Mbyllet protesta e opozitës, Flamur Noka: Qeveri teknike që Shqipëria të gjejë paqe sociale dhe politike
Flamur Noka: Sot qindra mijë shqiptarë protestuan kundër narkoregjimit që po rënon Shqipërinë.Mesazhi i çdo qytetari sot ishte: Shqipëria kërkon demokraci, nuk mund të qëndrojë nën thundrën e narkos, dhe Shqipëria nuk mund të pranojë në vitin 2024, të ketë liderin e opozitës të burgosur politik.Shqipëria nuk mund të jetë i vetmi vend i Europës që zgjedhjet nuk zhvillohen të lira, por zgjedhjet vidhen nën grykën e kallashnikovit, krimit të organizuar, bandave dhe korrupsionit.
Mesazhi i qytetarët ishte i qartë: Regjimi i narkos duhet të dëgjojë zërin e qytetarëve. Qytetarët shqiptarë sot folën dhe treguan se ishin shumica. Sot foli shumica e shqiptarëve, zëri i tyre duhet të dëgjohet. Ne jemi të vendosur në betejën tonë. Lirimi i liderit të opozitës dhe qeveria teknike që Shqipëria të gjejë paqe sociale dhe politike. Siç arritëm çdo qëllim që nga momenti që u ngritëm në betejë kjo fitore do të jetë si gjithë të tjerat që kemi arritur deri tani. Do të qëndrojmë, do të luftojmë dhe do të fitojmë.
Opozita është në këmbë derisa të arrijë qëllimin e saj. Unë nuk di që të ketë forcë opozitare që sot nuk është bashkangjitur koalicionit tonë opozitarë. Sot Shqipëria ka një Parti Demokratike më të bashkuar se kurrë, ka dhe një opozitë më të fuqishme dhe më të bashkuar se kurrë dhe pikërisht kjo protestë këtë demostroi që sot jemi shumica dhe të bashkuar ne do t’ia arrijmë. Javën tjetër do të ketë protestë ditën e enjte në orën 11 tek ‘lali vjedhësi’ derisa drejtësia të flasë deri atëherë qytetarët do të jenë duke ngritur zërin për padrejtësinë.
Drejt mbylljes protesta e opozitës
Protestuesit largohen nga Bashkia e Tiranës
Përplasje fizike mes protestuesve dhe efektivëve të policisë para Bashkisë Tiranë
Fotogaleri – Molotovi drejt Bashkisë Tiranë
Hidhet molotov drejt godinës së Bashkisë së Tiranës
Protestuesit e opozitës mblidhen para Bashkisë Tiranë
Protestuesit nisen drejt Bashkisë së Tiranës
Kryetari i PD Sali Berisha: Këtu lidhëm besën për qeveri teknike
Sali Berisha: Të dashur qytetarë dhe qytetare, demokrate e demokratë, misionarë të vërtetës të shpresës dhe të ardhmes së Shqipërisë.
Të mbledhur sot në Tiranë, nga të katër anët e vendit, nga të katër anët e dheut, diaspora dhe kudo që janë shqiptarët.
Një përshëndetje të përzemërt vëllazërore për të gjithë ju.
Të dashur miq, plot dhimbje e sakrifica të pamerituara kanë qenë për opzitën dhe Shqipërinë 11 vitet e fundit të Rilindjes së Edi Ramës.
Asnjë shqiptar përveç hajdutëve dhe trafikantëve të Rilindjes, nuk ka shpëtuar pa marrë plagë në shpirt dhe mendje nga dekada e Edi Ramës, dekada e zbrazjes së Shqipërisë.
Këto plagë do mbeten përjetë shenja mbi ata që i pësuan.
Për shumë familje, kjo plagë ka qenë një familjar që sot do ishte gjallë nëse korrupsioni i Rilindjes nuk do kishte përlarë ilaçet e tyre.
Kjo plagë do dëmtojë shëndetin e 47 përqind të fëmijëve shqiparë që janë të kequshqyer, më keq se ata të Ruandës.
