Raportim Live
10:06, 5 Gusht 2024

Berisha: Grabitja e radhës e Edi Ramës

Ish-kryeministri Sali Berisha reagoi pas përfundimit të zgjedhjeve në Himarë që sollën fitoren e kandidatit të PS-së, Vangjel Tavon.

Mirëpo për liderin historik të demokratëve ky rezultat është veçse tregues i grabitjes së radhës së zgjedhjeve nga kreu i qeverisë Edi Rama.

Në një postim në rrjetet sociale Berisha thotë se në zgjedhje ishte mobilizuar në shkelje të ligjeve i gjithë potenciali i shtetit.

Të dashur miq, Edivin Gjipea pasi rrëmbeu me dhunë terror burgim politik mandatin e Fredi Belerit në Himarë kreu dje grabitjen e tyre të mandatit me kukullën e tij Vangjel Tavo”…Lexo më shumë

9:50, 5 Gusht 2024

Vangjel Tavo: Sot fitoi Himara! Gjikuria i mikpritur të jetë nënkryetar

“Sot fitoi Himara”.

Kështu u shpreh Vangjel Tavo pasi u zgjodh kryetar i ri i Bashkisë në votimet e së dielës. Ai falenderoi banorët që e votuan. Po ashtu i qëndroi ofertës për kundërshtarin e tij në zgjedhje që të jetë nënkryetar i bashkisë.

“Sot fitoi Himara, fituan himariotët. Dua të falenderoj banorët për durimin që patën të na dëgjonin gjatë fushatës elektorale dhe për besimin që patën duke na votuar në mënyrë plebishitare dhe duke na besuar vazhdimësinë e mandatit 2023. Që sot fillojmë punën për të gjithë ato që u kemi premtuar banorëve.

“Oferta ka qenë e sinqertë. Zoti Gjikuria, nëse nuk do të largohet për në Amerikë është i mikpritur të jetë nënkryetar i Bashkisë sikurse theksova pak më përpara. Bashkia i ka nevojë për të gjithë, të majtë e të djathtë. Problemet nuk kanë ngjyrë. Nëse zoti Gjikuria rikthehet në Amerikë, atëherë ka shumë kërkesa nga ana e opozitës që kam patur”, tha Tavo… Lexo më shumë

9:13, 5 Gusht 2024

Kryeministri Rama përgëzon Vangjel Tavon: Urime për fitoren spektakolare!

Fitorja e Vangjel Tavos në Himarë është përgëzuar edhe nga kryeministri Edi Rama. Në një reagim në rrjetet sociale, ai ka uruar kandidatin e PS për fitoren dhe për vendosmërinë për të kontribuar në Himarë.

“Mirëmëngjes

dhe me urimin për kryebashkiakun e ri të Himarës për fitoren spektakolare, kënaqësinë e mbështetjes domethënëse për Partinë Socialiste në zgjedhjet e djeshme, si edhe vendosmërinë për ta kthyer #Himarën2030 në një prej destinacioneve më të kërkuara të Mesdheut, ku në radhë të parë të gjithë ata që punojnë në industrinë turistike në Greqi, të kthehen për paga më të mira e për ajrin e pazëvendësueshëm të vendlindjes, ju uroj të gjithëve një javë sa më të qetë”.

Kandidati i Partisë Socialiste, Vangjel Tavo fitoi zgjedhjet e pjesshme në Himarë me 5022 vota (58.625),  duke kryesuar me më shumë se 1400 vota ndaj rivalit, Petro Gjikurias.

9:11, 5 Gusht 2024

Vangjel Tavo fiton zgjedhjet e pjesshme në Himarë

Vangjel Tavo është shpallur fitues i zgjedhjeve të  pjesshme në bashkinë e Himarës. Sipas raportit të KQZ, Tavo ka marrë 5022 vota ose 58.62% të tyre, ndërsa rivali i tij Petro Gjikuria 3545 vota ose 41.38%. kandidati i Partisë Socialiste kryesoi zgjedhjet me më shumë se 1400 vota.

Njoftimi zyrtar i KQZ:

Ka përfunduar procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Himarë.

Rezultate paraprake për 36 qendrat e votimit:

1. Kandidati i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, z. Vangjel Tavo ka marrë 5022 vota (58.62%).

2. Kandidati i propozuar nga subjekti zgjedhor, koalicioni “Bashkë Fitojmë”, z. Petraq Gjikuria ka marrë 3545 vota (41.38%).

