Raportim Live
20:36, 12 Nëntor 2024

“Hetimori” për Koncensionet në Shëndetësi

20:35, 12 Nëntor 2024

Shtyhet për nesër dëshmia e Ilir Beqajt

Dëshmia e Ilir Beqajt u shty për ditën e nesërme. Ai nuk mundi të dëshmojë në Komisionin Hetimor pasi PD dhe PS nuk u dakordësuan për mënyrën se si do të dëshmonte. Mbledhja e komisionit është parashikuar të fillojë nesër në orën 10:00.

14:55, 12 Nëntor 2024

“Do japësh llogari”, debat mes Vokshit dhe Ndrecës: Je nën akuzë për vjedhje, kë kërcënon ti?

Komisioni Hetimor për Sterilizimin dhe Check-Up prej orësh po vazhdon me debate në lidhje me formën e dëshmisë së ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Ky i fundit ka kërkuar që dëshminë e tij ta bëjë në formën e një prezantimi me “Power Point”, gjë që ka ndeshur në kundërshtime nga anëtarët e opozitës, të cilët nuk e pranojnë kërkesën e ish-ministrit.

Debatet mes palëve kanë vijuar me tone të larta herë pas here edhe mes Albana Vokshit dhe Plarent Ndrecës, si ky…Lexo më shumë

14:00, 12 Nëntor 2024

“Luftë mediatike”, Koçi- Vokshit: E keni trajtuar Beqajn si të pandehur

Albana Vokshi: Prezantimin bëjeni në gjykatë. A doni të bëni deklaratën paraprake apo jo?

Edmond Spaho: Ne nuk e akuzojmë për asgjë. Ne hetojmë administrativisht. Për pikëpyetjet që kemi ne, dëshmitari duhet të na japë përgjigje. Ore ju doni që ta prishni këtë. Dëshmitari ka të drejtë vetëm një gjë në hapje të seancës vetëm deklaratë përmbledhëse për çështjen. Për të bërë vlerësime, ka të drejtë sipas ligjit kur ta pyesim. Prezantim këtu nuk lejohet. Në asnjë rast nuk është lejuar prezantimi.

Petro Koçi: Ju e keni trajtuar gjithë kohë Beqajn si të pandehur dhe kjo nuk është meritë e askujt veçse e juaja sepse nuk dini të bëni ndryshe. Ligji nuk ka shpjeguar mjetet me të cilat bëhet kjo deklaratë. Ligji nuk e ndalon dëshmitarin që të përdorë një mjet ilustrativ që mund të jetë foto, por edhe video që jepet në ekran. Kjo që po bëhet është luftë mediatike mes jush dhe dëshmitari, por kjo është e padrejtë në pozitën që ju flisni. Keni bërë edhe deklarata që janë kërcënuese dhe për anëtarët e komisionit. Gjërat dhe përgjegjësitë janë të ndara. Kjo pozitë nuk duhet shpërdoruar në dëm të një dëshmitari që ka një pozitë tjetër për shkak të organve ligjzbatuese. Mos e merrni personale me Beqajn dhe lejojeni. Ka ikur koha e diktaturës.

Albana Vokshi: Unë jam për të zbatuar çdo gërmë të ligjit. Humanizmin e lë jashtë komisionit. Humanizmin mund ta shohim në spitale, apo kurat që nuk bëhen dot sepse i shkojnë paratë Vilma Nushit. Ju nuk po lejoni Beqajn që të marrë fjalën dhe të bëjë deklaratë siç e kërkon ligji.

13:43, 12 Nëntor 2024

“Po e merrni në qafë”, Vokshi anëtarëve të PS-së në komisionin hetimor për Beqajn

Ilir Beqaj: Unë jam nisur që në 7:30 në seancë. 

Albana Vokshi: Ma jepni atë që keni prezantim. Nëse doni të bëni deklaratë, bëjeni. Ose unë vazhdoj me pyetjet, unë nuk kam kohë 24 orë. Unë zbatoj ligjin.

Edona Bilali: 3 orë debat për të mos me lënë të prezantojë. Dje, kryetarja e komisionit, teksa referonte me deklaratë verbale, tregonte disa foto. Këto janë ilustrim. Fotot u lejuan nuk u kundërshtuan nga askush. Në një nga mbledhjet që kemi realizuar është shfaqur një video. Treguam me video, u lejua. Dëshmitari, i vetmi që e ka kërkuar në komision këtë të drejtë, nuk u lejoka.

Albana Vokshi: Ta lexojë deklaratën.

Edona Bilali: Kam një kërkesë për këtë komision që të drejtën themelore, atë që ligji nuk e ndalon. Propozoj që të hedhim në votim

Albana Vokshi: Ju po e merrni në qafë!

Edona Bilali: Avokati i dëshmitarit ka disa herë që kërkon fjalën.

13:28, 12 Nëntor 2024

“Hidheni në votim”, Spahiu kërkesë Vokshit për prezantimin e Beqajt, i kthehet deputetja: Jo!

Ilir Beqaj: Nuk tërhiqem nga kërkesa.

