Raportim Live
14:51, 18 Korrik 2024

33 mln € abuzimi me fondet e BE-së për bujqësinë? Denaj: Raste parregullësie me vlerë shumëfish më të vogël

Në seancën plenare të ditës së sotme po zhvillohet interpelancë me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, kërkuar nga deputeti demokrat Agron Shehaj.

Teksa në thelb të interpelancës është raporti i OLAF për abuzimet nga ana e Shqipërisë me fondet e BE në bujqësi, ministrja Denaj ka theksuar se në 5 vitet e fundit, bujqësia shqiptare është rritur me 34 për qind më shumë.

Referuar shifrës së pretenduar 33 milionë Euro për abuzim me fondet e BE-së për bujqësinë shqiptare, ministrja Denaj thotë se janë evidentuar reste parregullësie me vlerë totale shumëfish më të vogël se kjo.

Anila Denaj: Në IPARD 2 janë mbështetur 540 investime nga çdo cep i Shqipërisë, janë krijuar mundësi punësimi për më shumë se 1 mijë punonjës dhe kemi siguruar zgjerim të ekpsorteve në 80 tregje elitare ndërkombëtare. Ngritja e një rrjeti të gjerë agroturizmi i kanë dhënë turizimit rural një shtysë zhvillimore.

Mbështjetja është evidentuar, e prekshme në çdo cep. Mbështetja është rritur në vitet e fundit dhe do të vijojë të rritet. Faktet nuk mund të mohohen. Sipas INSTAT, në harkun kohor të 5 viteve të fundit, bujqësia shqiptare është rritur me 1.3 miliardë Euro, ose 34 për qind më shumë nga 2.5 miliardë në 3.8 miliardë Euro. Këto i sjell këtu për të mos dhënë asgjë më shumë për të thënë se bujqësia është drejt rritjes.

Ky është një proces, i cili si për çdo vend në fazën e paraanëtarësimit ka si objektiv rritjen e kapaciteteve njerëzore. OLAF ka kryer vrojtim administrativ 2021-2023, në përfundim të hetimit iu përcoll autoriteteve shqiptare ekstrakti i raportit nga zyra në Tetor 2023. E vërtetë që raporti i OLAF ka shkuar në organet e drejtësisë. Është kërkuar përgatitja e një draf plani. Puna për të cilën kemi marrë angazhim në Janar. Kemi marrë veperime korrigjuese për rikuperimin e fondeve.

Po punojmë për rritjen e kapaciteteve të vlerësimit përmes sistemeve dixhitale për të gjitha detajet që ky plan veprimi ka marrë angazhim. Është në proces evidentimi roli i konsulentit, marrëdhënia mes konsulentit dhe përfituesit, e lirë mes palëve. AZHBR dhe të gjitha strukturat po marrin masat për të gjitha strukturat e llogaridhënies të fondeve të BE-së. Kemi punuar fort. Ne nuk kemi dalë të bëjmë politikë. Me këtë raport kemi ulur kokën për të punuar dhe për të sqaruar disa çështje që në aspekte proceduriale kemi nevojë t’i përmirësojmë.

IPARD 3 nuk është hapur. Është një proces që kërkon plotësimin e më shumë dokumentacioneve, përpjekjet për të ndryshuar aspekte të kontrollit parandalues. Përdorimi i kësaj çështje për arsye politike nuk e ndihmon fermerin. Jemi duke punuar në të gjitha aspektet që ky institucion të jetë në lartësinë e IPARD3. Kontrolli është i vazhdueshëm dhe kryhet nga të gjitha strukturat.

Ju pyesni, OLAF pretendon për 33 milionë Euro. Ritheksoj se ekstrakti i raportit nga zyra e Dixhiagrit dorëzuar qeverisë shqiptare evidenton raste parregullësie në një vlerë totale shumëfish më të vogël se kjo shumë që përmendet në raport dhe terminologjia nuk është e njëjtë me atë që përdoret.

11:34, 18 Korrik 2024

Kërkesa për mocion me debat e kërkuar nga opozita lidhur me gjetjet e OLAF për abuzimet me fondet e BE-së për bujqësinë shqiptare, është rrëzuar nga Parlamenti.