Ecuria e procesit të numërimit të votave ishte e qetë, u monitorua nga stafi teknik i KQZ-së dhe rezultatet paraprake u transmetuan në kohë reale në faqën zyrtare të internetit të KQZ-së dhe Aplikacionin KQZ.

Në pamjet e para, Tavo shihet duke festuar për fitoren.

Gjithashtu ai ka bërë edhe një reagim në rrjetet sociale. Ai falenderoi të gjithë bashkëpunëtorët, rikonfirmoi premtimet e tij përpara  ditës së votimit dhe pati një ftesë edhe për Gjikurian. Këtij të fundit i kërkoi që të bashkëpunonte me të dhe të bëhej nënkryetar i bashkisë së Himarës.

“Sot fitoi Himara!

Të nderuar banorë të Himarës, njësive administrative Lukovë dhe Horë-Vranisht, e të të gjithë fshatrave pa asnjë dallim,

Ju jam thellësisht mirënjohës që më dhatë besimin tuaj për të drejtuar Bashkinë Himarë. Ky besim do përkthehet në punë dhe në përmbushje të gjithë pikave të programit tim, për të cilat edhe ju më votuat.

Unë do drejtoj duke shërbyer, do punoj duke vënë interesat tuaja mbi çdo gjë, e do jem kryebashkiaku i përkushtuar ndaj gjithësecilit prej jush, si votuesve të mi ashtu edhe asaj pjese që nuk më votoi, sepse Himara është e pandarë, sepse zhvillimi që na pret përpara për Himarën nuk është i fragmentuar por një dhe i tërë. Sepse ngjyrat politike janë individuale ndërsa e ardhmja është e përbashkët dhe komunitare. Dhe, vetëm kështu, të pandashëm nga bindjet dhe ndasitë, në bashkëjetesë e harmoni të plotë, ne do e çojmë përpara Himarën, në paqe dhe begati.

Himara është e himarjotëve dhe himarjotët meritojnë të jetojnë ashtu siç duan: në liri, harmoni e bashkëjetesë me të gjitha realitetet në Himarë, duke ecur përpara krah për krah në të mirën e komunitetit dhe mirëqenien e çdo familje.

Së bashku ne do kemi një Himarë demokratike, bashkëkohore, evropiane, multikulturore, të zhvilluar e të begatë, me rritje të një ekonomie që ndikon drejtpërdrejtë në buxhetin e familjeve të thjeshta. Një Himarë që do tërheqë investime në turizëm, shërbime, infrastrukturë, kulturë, e të tjera. Një Himarë gjithëpërfshirëse që i takon vetëm banorëve, një popull me histori unike e të lavdishme, krenare për të parët dhe vlerat e rralla që ka.

Dua të shpreh mirënjohjen e thellë për Kryeministrin Edi Rama i cili më propozoi dhe besoi te unë me vullnetin dhe dashamirësinë e tij të plotë për t’i dhënë Himarës normalitet dhe mbështetje edhe më të madhe për të ecur përpara e për t’u zhvilluar, ashtu siç e meriton. Për ta bërë Himarën kryefjalën e bashkëpunimit dhe harmonisë midis Shqipërisë dhe Greqisë, duke lënë pas në të shkuarën kapitullin e mbyllur të para 4 gushtit, e që nga sot, duke parë përpara drejt një të ardhme më përbashkuese dhe evropiane.

Falenderoj strukturat e PS, çdo anëtar të ekipit tim të afërt por edhe mbështetës në distancë, çdo komisioner e vëzhgues, dhe cilindo që kontribuoi që i gjithë procesi zgjedhor të ishte i rregullt dhe demokratik.

Ju falenderoj nga zemra e ju jam tejet mirënjohës.

Në përfundim, dua të përsëris atë që e kam thënë vazhdimisht përpara datës së votimit, se, fjala ime është një kontratë publike për mbajtjen e premtimeve. Kësisoj, jo më si kandidat, por tashmë zyrtarisht si Kryetar i Bashkisë Himarë, unë e ftoj z. Petro Gjikuria të pranojë detyrën e nënkryetarit të bashkisë. Jam i vetëdijshëm që kjo është e paprecedentë në historinë zgjedhore të tre dekadave të fundit, ndaj pikërisht për këtë arsye, e nis unë i pari me shembullin konkret të bashkëpunimit dhe bashkimit që meriton kjo bashki.

