Hapja e kapitujve për anëtarësim/ Rama: Po ngjitemi në këtë rrugë të vështirë me ide të qarta
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Luksemburg ku po kryeson delegacionin shqiptar në Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me BE për të hapur grup-kapitujt e parë të anëtarësimit në union.
Duke folur shkurtimisht për gazetarët në Luksemburg përpara nisjes së takimit, kreu i qeverisë shqiptare është shprehur optimist për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
“Shpresojmë që të përfundojmë me axhendën tonë ambicioze këtë proces të negociatave dhe mendojmë që Shqipëria do të ulet e barabartë në tavolinën e shteteve anëtare të BE.
Ne jemi të përgatitur dhe të përkushtuar ndaj angazhimeve të BE që nga dita e parë e ndryshimit në demokraci, ne kemi qenë Koreja e Veriut në mes të Europës. Unë shikoj që ka një ndryshim në qasjen e BE-së në vëmendje ndaj vendeve tona sa i përket zgjerimit, nuk e kemi humbur asnjëherë shpresën dhe besimin te BE sepse Europa dhe BE është i vetmi vend ku ne mund të jetojmë dhe gjenerata tjetër e shqiptarëve. Është e vetmja hapësirë ku ne mund të gjejmë liritë e njeriut, për shtetin ligjor. Ky moment është shumë i veçantë, mund të them faleminderit Vladimir Putin i cili me agresionin ndaj Ukrainës bindi dhe vendet më skeptike të BE që në realitet shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të domosdoshme për BE ashtu siç edhe BE është i domosdoshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi në të njëjtën anije tashmë. Ne do të ecim drejt Bashkimit Europian më të sigurt.
Rama theksoi se Shqipëria ka hyrë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, një rrugë e vështirë por me ide të qarta, siç u shpreh ai.
Ne jemi shumë të qartë se për t’u bërë shtet anëtar i BE nuk duhet të mbështetemi vetëm në ndjenjat apo qasjen pozitive të forcave që ekzistojnë brenda BE, por në realitetin faktik të shteteve kandidate për të garantuar që jeta e përditshme e qytetarëve bazohet në atë që shkruhet në Kushtetutë dhe janë detyrat e shtëpisë që na udhëheqin në këtë proces. Ne po mendojmë se po ecim shpejt dhe po ngjitemi në këtë rrugë të vështirë me synimin e qartë, me ide të qarta dhe pa asnjë ngurrim që të realizojmë ato angazhime që kërkohen nga BE për një kohë të shkurtër”, tha Kryeministri Edi Rama.
Në mbyllje të fjalës, Kryeministri theksoi se Shqipëria do të bëhet gati për BE-në brenda vitit 2030.
Deklarata e plotë e Kryeministrit Edi Rama para nisjes së Konferencës së Dytë Ndërqeveritare
Është mënyra më e mirë për të nisur ditën dhe pavarësisht motit gri të Luksemburgut, ndihemi vërtet shumë entuziast dhe mjaft të inkurajuar që më së fundi, nisim pjesën më të vështirë të punës, çka nënkupton çeljen e grupkapitujve të themeloreve me 5 kapituj më shumë, plus tre kritere, të cilat do të na bëjnë që të ecim më përpara dhe do të përmbyllim brenda afatit tonë mjaft ambicioz të gjithë këtë process të negociatave dhe më së fundi do ta bëjmë Shqipërinë që të ulet si e barabartë rreth tryezës së shteteve anëtare të BE
-Ka patur një ndryshim të paradigmës në BE, sa i takon zgjerimit. Është si të thuash biletë me një drejtim. Çfarë mendoni për këtë? Mendoni që është kështu?
Kryeministri Edi Rama: Ne jemi shumë, shumë të përkushtuar me BE qysh prej ditës së parë që i ikëm ferrit të diktaturës, duke qenë vendi më i izoluar në Evropë, “Koreja e Veriut’’ e Europës, kështu që pavarësisht se si është situata këtu apo niveleve të ndrysme të vëmendjes apo skepticizmit ndaj zgjerimit, ne nuk kemi hequr kurrë dorë sepse për ne, BE dhe Evropa janë i vetmi vend ku duam të jemi, i vetmi vend që duam t’u lëmë brezave të ardhshme me sigurinë që i lëmë në të vetmen hapësirë, ku liritë, të drejtat, sundimi i ligjit dhe siguria mund të garantohen. Kështu që po, ky moment është i veçantë dhe më duhet të them dhe falë edhe Vladimir Putinit, i cili për shkak të luftës mizore të agresionit, zgjoi nga gjumi edhe më skeptikun dhe i bëri të shohin realitetin që Ballkani Perëndimor është i nevojshëm për një BE më të forte, po aq sa BE, konstelacioni i BE është i nevojshëm për Ballkanin Perëndimor.