Kjo plagë do dëmtojë 15-vjeçarët që sipas PISA-s, kanë zbritur në fund të botës për mendimin e tyre krijues.
Kjo plagë ishte një pronë e grabitur, linçim politik nga puna, një fermë apo biznes i falimentuar, ku kishin investuar mundin dhe djersën e gjithë jetës së tyre.
Është ajo plagë që kanë të rinjtë, që me gjithë sakrificat e tyre, nuk mund të sigurojnë as edhe një garsionerë për të filluar jetën e tyre.
Kjo plagë është sa deti për Shqipërinë që sheh veten të boshatisur në 8 vite nga mbi 1 milion bij dhe bija të saj.
Ky dërrmim u ka vrarë shpresën, u ka shuar çdo ëndërr për Shqipërinë dhe me të drejtë, si mund të kultivohet shpresa kur nuk siguron dot ilaçet për të shpëtuar fëmijët apo prindin e sëmurë.
Kur të duhen 109 vite për të blerë në Tiranë një apartament.
Kur nuk siguron dot 3 vakte ushqimi për fëmijën tënd.
Prandaj shpëtimi i vetëm mbetet largimi masiv nga Shqipëria.
Por siç thotë populli ynë, e keqja nuk ka fund.
Shqipërisë i kanoset një kërcënim akoma më ekzistencial, sepse 83 përqind e shqiptarëve që kanë mbetur, duan të ikin.
Pra, gjendemi përballë një katastrofe ekzistenciale.
Miqtë e mi, spastrimi etnik i butë i Shqipërisë po ndodh, sepse Edi Rama vendosi në Shqipëri kushtet e llogaritshme për dëbimin e butë masiv të shqiptarëve nga vendi i tyre.
Të dashur miq, ne shqiptarët jemi një popull i vjetër evropian.
Por duhet thënë se kemi pasur dhe kemi armiq racistë ndaj kombit, po aq të egër sa ç’ishin nazistët ndaj hebrenjve.
9 dekada më parë, Çubrilloviç shkruante tezat e tij gjenocidale ndaj shqiptarëve.
I bëj thirrje çdo shqiptari t’i hedhë një sy këtij dokumenti famëzi sepse aty do zbuloni një të vërtetë shokuese.
Do shikoni se platforma e Çubrilloviçit dhe regjimi i sotëm i Edi Ramës ngjasojnë si dy pika uji.
Çubrilloviçi propozonte një metodë tinëzare, përdorimin e shtetit për t’ua nxirë jetën shqiptarëve, më taksa të larta, me polici të pashpirt, me mbylljen e shkollave, me gjoba dhe arrestime masive, me prishjen e banesave, me shndërrimin e pasurive përrallore në mallkim për qytetarët.
Por më vonë, OKB në nenin 2 konventës kundër gjenocideve, përcakton 5 lloje gjenocidi dhe njëri prej tyre është ai i kalkulimit të kushteve të jetesës që sjellin shkatërrimin e plotë osë të pjesshëm të një popullate.
Thënë këto, çdo shqiptar duhet të pranojë të vërtetën se vjedhjet e pangopura, taksat e larta, shndërrimi i votës në krim dhe krimit në votë, kanabizuimi i vendit, zëvendësimi i shtetit ligjor me narkoshtetit, lirimi i bosëve të krimit, kapja e drejtësisë, lufta ndaj opozitës së vërtetë, uria e fëmijëve shqiptarë, grabitja e ilaçeve, nuk ka qenë keqqeverisje, nuk kanë qenë rastësi, jo dhe jo.
Ato kanë qenë kushte të kalkuluara për nxirjen e jetës së shqiptarëve, me të cilat Edi Rama tejkaloi edhe parashikimet e Çubrilloviçit.
Ai arriti të nxisë emigracionin e kaq shumë shqiptarëve sa asnjë pushtues tjetër në histori nuk kishte arritur një gjë të tillë.