Kreu i grupit të PD-së, Bardhi thotë se duhet të merren masa urgjente për të zhbllokuar fondet e BE-së për fermerët shqiptarë dhe për këtë i shtrin dorën kolegëve të mazhorancës.

Ndërsa kreu i grupit të PS, Bledi Çuçi, tha se raporti është ende konfidencial dhe nuk mund të bëhet debat publik për këtë.

Për këtë arsye, mazhoranca socialiste rrëzoi me vota kërkesën e opozitë për mocion me debat për këtë çështje.

11:30, 18 Korrik 2024

Tabaku: Të gjejmë mekanizma për parandalimin e vjedhjes në të ardhmen

Rrëzimi i kërkesës së opozitës për mocion me debat në lidhje me gjetjet e OLAF për abuzimet në Shqipëri me fondet e BE-së për bujqësinë ka ngjallur diskutim në seancë plenare. Deputetja demokrate, Jorida Tabaku ka kërkuar që të diskutohet për mekanzimat që duhen ngritur që një gjë e tillë mos të ndodhë në të ardhmen dhe që të zhbllokohen fondet e BE-së për sektorin e bujqësisë.

Jorida Tabaku: Bazuar mbi gjetjet e OLAF që në kundërshtim me ata që thotë Çuçi, nuk është e vërtetë që ka një raport për të gjithë vendet. Ka vetëm një raport dhe njoftim për Poloninë dhe Shqipërinë se asnjë vend tjetër i rajonit dhe asnjë vend tjetër i BE-së nuk e ka kryer këtë vjedhje. Ne kërkojmë të bëjmë një debat se si mund të ngremë mekanizma për ta parandaluar në të ardhmen. SPAK është duke e kryer procesin këtu në Shqipëri. Kërkojmë që të bëjmë debat.

Nuk e pranoj që gjetjet e OLAF të konsiderohen shpifje. Propozimi im është që bazuar pikërisht në këtë propozim, të mos diskutojmë raportin e OLAF që ka 1 vit që e ka marrë qeveria shqiptare, por të diskutojmë mekanizmat që ta parandalojmë në të ardhmen që këto fonde t’i vendosen në dispozicion. Propozoj që njoftimin që bëtë, ta disktojmë dhe njëherë. Ne duam të diskutojmë se çfarë masash do të merren, mekanzimash do të ngrihen, që mund të prandalojnë këtë vjedhje më të madhen siç thotë OLAF, me fondet e BE-së jashtë BE-së.

11:11, 18 Korrik 2024

Mazhoranca socialiste rrëzon me vota kërkesën e opozitës për mocion me debat

11:08, 18 Korrik 2024

Abuzimi me fondet e BE për bujqësinë, Çuçi: S’mund ta zhvillojmë interpelancën, raporti është konfidencial

Kreu i grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi: Në lidhje me mocionin me debat dhe rezolutën e propozuar nga grupi parlamentar i PD kemi pasur një qëndrim shumë të qartë në Konferencën e Kryetarëve. Jemi dakord që të zhvillojmë debat për një çështje kaq të rëndësishme që lidhet me zhvillimin e një sektori jetik në Shqipëri. Por pikërisht në mbrojtje të interesit të fermerëve dhe në përpjekjen që po bën qeveria që po bën për të zhbllokuar ato miliona Euro, kemi thënë që është i parakohshëm një debat publik në parlament përderisa raporti i OLAF është konfidencial. Raporti me të gjitha gjetjet dhe parregullsitë është konfidencial dhe prandaj propozuam që pasi ky proces dhe përpjekja e qeverisë të realizohet, ne duhet ta bëjmë këtë debat pasi të jetë sqaruar e gjithë kjo situatë. Jemi të hapur ta bëjmë në momentin e duhur. Ky është qëndrimi ynë deri sa kjo çështje të bëhet publike dhe të dalin të gjitha faktet. Ta dëgjojmë ministren në çfarë pike jemi dhe vlerësojmë nëse kemi faktet e mjaftueshme për të filluar këtë debat publik.

