e kujtoni se jemi të gjithë dele”, tha Gazment Bardhi.

10:55, 4 Korrik 2024

Bardhi: Këshilltari i jashtëm i Ramës agjent i shërbimeve rumune, i lidhur me trafikun e drogës

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka kërkuar interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama për të dhënë shpjegime për këshilltarin e jashtëm, kërkesë kjo që është rrëzuar.

Nga foltorja e Kuvendit, Bardhi ka deklaruar se këshilltari i jashtëm i kryeministrit sipas tij është agjent i shërbimeve sekrete rumune dhe gjithashtu ka thënë se është i lidhur me një linjë të trafikut ndërkombëtar të drogës.

Lindita Nikolla: Kërkesa e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së për interpelancë urgjente me kryeministrin Rama, lidhet me dhënien e informacioneve dhe shpjegimeve lidhur me marrëdhënien e kryeministrit me këshilltarin e tij të jashtëm, Koldea si dhe veprimtarinë këshillimore që ai ka kryer për kryeministrin e Shqipërisë. Në shkresën drejtuar Bardhit, kam argumentuar mospranimin e kërkesës për interpelancë pasi kjo nuk është në përputhje me parashikimet e rregullores së Kuvendit.

Gazment Bardhi: Nuk e di kush ka vendosur për t’u tallur me ty dhe nuk e di se kush t’i jep këtu. Interpelanca është mjet për llogaridhënie dhe kryeministri në bazë të kushtetutës ku zotrore je betuar mbi të. Neni përcakton se kryeministri është i detyruar që t’i përgjigjet kërkesat për intepelancë. Ka frikë të japë shpjegime për aferat, ku vetë përfshihet.

Ne kemi kërkuar interpelancë sepse ekzistojnë dokumentat zyrtare, por edhe raportimet e medias ndërkombëtare që kryeministri i Shqipërisë ka emëruar këshilltar një agjent të shërbimeve sekrete rumune dhe që këtu ka një shkelje se cënohet siguria publike dhe së dyti rezulton se ky person përveç se i përfshirë në korrupsion në shtetin e tij, është i lidhur me një linjë të trafikut ndërkombëtar të drogës që lidh Meksikën me Shqipërinë dhe Shqipërinë me Rumaninë.

Unë dhe grupi i PD-së kemi të drejtë që t’i kërkojmë llogari kryeministrit se si është njohur me këtë element, pjesë e trafikut ndërkombëtar të drogës. Ai nen që ti citon sepse nuk ke as koncept, kuvendi është organi më i lartë kushtetues, hedh firma pa lexuar se çfarë firmos, ka për detyrë të na thotë se për çfarë shqiptarët kanë paguar këtë person çdo muaj me paratë e tij. Nëse e ka marrë për ta këshilluar për cilësinë e kokainës, tërhiqemi. Por nëse e ka marrë për punë të shtetit, duhet të japë llogari. Apo i ka marrë lekët si McGonigal për të sulmuar opozitën?

Nëse është ky rasti, a ka mundësi që të na përgjigjesh për çfarë e ka këshilluar kryeministrin tënd, Edi Ramën? Na e thuaj moj zonjë. Koldea merr 7 mijë Euro çdo muaj për të këshilluar kryeministrin e Shqipërisë, na e thuaj pra për çfarë i kanë paguar shqiptarët lekët për këtë individ që dyshohet në një linjë kokaine Shqipëri-Meksikë-Rumani. Për çfarë e ka këshilluar? Si të lejojë trafikun ndërkombëtar të drogës? Lekët e qytetarëve që i lini pa ilaçe në spitale?


/tvklan.al