Nëse z. Gjikuria ka vendosur të qëndrojë e jetojë në Himarë unë e mirëpres të pranojë e t’i bashkohet programit tonë për Himarën dhe himariotët. E ka ftesën e hapur për të kontribuar me ide dhe energji për të ecur përpara. Sepse Himara është e të gjithëve.

Në mbyllje ju shpreh edhe një herë  mirënjohjen time e ndihem thellësisht i privilegjuar e i nderuar që do ju shërbej si Kryetar i Bashkisë së Himarës.

Ju faleminderit.

Sot fitoi Himara!

6:30, 5 Gusht 2024

Numërohet kutia e fundit!

22:55, 4 Gusht 2024

Mbërrijnë në KZAZ-në e Himarës të gjitha kutitë e votimit

Ka përfunduar dorëzimi i materialeve zgjedhore nga Komisionet e Qendrave të Votimit në KZAZ nr. 88.

Kutitë e votimit, materialeve zgjedhore, pajisjet PEI, kamerat monitoruese të QV për 36 QV u morën në dorëzim nga KZAZ sipas procedurave të përcaktuara në Kodin Zgjedhor dhe aktet e KQZ-së në fuqi.

KZAZ nuk konstatoi asnjë kuti të parregullt dhe përmbylli procesin e dorëzimit të materialeve zgjedhore nga KQV.

22:19, 4 Gusht 2024

Në pritje të mbërritjes së kutive, kur do të nisë procesi i numërimit të votave në Himarë

Numërimi i kutive të  votimit në Himarë nuk ka nisur ende. Gazetari Enkel Xhangoli raporton për Klan News se pritet mbërritja e kutive të fundit për të nisur më pas me verifikimin e tyre. Pas verifikimit, do të ketë një provë për të kontrolluar pajisjet dhe kamerat monitoruese. Në varësi të ritmit, pritet që numërimi të fillojë rreth orës 23:00.

Rezultati që përcakton kryetarin e bashkisë Himarë mund të njoftohet rreth mëngjesit ose mesditës.

Enkel Xhangoli: Ende s’ka përfunduar mbërritja e kutive të votimit për shkak se disa fshatra janë të largët, këtu mund të përmend fshatinTërbaç i cili është edhe më i largëti, rreth një orë e 30 minuta. Në momentin që po flasim, kanë mbërritur 30 kuti që janë të depozituara në hyrje të KZAZ. 6 kuti të tjera, të paktën sipas informacioneve janë shumë pranë për  të  mbërritur në vendin ku do të numërohen votat e qytetarëve. Në momentin që do të mbërrijnë edhe ato kutitë,  do të bëhet verifikimi i të gjitha kutive dhe do të nisë procesi i numërimit.

Sigurisht kjo mbetet edhe në dorë të grupeve të numërimit që do të jenë 4 grupe, se kur do ta fillojnë këtë proces numërimi, por me shumë gjasë, edhe për faktin se përpara se të nisë procesi i numërimit, grupet bëjmë një lloj prove për të parë nëse të gjitha pajisjet janë në regull dhe të gjitha kamerat e monitorimet për të vijuar me procesin e numërimit. Kjo provë do kohën e vet dhe me shumë gjasa, procesi i numërimit mund të fillojë rreth orës 11.

Në varësi të ritmit të numërimit që do të kenë kutitë e votimit, do të kemi edhe rezultatet paraprake. Me gjasë, rezultatet paraprake do t’i presim në orët e para  të mëngjesit ose para mesditës së ditës së nesërme, të kemi edhe një rezultat final se kush nga dy kandidatët do të triumfojë në këto zgjedhje, socialisti Vangjel Tavo apo kandidati i opozitës, Petro Gjikuria.

21:43, 4 Gusht 2024

Zgjedhjet në Himarë, KQZ: Vijon dorëzimi i materialeve

Deri më tani ka përfunduar dorëzimi i  materialeve zgjedhore për 21 QV në Himarë nga 36 në total.

Në njoftimin zyrtar të KQZ bëhet me dije se veç kutive e materialeve, po dorëzohen pajisjet e identifikimit elektronik dhe kamerat monitoruese.

Procesi i numërimit të votave nuk ka filluar ende.

Komisionet e Qendrave të Votimit po vijojnë dorëzimin e materialeve zgjedhore në Komisionin Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve nr. 88.

Së bashku me kutitë e votimit dhe materialeve zgjedhore, po dorëzohen edhe pajisjet e identifikimit elektronik (PEI) dhe kamerat monitoruese që u përdorën në qendrat e votimit.

Deri tani ka përfunduar dorëzimi i materialeve zgjedhore për 21 QV nga 36 në total.