11:05, 18 Korrik 2024

Bardhi: Të merren masa urgjente për të zhbllokuar fondet e BE-së për fermerët shqiptarë

Gazment Bardhi: Zonja kryetare, e para ke një njoftim zyrtar të Zyrës Kundër Mashtrimit në BE që deklaron se ka informuar autoritetet përgjegjëse mbi raportin përfundimtar të zyrës së OLAF, sa i takon abuzimeve me fondet në sektorin e bujqësisë. Unë nuk di se çfarë më shumë zyrtare kërkoni ju. Në qoftë se Ministrinë e Bujqësisë e kanë shpallur skenë krimi, sigurisht që mund të mos ja kenë vënë në dispozicion raportin. Asnjë e dhënë e shkruar në kërkesën për mocion me debat nuk është as thashethem dhe as aludim, por është raporti zyrtar.

Në këtë raport theksohet se pas hetimit të rasteve të denoncuara pranë zyrtarës, është vërejtur që nga Shqipëria është abuzuar në vlerën 33 milionë Euro. Ky fond i papërshtatshëm dhe sugjerohet të pezullojë dhënien e fondit të ri, 112 milionë Euro, para që duhet të shkonin në ndihmë të fermerëve shqiptarë derisa të merren masa për të mbrojtur interesat finnaciare të BE-së.

Opozita i shtriu dorën kolegëve të mazhorancës të bëhemi bashkë, të miratojmë çdo masë të nevojshme ligjore në funksion të zhbllokimit të fondeve, 112 milionë Euro që duhej të përfitonin fermerët. Ata që vuajnë pasojat janë qyteratë shqiptarë. Interesi i fermerëve është që këto fonde të zhbllokohen sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk ka asnjë procedurë që Konferenca e Kryetarëve të refuzojë kërkesën për mocion me debat. Kërkesa për mocion me debat shoqërohet me rezolutë, njësoj si një projekt-vendim. Nuk mund të refuzohet.

Pyetja që kam për ju: Doni t’i mbani të bllokuara fondet për fermerët shqiptarë? Janë 112 milionë Euro. A është interesi ynë? Ku është e keqja e kërkesës së opozitës për këtë rast? Çdo fermer që na dëgjon, pyet secilin prej nesh se çfarë po bëni që këto fonde të shkojnë në ndihmë të sektorit të bujqësisë. Ata nuk kanë kohë për të pritur dhe ne nuk duhet të harxhojmë kohën me debate të kota, por duhet të bëhemi të gjithë bashkë për të gjitha mekanizmat për të zhbllokuar fondet në ndihmë të bujqësisë. Ne debatin do e zhvillojmë. Ju vazhdoni dhe shërbeni Klodian Zotos, Mirel Mërtirit.

11:02, 18 Korrik 2024

Nikolla: Konferenca e Kryetarëve nuk gjeti mirëkuptim për mocionin me debat

Lindita Nikolla: Konferenca e Kryetarëve u mblodh për të shqyrtuar kërkesën e kryetarit të grupit të PD-së për zhvillimim e një mocioni me debat lidhur me gjetjet e OLAF-it, masat që duhet të marrë Kuvendi. Konferenca e Kryetarëve nuk arriti në mirëkuptim për shqyrtimin e kërkesës për mocion me debat në seancë plenare.

11:08, 18 Korrik 2024

Rrëzohet kërkesa e opozitës për mocion me debat për abuzimet me fondet e BE-së në bujqësi

Kërkesa për mocion me debat e kërkuar nga opozita lidhur me gjetjet e OLAF për abuzimet me fondet e BE-së për bujqësinë shqiptare, është rrëzuar nga Parlamenti.

Kreu i grupit të PD-së, Bardhi thotë se duhet të merren masa urgjente për të zhbllokuar fondet e BE-së për fermerët shqiptarë dhe për këtë i shtrin dorën kolegëve të mazhorancës.

Ndërsa kreu i grupit të PS, Bledi Çuçi, tha se raporti është ende konfidencial dhe nuk mund të bëhet debat publik për këtë.

Për këtë arsye, mazhoranca sociale rrëzoi me vota kërkesën e opozitë për mocion me debat për këtë çështje.


/tvklan.al