Ja pse Edi Rama nuk mban asnjë përgjegjësi,nuk shfaq asnjë pengesë apo shenjë dhembshurie.
Sepse Edi Rama gjithçka për të e kishte pjesë të axhendës së vet që nisi sapo mori pushtetin në vitin 2013.
Sepse Edi Rama ky antishqiptar, e do Shqipërinë pa shqiptarë. Dhe nëse ka ndonjë shqiptar që mashtrohet sot nga Rilindja se sot Shqipëria është në ditët më të mira, u them mos dëgjoni denoncimet e Sali Berishës dhe as ato të medieve ndërkombëtare, por dëgjoni ndërgjegjen dhe memorien tuaj.
Kujtoni se si vitin e parë në pushtet ai arrestoi 38 mijë shqiptarë të varfër për çështje civile dhe fill pas kësaj, realizoi kanabizimin e plotë të Shqipërisë me qëllim ndërtimin e narkoshtetit.
Të gjithë jemi dëshmitarë se si Edi Rama për zëvendësimin e shtetit ligjor me narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë, emëroi në krye të rendit balozët e drogës, Tahirin, Xhafën, Ballën.
Korruptoi dhe angazhoi si këshilltarë delinkuantë McGonigalin dhe Coldean.
Vëllai i tij Olti udhëhoqi klanin e Xibrakës.
Bashkë me kanabizmin e Shqipërisë nisën vjedhjet më barbare në historinë e vendit.
Në 11 vite, nga buxheti total i shtetit prej 57 miliardë euro, vetëm 9 miliardë janë përdorur për rrogat e shqiptarëve. 47 miliardë të tjera janë zhdukur në honet e korrupsionit.
Disa miliarda euro pasuri publike po vidhen nga Rama me Dubai Cityn, portin e Durrësit dhe trafikantët si investitorë strategjikë.
Këta bastardë zhdukën qindra milionë për një incenerator që nuk ekziston dhe Duman mercenari amniston Erion Veliajn vetëm pse paratë i ka vjedhur me Edi Ramën.
Ilir Beqja arresohet për vjedhjen e 150 mijë euro nga fondet e BE, por ai amnistohet nga Dumani dhe nuk ka akuzë për 300 milionë euro që u ka vjedhur shqiptarëve me Edi Ramën.
Kjo është e tmerrshme.
Por pse amnistohen Beqaj, Veliaj dhe të tjerë?
Pse dënohet Saimir Tahiri për shpërdorim detyre kur ka bërë trafik ndërkombëtar droge?
Përgjigja është vetëm një, kjo ndodh sepse koka e tyre e krimeve është Edi Rama.
Sepse drejtësia e re është bërë për të zbatuar urdhrat e Edi Ramës, për procese politike dhe për të prodhuar statistika kallp për mashtrimin e shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Sepse drejtësia e re është bërë për t’u nxirë jetën shqiptarëve duke pritur për një vendim gjyqësor 15 vite.
Se ajo është bërë për t’u mohuar drejtësinë shqiptarëve dhe ky është një krim i shëmtuar.
Miqtë e mi, të gjithë këto zhvillime kanë sjellë një realitet të ri alarmant për shqiptarët.
Ato kanë sjellë urinë e fëmijëve, vdekjen e shqiptarëve për ilaçe.
Ato kanë sjellë instalimin, vendosjen në Shqipëri të diktaturës së bazuar në aleancën e pushtetit me krimin, vjedhjen dhe drogën.
Shndërrimin e votës në krim dhe krimit në votë dhe bllokimin e rotacionit politik.
Sot në Shqipëri, si në Rusinë e Putinit, ndiqen dhe persekutohen nga prokurorët politikë, drejtuesit e forcave kryesore opozitare.
Kandidatët e opozitës që zgjidhen kryetarë bashkie burgosen vetëm pse nuk plotësojnë interesat mafioze të Edi Ramës.