20:57, 4 Gusht 2024

“Do të pranoj verdiktin e himariotëve” , Gjikuria parasheh veten si fitues

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Himarën, Petro Gjikuria ka dhënë një deklaratë për shtyp pas mbylljes së procesit të votimit. Si fillim, ai falenderoi të gjithë mbështetësit e tij brenda e jashtë partisë dhe tha se tashmë himariotët kanë dhënë verdiktin e tyre.

Gjikuria e parashikon veten fitues të zgjedhjeve në Himarë. Sipas tij,  himariotët kanë parë shpresën në fytyrën e tij ndaj është besimplotë se ka marrë votën e tyre. Sa i përket ftesës së rivalit, Vangjel Tavos për të qëndruar në Shqipëri, Gjikuria tha se “Tavo është i mirëpritur të punojë për të”.

Petro Gjikuria: Dua t’ju them se unë do të jem këtu, do të fillojë numërimi i kutive, himariotët kanë verdiktin e tyre, himariotët folën, tani na ka ngelur të numërojmë kutitë dhe mendoj se asnjeri s’do t’i prekë këto kuti se janë kutitë e votimit të cilat himariotët votuan për djalin e tyre të nesërmen, kush do të jetë kryetari i bashkisë. Unë ju falenderoj të gjithëve. Unë do të jem këtu edhe nesër, të punoj  për himariotët, të punojmë, të çojmë programin tonë deri në fund.

-A do t’i pranoni rezultatet e zgjedhjeve?

Petro Gjikuria: Tani duhet të dini një gjë që këtu , në këtë fushatë kishin zbritur pothuajse gjithë administrata shtetërore  e cila me presione dhe kërcënime kanë frikësuar një pjesë të himariotëve, por himariotët janë nga ata që edhe kërcënimet nuk  tremben, erdhën, treguan veten e tyre në kutitë e votimit dhe pjesëmarrja ishte një përqindje pak më e lartë, pothuajse 10%. Kjo tregon se himariotët nuk e ulin kokën. Sa më shumë presion u bën, aq më shumë revoltohen.  Çfarëdo rezultati të jetë, do të shihen ato që janë regjistruar, ato shkeljet që janë bërë. Edhe ajo është puna e KQZ-së të  marrë vendime,  nuk është puna ime.

-Do ta pranoni ftesën e z. Tavo  në rast se nuk shpalleni fitues?

Petro Gjikuria: Unë do të pranoj verdiktin që kanë dhënë himariotët.

-A do të pranoni rezultatin?

Petro Gjikuria: Rezultati është verdikti, verdikti çfarë kanë votuar.

-A mendoni se ka pasur  manipulim?

Petro Gjikuria: Ato do t’i mësojmë në ditët në vazhdim,  por kërcënime  dhe presione ka pasur shumë, siç edhe ju vetë e keni parë, gjithë administrata, ministra, deputetë, kanë qenë këtu, i kam parë edhe vetë,  i kanë parë edhe të tjerët. Ata kanë punën e tyre, unë kam punën time, bëra një punë të pastër, me sinqeritet. Punova vetëm për himariotët. Qëllimi im kryesor është  të punoj për himariotët, t’u jap atyre një shpresë. Duke parë himariotët që shihnin te fytyra ime një shpresë ajo më ka prekur në shpirt, këtu njerëzit duan diçka që u ka munguar për 12 vjet. E panë në fytyrën time dhe kjo më jep një gëzim shumë të madh.

-Do  e pranoni ftesën e z. Tavo, do të qëndroni në Shqipëri?

Petro Gjikuria: Unë do të jem fitues dhe Tavo po të dojë të vijë të punojë për mua është i mirëpritur. Unë jam fitues i kësaj gare, jam fitues se himariotët më kanë besuar, jam i sigurt se më kanë besuar me votën e tyre.

20:38, 4 Gusht 2024

Berisha: Në Himarë sot votuan edhe qytetarë me karta identifikimi false që skadonin në vitin 2070

Kreu i PD, Sali Berisha doli në një deklaratë për shtyp duke iu referuar zgjedhjeve në Himarë. Berisha iu referua problemit me mjetet e identifikimit që u evidentua ditën e sotme, duke thënë se këtë herë votuan edhe me letërnjoftime false.

Kryetari i opozitës tha se në votimet e sotme kanë marrë pjesë edhe “qytetarë nga Dropulli e zona të tjera me karta identifikimi që skadonin në vitin 2070”.

