Janë vetëdorëzuar në Polici dy motrat Mariela dhe Antonela Berisha të cilat ishin shpallur në kërkim pasi dhunuan blogeren Klea Prenga.
“Në vijim të njoftimit të dhënë më datë 09.08.2024, ku në një lokal te Kodra e Diellit, shtetaset A. B. dhe M. B. (motra) kanë goditur me shishe qelqi në fytyrë shtetasen K. P., ju njoftojmë se: Sot më datë 16.10.2024, rreth orës 19:00, këto dy shtetase janë vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Në vijim të veprimeve u bë ekzekutimi i vendimit penal të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, ndaj shtetases M. B., dhe masën e sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore” ndaj shtetases A. B”, njofton Policia.
Ngjarja e rëndë ndodhi në fund të muajit Gusht në një restorant te “Kodra e Diellit”. Dy motrat u afruan te tavolina ku ndodhej 24 vjeçarja dhe njëra prej tyre i gjuajti me gotë qelqi në fytyrë. Menjëherë ndërhyri stafi dhe klientë të tjerë të restorantit duke i ndarë. Pas sherrit dy motrat u larguan të qeta dhe për t’u arratisur kanë përdorur dy automjete.
Blogerja 24-vjeçare në reagimin publik që bëri pas ngjarjes ku tregoi edhe dëmtimet e shkaktuara, tha se donin t’i shkatërronin fytyrën dhe imazhin e saj, ndërsa motrat Berisha i kanë dërguar edhe mesazh kërcënues pasi e kanë sulmuar.
Shkak i sulmit fizik dyshohet një lidhje paralele e blogeres me partnerin e Mariela Berishës.
/tvklan.al