Ndërsa Edi Rama, rilindësit e tij të shpifur kanë siguruar të paktën 15 breza dhe në mos më shumë me pasuri përrallore të vjedhura shqiptarëve.
Ja pse Edi Rama kurrë nuk pranoi një faj apo përgjegjësi për kanabizimin e Shqipërisë, as për miliardat e vjedhura dhe nuk shfaqi një fije dhembshurie për shqiptarët e vetëvrarë, për fëmijët e uritur, për të rinjtë e braktisur, për pensionistët e harruar.
Ai, për të hequr përgjegjësinë nga vetja dhe ministrat e tij, nuk hezitoi as të shpallë mjekët armiq dhe t’i akuzojë për krime ndaj njerëzimit.
Edi Rama, ti ke bërë krime ndaj njerëzimit. Më keq akoma, ke bërë genocid ndaj shqiptarëve, ke nxitur emigracionin e vullnetshëm të tyre.
Ti, Edi Rama ke shitur interesin kombëtar, për të ruajtur pushtetin tënd.
Ti, Edi Rama me vllaun tënd antishqiptar Vuçiç dhe me armikun e shqiptarëve dhe mbarë njerëzimit Xhorxh Soros, kërkove të copëtosh trojet e Kosovës në vitin 2018.
Ti, Edi Rama i le të sëmurët pa ilaçe. Të rinjtë pa të ardhme. Fëmijët pa vakte ushqimi.
Ti, Edi Rama mbolle vdekshmërinë, solle Shqipërinë në buzë varri; vendi me më shumë vdekje se sa lindje në vit, për të parën herë në historinë e saj.
Ky është realiteti i këtij dhjetëvjeçari për çdo shqiptar.
Kjo e vërtetë provon se Edi Rama është sjellë si një pushtues i egër ndaj shqiptarëve.
Por, kjo e vërtetë, ky realitet është dhe sfida e madhe historike e Partisë Demokratike.
Kjo është një betejë e madhe që Partia Demokratike, parti e përmbysjes së diktaturës dhe vendosjes së rendit demokratik, do ta fitojë.
Ne do t’i rikthejmë Shqipërisë demokracinë!
Në betejë tonë, ne shënuam fitoren tonë të parë madhore, fitoren për të vërtetën.
Pikërisht sepse ne bëmë opozitë të vërtetë, u tentua më shumë se një herë, asgjësimi ynë politik, por ja ku jemi sot, më shumë se kurrë!
Partia Demokratike u përball në këto tre vite me luftën politike mafioze më të egër, sikur të ishim në Rusinë e Putinit, Bjellorusinë e Lukashenkos, me përpjekje monstruoze për ta bërë atë si motër të Partisë-shtet, për t’i caktuar asaj kryetarin, për t’i shkatërruar asaj identitetin.
Por, ja ku jemi sot në këmbë, më të vendosur, më sovranë, më të fuqishëm se kurrë më parë.
Na sekuestruan flamurin, na detyruan të merrnim pjesë në zgjedhje pa komisionerë, pa buxhet, pa vulë dhe pa emrin e kryetarit në fletën e votimit.
Por dolëm të pamposhtur!
Sot jemi shumica e kombit shqiptar!
Me damkën më të zezë, sot Shqipëria është vendi i vetëm në Europë, me liderin e opozitës të arrestuar politik pa asnjë fakt, provë apo dokument.
Kjo, sepse Sali Berisha denoncoi i pari narkoshtetin, shumë e shumë vite përpara se ta denonconin të tjerët. Sepse Sali Berisha kundërshtoi dhe luftoi në 2018, kundër ndryshimit të kufijëve të Kosovës, copëtimit të saj dhe projektit ruso-serb të Ballkanit të Hapur.
Sepse Sali Berisha çdo ditë, këto 10 vite ka denoncuar çdo aferë të Edi Ramës, familjes, ministrave dhe zyrtarë të tij, por me emër dhe mbiemr edhe korrupsionin ndërkombëtar.