Kësisoj jemi të dyja palët në një gjatësi vale. Do të bëjmë më të mirën dhe do të vrapojmë shpejt për t’u siguruar që kjo dritare e jashtëzakonshme mundësie të mos mbyllet pa ne, brenda në Bashkimin Evropian.
-Kam dëgjuar sidoqoftë që flitet për shembull për masat kundër korrupsionit.
Kyeministri Edi Rama: Po nuk ka asgjë të veçantë. Çdo gjë është shumë e qaqrtë. Për t’u bërë shtet anëtar duhet të ngresh, jo vetëm shpirtrat, por po kështu edhe të gjitha forcat që të punojnë së bashku në realitetin e vendit për të garantuar një vend, i cili funksionon mirë, u shërben qytatarëve të vet dhe sanksionon në jetën e përditshme atë çfarë shkruhet në Kushtetutë dhe të gjithë angazhimet. Kështu që janë detyra shtëpie, një mal për t’u ngjitur dhe tanimë ne jemi në ngjitje e sipër me ide mjaft të qarta, me vullnet mjaft të fortë dhe nuk ka aspak dyshim që do të arrijmë atë çfarë duhet arritur, që do të thotë Shqipëria në BE brenda 2030.
– A mendoni se do të arrrini të shkurtoni procedurën e anëtarësimit në kohë të Shqipërisë në BE?
Kryeministri Edi Rama: Ne do ta bëjmë gati Shqipërinë për Bashkimin Evropian brenda vitit 2030.
Ministri i Jashtëm i Hungarisë: Të lumtur të kemi në BE vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Shqipërinë
Shqipëria mban sot në Luksemburg Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me Bashkimin Europian për hapjen e grup-kapitujve në kuadër të hapjes së procesit të negociatave për anëtarësim.
Ministri i Jashtëm i Hungarisë Peter Zijarto, e cila mban edhe presidencën e radhës së BE-së, duke folur shkurtimisht për gazetarët në Luksemburg përpara nisjes së takimit, ka shprehur vlerësimet e tij për Shqipërinë.
Zijarto tha se prioritet i tyre ka qenë përshpejtimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe se janë të lumtur të kishin pjesë të BE vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos Shqipërinë.
Peter Zijarto, ministër i Jashtëm i Hungarisë: Kur ne e nisëm presidencën tonë të BE-së kishim një listë të prioriteteve. Ajo çka kemi vënë në krye të agjendës është përshpejtimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Në fakt jetojmë në të njëjtin rajon dhe e dimë se çfarë ndryshimi ka zhvillimi i këtyre shteteve në paqe dhe natyrisht që ne mund të ndihmojmë me zhvillimin e Ballkanit Perëndimor me zhvillimet paqësore në situatën e tyre. Kështu që do të ishim vërtetë të lumtur të kishim vendet e Ballkanit Perëndimor në BE, sidomos Shqipërinë. Jemi të lumtur që kjo po ndodh tani. Kjo është dhe falë Kryeministrit dhe kabinetit të tij sepse kanë bërë një punë të jashtëzakonshme.
Shqipëria mban sot në Luksemburg Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me Bashkimin Europian për hapjen e grup-kapitujve në kuadër të hapjes së procesit të negociatave për anëtarësim.
Ky proces ishte bllokuar prej 1 viti për shkak të vetos greke, por tashmë çështja është zhbllokuar.
Shqipëria përfaqësohet në këtë konferencë nga Kryeministri Rama, Kryenegociatorja Majlina Dhuka si dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani. Në tryezë për palët shqiptare do të jenë dhe të gjithë zv/ministrat, të cilët përfaqësojnë sektorët e kapitujve të negocimit që do të hapen ditën e nesërme, te njohura si “Themeloret”.
Çdo shtet ka një axhendë të ndryshme të negocimit dhe Shqipëria do ta nisë këtë proces me grup-kapitujt me “Reformën e administratës publike”, “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”, “Drejtësia, liria dhe siguria”, “Kriteret ekonomike”, “Prokurimi publik”, “Statistikat”, “Kontrolli financiar” si dhe “Funksionimi i institucioneve demokratike”.
Negociatat për anëtarësim shënojnë momentin kyç në proceset integruese të një vendi për në BE. Negociatat zhvillohen mes ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të vendeve anëtare dhe vendit kandidat përmes Konferencës Ndërqeveritare. Ato përfshijnë marrjen përsipër nga vendi kandidat të përafrimit të plotë të legjislacionit të BE-së (acquis), zbatimin e tij, si dhe zbatimin e reformave të tjera ligjore, politike, ekonomike, administrative dhe reformave të tjera për të përmbushur kriteret për anëtarësim.
Për qëllime të procesit të negociatave, acquis i BE-së ndahet në 35 kapituj negociues (fusha politikash). Vendi kandidat nuk negocion mbi acquis e BE-së, por mbi transpozimin e zbatimin e tij.
/tvklan.al