Me pranga në duar, biznesmeni i burgosur Ilir Rrapaj u shoqërua nga qelia për të dëshmuar në Komisionin Hetimor për Koncesionin e Sterilizimit.

Por Rrapajt, iu desh të priste më shumë se dy orë jashtë derës, derisa palët t’i jepnin fund debateve, pas refuzimit nga socialistët për të thirrur si dëshmitare edhe aksioneren e koncensionit të Check Up-it, Vilma Nushi.

Plarent Ndreca: Nuk kemi objekt veprimtarie aksionerët e aksionerëve të aksionerëve. Se ju keni fiksim një emër të caktuar.

Albana Vokshi: Janë aksionerë të kompanive të kompanisë. Vilma Nushi të vijë këtu. Nuk mbyllet ky komision pa ardhur njeriu kyç. Vetëm për Edi Ramën nuk ke rënë dakord.

Që në nisje të dëshmisë, Rrapaj mohoi të kishte njohje me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, të cilin tha se për herë të parë e kishte takuar në 22 Nëntor të 2013 në një aktivitet të zhvilluar nga qeveria dhe Kryeministri Rama në Pallatin e Koncerteve.

Por demokratja Vokshi tha se disponon dokumenat që sipas saj provojnë njohjet e Rrapajt me Beqajn dhe vartësin e këtij të fundit, Klodian Rrjepaj, të dy në qeli nën hetim.

Albana Vokshi: Keni udhëtuar disa herë bashkë, madje edhe makinën shtetërore të zv.ministrit, udhëtime jashtë vendit. Pse thatë që nuk i njihni?

Ilir Rrapaj: Kam qenë në funksion të udhëtimeve zyrtare. Rajoni i Umbrias është pjesë e këtij akordi kuadër, por edhe Universiteti i Peruxhas. Ministria e Shëndetësisë u tregua xhentile dhe na dha makinën për të shkuar në Kosovë. Pasi mbaruam punë në Tiranë, profesori italian iku në Prishtinë. Ishte një akt xhentilese nga ministria që i vuri në dispozicion profesorit një makinë. Në Prishtinë u bë një takim zyrtar.

Rrapaj mohoi gjithashtu të kishte njohje dhe të ishte takuar me Kryeministrin Rama.

“E njoh si gjithë shqiptarët përmes aktivitetit politik.”

Kompania “Sani Servis” fitoi koncesionin në vitin 2015 për një afat 10-vjeçar. Biznesmeni Ilir Rrapaj ndodhet në “arrest me burg” prej Gushtit ndërsa i arrestuar për këtë çështje është edhe ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj, ndërsa nën akuzë është edhe ish-ministri Ilir Beqaj.

Tv Klan