Kjo sepse Sali Berisha nuk pranoi bashkëqeverisjen me PS, të vendosur me marrëveshjen Rama-Basha.
Kjo sepse Sali Berisha denoncoi kapjen e plotë të drejtësisë nga Edi Rama, drejtësinë e munguar për shqiptarët.
Dhe ua them sot këtu se, nëse çmimi për të mbrojtur shqiptarët, interesat, dinjitetin, sovranitetin e tyre, qenka një “non-grata”, qenka një arrest pa prova, do ta bëja prapë, jo një, por edhe 1000 herë të tjera.
Zoti i bekoftë shqiptarët!
Zonja dhe zotërinj!
Vetëm demokratët e kuptojnë, dhimbjen e luftës që na bënë.
Por ne nuk shtrimë qafën, ne qëndruam si shqiptarë që duam Shqipërinë, qëndruam me forcë, me vendosmëri, nuk u shitëm, nuk u dorëzuam, nuk krijuam parti të re dhe në fund fituam. Fituam betejën e ekzistencës tonë!
Fituam sepse kauza jonë ishte e drejtë, qëndruam për dinjitetin tonë dhe të shqiptarëve.
Qëndruam për Shqipërinë me opozitë të vërtetë, për demokraci. Qëndruam për interesin dhe për flamurin kombëtar.
Dhe falë kësaj qëndrese, sot një flamur ngjyrë blu valëvitet përmbi korrupsionin, përmbi vjedhjet, përmbi krimet, si shpresa e vetme për shqiptarët, duke sjellë kështu fitoren e dytë madhore – shpëtimin e opozitës.
Zonja dhe zotërinj,
Por sot, në agun e fitores mbi diktaturën e dytë, ne jemi në misionin më të rëndësishëm por edhe të vështirë, që na mbetet për të përmbushur.
Tani bien boritë e luftës për shpëtimin e Shqipërisë!
Tani është lufta për flamurin e kombit.
Tani thirrja është Himni Kombëtar “Nga lufta veçse ai largohet”
Sepse kjo nuk është një betejë politike, miqtë e mi.
Kjo është një betejë për fatin e Shqipërisë.
Edi Rama është mafia më e rrezikshme e planetit, ai dhe mafia e Xhorxh Sorosit i kanë shpallur luftë flamurit, kombit dhe demokracisë shqiptare.
Edi Rama do një Shqipëri pa shqiptarë. Pa opozitë. Pa drejtësi. Pa kulturë. Pa dinjitet. Pa familje.
Prandaj, kjo luftë kërkon dhe meriton çdo sakrificë nga demokratet dhe demokratët shqiptarë, për një Shqipëri të shqiptarëve, për familje solide, për shtetin ligjor, demokracinë, prosperitetin, integrimin në Bashkimin Europian.
Por kjo luftë nuk do të luftohet dhe nuk duhet të luftohet vetëm nga Partia Demokratike.
Kjo është lufta e çdo shqiptari.
Prandaj kushtrimi im sot, shkon për çdo parti opozitare, tradicionale apo të reja qofshin ato, për shoqërinë civile dhe mediat, për veprimtarë dhe aktivistë të të gjitha fushave. Vetëm zgjedhjet e lira janë shpëtim i Shqipërisë. Por, me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka.
Të bashkoheni me ne për qeveri teknike, zgjedhje të lira. Ne do të fitojmë!
Kushtrimi im sot shkon për çdo demokrate e demokrat, për socialistët e zhgënjyer dhe qytetarët e paparti, për shqiptarët kudo që ndodhen. Vetëm zgjedhjet e lira janë shpëtimi i Shqipërisë. Por, me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka.
Bashkohuni me ne për të lidhur besën për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Ne do të fitojmë!
Kushtrimi im sot është kushtrimi i flamurit kuq e zi. Është kushtrimi i një kombi që po tretet dhe po grabitet në mënyrë të lemeritshme.
Të bashkohemi për t’i thënë STOP me votën e lirë zbrazjes së Shqipërisë. Me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka.
