LIVE – Komisioni Hetimor për Koncensionet në Shëndetësi
“Turp t’ju vijë”, Ndreca i kundërpërgjigjet Vokshit: Ju paragjykoni komisionin
Albana Vokshi: Unë e kam nga burim i brendshëm. Ju sfidova, shkojmë dhe ta verifikojmë dhe në vende të tjera sepse na e kanë pranuar drejtorët. Ore ju mbroni vjedhjen dhe korrupsionin dhe hajdutërinë sepse mendoni që Rama do ju vërë deputetë. Kjo ka kosto në jetën e qytetarëve dhe për këtë mbajnë të gjithë që vihen në anën e gabuar dhe mbrojnë hajdutërinë, abuzimin. Duhet të ju vijë turp secilit prej jush, ju vazhdoni dhe i mbroni dhe guxoni ju e më thoni se këto nuk ekzistojnë. Ato pajisje që ju tregova janë edhe të ndryshkura edhe instrumente të vjetra para se të vinte Hirushja e kohës tuaj.
Plarent Ndreca: Ju e keni të paragjykuar këtë komision, ju nuk keni ardhur për të hetuar, por për të shtyrë axhendën tuaj politike.
Vokshi: Të paraqitet Edi Rama dhe Vilma Nushi në Komisionin Hetimor
Albana Vokshi: I mbetemi kërkesës që Edi Rama të paraqitet në komision. Kemi firmën e Ramës në VKM që ka kërkuar para se të nisnin procedurat e koncensioneve që përcakton qartë se cilat shërbime do të koncensionohen. Ka qenë Rama që ka qenë mbrojtësi i koncensionit të Check Up dhe propagandonte koncensionin e Check Up. Domosdoshmëri, paraqitja dhe dëshmia e njërës prej përfitueseve më të mëdha të koncensionit të Check Up, u hartua dhe u programua duke pasur parasysh që do i jepet sponsores së Edi Ramës. Vilma Nushi ka përfituar, dëshmia e saj është e domosdoshme për hetimin parlamentar. Janë edhe disa persona midis të cilëve, Artan Lleshi, Biba që janë punonjës të sterilizimit.
Nis punimet Komisioni Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi
Ilir Beqaj mbërrin me pranga në duar, do të dëshmojë sërish në komisionin hetimor parlamentar
Ilir Beqaj për herë të dytë në kuvend, pritet dëshmia në Komisionin Hetimor Parlamentar
Në pamundësi për t’i marrë dëshminë një ditë më parë ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, Komisioni Hetimor Parlamentar për Sterilizimin dhe Check-Up do të mblidhet sërish ditën e sotme.
Në kalendarin e punimeve të Kuvendit është përcaktuar ora 10:30 për mbledhjen e këtij komisioni, ku pritet të paraqitet përsëri ish-ministri Beqaj, i cili është thirrur si dëshmitar për rolin e tij si ministër Shëndetësie në kohën kur u firmosën dy kontratat koncesionare.
Të martën, mazhoranca dhe opozita u përfshinë në debate disa orëshe duke mos bërë të mundur dëshminë e Ilir Beqajt.
Debatet nisën pasi Beqaj kërkoi që të bënte fillimisht një prezantim të situatës së tij, duke përdorur “PowerPoint”.
Por opozita e refuzoi kategorikisht me argumentin se në ligj parashikohet një deklaratë e tij si dëshmitar dhe më pas seanca e pyetje-përgjigjeve, dhe jo prezantim me “PowerPoint”.
Nga ana tjetër, mazhoranca socialiste kërkoi nga kryetarja opozitare e komisionit, Albana Vokshi, që kërkesa e Beqajt të hidhej në votim. Por Vokshi nuk pranonte duke thënë se nuk mund të hedhë në votim një kërkesë të pabazuar në ligj.
Debatet mes palëve për këtë pikë zgjatën disa orë, duke bërë që mbledhja të përfundonte pa deklaratën apo dëshminë e Ilir Beqajt.
Ilir Beqaj u paraqit në komisionin parlamentar i prangosur dhe i shoqëruar me polici, për shkak se ka masë sigurimi arrest në burg për abuzim me fondet e BE kur drejtonte SASPAC. Ndërkohë që për sterilizimin në shëndetësi, që gjithashtu po hetohet nga Prokuroria e Posaçme, Beqaj ka masën detyrim paraqitje.
/tvklan.al