Klodiana Spahiu: Ka edhe disa pajisje që kanë një funksion të caktuar. A jeni e sigurtë që dëshmitari nuk e ka drejtë të tij që ja lejon kushtetuta? Është në të drejtën e tij që të prezantojë dhe të paraqesë me fotografi me video dëshminë. Nëse nuk keni frikë nga e vërteta, këtë procedurë ta vazhdojmë, ashtu si e ka ligjin dëshmitari dhe anëtarët e këtij komisioni. Ju nuk e bëni dot pa ne komisionin.

Albana Vokshi: Nuk është më i mirë Ilir Beqaj se sa Ilir Rrapaj. Ilir për Ilir, të vazhdojë deklaratën. Më vjen keq tani!

Klodiana Spahiu: Keni 11 vjet që hetoni.

Albana Vokshi: Nuk i hetojmë ne, hetimin e ka organi i akuzës. Nuk kemi hetuar ne, kemi dashur të bëjmë kontroll.

Klodian Spahiu: 11 vjet që hetohet. Në gjithë këto vite, ka nevojë në një moment të caktuar dhe për këtë komision që të bëhet një ballafaqim. Kush është qëllimi i komisionit?

Albana Vokshi: Lexo ligjin. Nuk kemi ardhur për ballafaqim këtu moj zonjë. Po çfarë po thoni se po gaboheni? Ju po e lini në nivel akuzash. Nuk po e lini që të shpjegohet.

Klodiana Spahiu: Kërkoj të hidhet në votë kërkesa e dëshmitarit.

Albana Vokshi: Jo. Beqaj nuk po e kupton se Rama nuk po lejon të bëjë këtu deklaratën. Kjo nuk i vlen!

Klodiana Spahiu: Historia rrotullohet. Këtu do të jeni dhe ju. Hidheni në votim!

Albana Vokshi: Jo, jo.

13:16, 12 Nëntor 2024

Rifillon mbledhja pas ndërprerjes

13:10, 12 Nëntor 2024

Ndërpritet sërish mbledhja, 2 minuta pushim

Ilir Beqaj: Në gjykatë të lejojnë për të përdorur mjetet ilustrative.

Albana Vokshi: Këtu nuk jemi gjykatë dhe as prokurori. Këtu nuk keni akuzë, jeni dëshmitar për të ju përgjigjur pyetjeve. Ju rekomandoja që më mirë ta kapërceni këtë ngërç. Ne jemi këtu për të zbatuar ligjin. Për çfarë duhet të vendosë komisioni? Ju ftoj që të kalojmë tek pyetjet. Ka mundësi për të shpjeguar pyetje që do i ngremë unë dhe kolgetë e mi.

Elda Hoti: Nuk lejojmë që ky komision të jetë një show, është hetim parlamentar. Këtu deputetë pyesin dhe informojnë publikun se çfarë ka ndodhur.

Klodiana Spahiu: Të bëj një ftesë, të lutem shumë ky komision nuk mund të funksionojë po nuk është bipartizan.

Klodiana Spahiu-Xhelal Mziut: Të lutem mos më ndërhyj! E kam me ty personalisht! A ka mundësi të mos flasësh? E disata herë që edhe ofendon, edhe më ndërhyn.

13:00, 12 Nëntor 2024

Rifillon mbledhja e komisionit hetimor parlamentar

12:39, 12 Nëntor 2024

Pas debateve për dëshminë e Beqajt, ndërpritet mbledhja për 5 minuta

Albana Vokshi: Pse u hodhët kështu? Pse nuk bëtë kështu edhe për të tjerët?

Edona Bilali: Komisionin e keni thirrur ju. Ne kemi pranuar, jemi mazhorancë në komision. Listën e dëshmitarëve e kemi dakordësuar edhe ne. Z.Beqaj është i ftuar për të shpjeguar çfarë mendon ai.

Plarent Ndreca drejtuar Albana Vokshit: Diskursi juaj e ka helmuar dëshminë pa filluar, kërkoj 5 minuta pushim, e ke kthyer në të akuzuar. Ti po na vë në siklet të gjithëve, e ke kthyer këtë komision në komision akuzator. Diksursi juaj është shumë helmues i dëshmisë. Zonjë je duke akuzuar gjithë kohës një person që e ke thirrur për dëshmitar.

Albana Vokshi: E ka akuzuar SPAK!

Plarent Ndreca: Je duke e akuzuar. E ke thirrur për dëshmitar. I ke thënë që në mëngjes hajdut. Kërkoj 5 minuta pushim për ta vënë në shina këtë seancë.

*Kryetarja Albana Vokshi vendos 5 minuta pushim.

10:27, 12 Nëntor 2024

Debate në komisionin hetimor parlamentar për dëshminë e Ilir Beqajt

Ilir Beqaj

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është paraqitur me pranga në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.

Beqaj do të dëshmonte në Komisionin Hetimor Parlamentar për Koncesionet në Shëndetësi, por ajo u shty për të mërkurën.

Ish-ministri Beqaj u shoqërua nga efektivët e policisë në ambientet e Kryesisë së Kuvendit me pranga në duar.

Beqaj ka masë sigurimi arrest më burg për abuzim me fondet e BE-së, kur drejtonte SASPAC.

Ndërkohë, për koncesionin e sterilizimit që po hetohet nga SPAK dhe për të cilën do të pyetet sot në komisionin parlamentar, Ilir Beqaj ka masë sigurie detyrim paraqitje.


/tvklan.al