Qeveri teknike është betimi ynë!
Kushtrimi im është thirrja për bashkim!
Për çdo shqiptar.
Nëse kërkoni shpresë, kujtohuni se shpresa jeni ju.
Nëse kërkoni ndryshim, kujtohuni se ndryshimi jeni ju.
Nëse doni që Shqipëria të shpëtojë, mos harroni që jeni shqiptarë.
Mos harroni, jeni shqiptarët e trashëgimisë epike të Gjergj Kastriotit, të Adem Jasharit, të heroizmit të studentëve të ‘90.
Prandaj tani, si një front i madh opozitar, le të përballemi ne me pushtuesin më armiqësor të shqiptarëve të shekullit 21.
Prandaj shqiptarët do bashkohen në këtë luftë.
Jo për Sali Berishën. Jo për Partinë Demokratike. Jo për politikë.
Do bashkohemi për çdo prind që nuk siguron dot vaktet e fëmijëve.
Do bashkohemi për çdo fëmijë që nuk merr dot më shumë se një – dy vakte në ditë.
Do bashkohemi për çdo të sëmurë, që i dorëzohet sëmundjeve sepse nuk ka ilaçet jetike.
Do bashkohemi për çdo të ri, që nuk ka asnjë mundësi për të nisur jetën në këtë vend të grabitur.
Do bashkohemi për t’iu rikthyer dinjitetin shqiptarëve.
Për t’i rikthyer votën e lirë shqiptarëve.
Për t’i kthyer Shqipërisë demokracinë dhe çelur asaj dyert e integrimit në BE.
Dhe rrugën e këtij bashkimi kombëtar, Partia Demokratike e ka shtruar.
Duke vendosur shembullin e bashkimit tonë në diversitet.
Çdo parti e madhe europiane, çdo partie e madhe amerikane, është e tillë sepse njerëz të ndryshëm, madje edhe kundërshtarë të ndryshëm, bashkohen në diversitet, për një të mirë madhore.
Sot edhe Shqipëria ka një parti të tillë.
Kjo është Partia Demokratike e Shqipërisë.
Partia që tani ka mision të vetëm shpëtimin e Shqipërisë së bashku me opozitën shqiptare.
Dhe për këtë mision, bashkimi në diversitet i çdo force opozitare, do na bëjë të pandalshëm.
Dhe siç na mëson historia, kur shqiptarët bëhen bashkë, mrekullitë ndodhin.
Me bashkim, Partia Demokratike e shpëtoi opozitën e vërtetë dhe flamurin e saj.
Me bashkim dhe mosbindje civile do arrijmë qeverinë teknike, zgjedhjet e lira dhe rotacionin politik.
Me bashkim, shqiptarët do shpëtojnë Shqipërinë dhe flamurin kombëtar.
Zonja dhe zotërinj, Edi Rama e ka mbyllur ciklin e tij. Vetëm një i çmendur mund ta imagjinojë se Edi Rama do qeverisë 4 vite të tjera.
Prandaj, sot në emër të Partisë Demokratike, në emër të frontit të gjerë opozitar, në emër të çdo shqiptari që ka mbi trup edhe shpirt plagët e Rilindjes dhe në emër të flamurit kuq e zi, unë sot i jap këtë paralajmërim Edi Ramës:
Prano qeverinë teknike, si kushti i të gjitha kushteve për zgjedhje të barabarta, dhe të shkojmë në zgjedhje të përgjithshme.
Qeveria teknike është zgjidhja më e thjeshtë për ty.
Ke bërë gjenocid ndaj shqiptarëve Edi Rama.
Nëse vetë ndërgjegjja jote, do zgjohej një çast për të kuptuar çfarë i ke bërë Shqipërisë, ajo do ulërinte.
E përsëris Edi Rama, në emër të shqiptarëve, mos e drejto Shqipërinë drejt abisit, greminës.
Prano qeveri teknike. Me urgjencë.
Në gjithë Europën, sot po fryn era e ndryshimit.