“Të dashur miq!

Në zgjedhjet e 14 majit, në Himarë dhe mbarë vendin u zgjat afati i përdorimit, apo u autorizua përdorimi i kartave të identitetit që u kishte skaduar afati.

Kurse sot pas një pune të zezë të identifikimit të zgjedhësve me karta të skaduara doli se në shumicë dërrmuese ata ishin zgjedhës të djathtë dhe Edi Rama refuzoi të firmosë dje, vendimin e qeverisë për të autorizuar vlefshmërinë e kartave pavarësisht nga data e skadimit.

Përveç këtij akti skandaloz, përveç këtij krimi kushtetues, i pandodhur ndonjëherë unë u them shqiptarëve se në ligjet e mëparshme, jo vetëm që pranohej karta edhe e skaduar e identitetit, por pranohej letërnjoftimi i lëshuar edhe në vitet e diktaturës.

Pranohej pasaporta jo biometrike, e lëshuar përpara.

Pranohej certifikata e nxjerrë në gjendje civile, sepse gjëja  e fundit që mund ti shkonte kujt ndërmend ishte mohimi i të drejtës kushtetuese të votimit për qytetarët shqiptarë.

Të përjashtosh nga votimi 6153 qytetarë në një bashki të vogël, imagjinoni ju se çfarë operacioni kriminal përgatit Edi Rama në shkallë vendi.

Ndërkohë miqtë e mi, në Himarë sot votuan edhe qytetarë të ardhur nga Dropulli dhe zona të tjera, me karta identifikimi false, që skadonin në vitin 2070.

7:00, 4 Gusht 2024

Vangjel Tavo fiton zgjedhjet në Himarë! Pjesëmarrja në votime 37.61% (Të gjitha zhvillimet)

Përshëndetje lexues të tvklan.al !

Mirë se vini në raportimin direkt të të gjitha zhvillimeve nga procesi i zgjedhjeve për Bashkinë Himarë.

Vangjel Tavo është shpallur fitues i zgjedhjeve të pjesshme në bashkinë e Himarës. Sipas raportit të KQZ, Tavo ka marrë 5022 vota ose 58.62% të tyre, ndërsa rivali i tij Petro Gjikuria 3545 vota ose 41.38%. kandidati i Partisë Socialiste kryesoi zgjedhjet me më shumë se 1400 vota.

Votimi në Himarë u mbyll në orën 19:00 të mbrëmjes. 23 mijë e 74 qytetarë me të drejtë vote u thirrën për të shprehur vullnetin e tyre në 36 qendra votimi.

Nga këta, 8678 prej tyre u paraqitën për të votuar. E shprehur në përqindje, pjesëmarrja ishte 37.61%.

Për shkak të angazhimit të dy kampeve politike dhe diferencës së ngushtë me 19 vota në zgjedhjet e 14 Majit të vitit të kaluar, pjesëmarrja pritej të ishte e lartë.

Në zgjedhjet e 14 Majit të vitit 2023, fituesi u caktua nga një grusht votash. Kështu, në zgjedhjet e kaluara votuan gjithsej 7821 persona, ku kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri mori 3840 vota, vetëm 19 vota më shumë se rivali socialist Jorgo Goro që mori 3821 vota.

Foto: Fredi Beleri në gjykatë

Zgjedhjet në Himarë mbahen për shkak të dënimit me 2 vjet burg të kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri për blerje votash. Beleri nuk e ushtroi detyrën asnjë ditë pasi u arrestua më 12 Maj të 2023, 2 ditë para zgjedhjeve të përgjithshme vendore dhe nuk u lejua nga gjykatat që të bënte betimin si kryebashkiak.

Arrestimi dhe dënimi i tij acaroi marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës, me Greqinë që kërcënoi edhe me bllokim të procesit të integrimit dhe me kryeministrin Mistsotakis që e futi Belerin në listën deputetëve të Parlamentit Europian.

Gjatë këtyre muajve, ka vijuar një betejë e gjatë ligjore dhe politike, pasi edhe kryetari që ishte në detyrë, Jorgo Goro u arrestua më 23 Mars të këtij viti për tjetërsimin e pronave në Himarë.

Foto: Jorgo Goro në gjykatë

Me dy kryetarë në burg, Bashkia e Himarës u drejtua fillimisht nga nënkryetarja Blerina Bala, e cila u dorëhoq pak më vonë dhe aktualisht drejtohet nga Arqile Bollano.

REDAKSIA TVKLAN.AL