Rotacionet po ndodhin në çdo shtet të Europës.
Por nëse në Europë, rotacionet po ndodhin, për zgjidhje të problemeve të botës së pare, Shqipëria sot po vuan problemet e një vendi në pushtim.
Këtë dekadë, kjo farë e keqe e Rilindjes e ka kthyer Shqipërinë në vendin ku shëndetësia shndërrohet në bursën e vdekjes nga qëveritarët e korruptuar.
E ka kthyer arsimin në sistemin ku drejtori i shkollës shpërndan drogë për fëmijët.
E ka kthyer rendin dhe sigurinë në sistemin ku drejtuesit e policisë bëhen informatorë të bandave për të hequr qafe kundërshtarët.
E ka kthyer vendin aty ku investitorët strategjikë janë zëvendësuar me bandat dhe kartelet e drogës.
Parlamentin e vendit e ka shndërruar në çerdhe banditësh që ditën votojnë reformën në drejtësi dhe ligjet, kurse natën paguajnë vrasës për të hequr qafe kundërshtarët.
E ka kthyer drejtësinë në degë të ekzekutivit që amniston krimet e tmerrshme të qeveritarëve. Bën gjahun politik të opozitës dhe privon qytetarët nga e drejta.
Prandaj, nuk ka si mos ndodhë rotacioni edhe në Shqipëri.
Rotacioni është çlirim!
Nuk ka si të mos ndodhi rotacioni në Shqipëri, kur është vendi i vetëm në Europë që ka humbur 40% të popullsisë.
Rotacioni është shpëtim!
Nuk ka si mos ndodhi rotacioni në Shqipëri, kur është shteti i vetëm në Europë me 47% fëmijë të kequshqyer.
Rotacioni është mirëqenie!
Nuk ka si mos ndodhi rotacioni në Shqipëri, kur është shteti i vetëm në Europë me liderin e opozitës të arrestuar.
Rotacioni është demokraci!
Dhe me këtë rotacion, Shqipërinë e presin më në fund kohë të bukura, kohë që meriton.
Forca që shqiptarët kanë fituar nga 10 vite qëndrese në regjimin dramatik të Edi Ramës, do t’i sjellin Shqipërisë demokracinë, zhvillimin dhe progresin e merituar.
Sot shqiptarët folën më fuqishëm se kurrë!
Shqiptarët sot në këtë tubim madhështor të paparë në Tiranë lidhën besën për qeveri teknike.
Shqiptarët lidhën besën për zgjedhje të lira.
Shqiptarët lidhën besën për rotacionin e vonuar.
Ne do fitojmë.
Shqipëria do fitojë!
Shqipërinë do ta shpëtojmë!
Sepse kur shqiptarët bashkohen, sepse kur shqiptarët betohen, mrekullitë ndodhin.
Rrofshi ju! Rroftë Partia Demokratike!
Rroftë çdo shqiptar që sot ringjall shpresën me pjesëmarrjen e tij në këtë protestë të besës historike!
Rroftë çdo opozitar që lufton për Shqipërinë!
Rroftë flamuri kuq e zi!
Rroftë Shqipëria!
Fitore, fitore, fitore!
Gazetari i Klan News Besar Bajraktari që ndjek nga afër protestën, raporton se përpara Kryeministrisë u hodhën të paktën 25 molotovë.
Opozita proteston me molotov drejt Kryeministrisë dhe Bashkisë së Tiranës, Berisha: Qeveri teknike
Më sloganin “Të bashkuar në betejë, opozita në aksion”, PD dhe aleatët e saj do të zbresin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Ky tubim vjen pas vendimit të Gjykatës së Apelit që i la logon e PD ish-kryeministrit Sali Berisha. Qëllimi i kësaj proteste të opozitës është krijimi i një qeverie teknike, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme.
Ndërkohë, policia kaloi në gatishmëri që prej orës 18:00 dhe janë angazhuar 1000 forca.
/tvklan.al