Raportim Live
10:49, 17 Tetor 2024

Vokshi i heq mikrofonin Koçit, i drejtohet Spiropali: Nuk është sjellje prej gruaje!

Tensionet vijojnë të shoqërojnë seancën e sotme plenare, pasi deputetët opozitarë të pranishëm kërkojnë futjen e kolegëve të tyre demokratë në Kuvend.

Në kohën kur deputeti socialist ka qenë duke mbajtur fjalën e tij kundër opozitës, deputetja e PD-së Albana Vokshi i ka larguar mikrofonin.

Më tej, kreyparlamentja Elisa Spiropali i ka kërkuar Vokshit që të largohet nga vendi i socialistit Koçi. Kjo është pasuar me disa replika mes deputeteve të Kuvendit.

Petro Koçi: Kjo nuk është mosbindje civile, kjo është përpjekje për luftë civile. Kjo nuk është luftë kundër korrupsionit, por për të mbrojtur 5 D e Sali Berishës. Kjo është një luftë për të mbrojtur korrupsionin, për të sulmuar drejtësinë dhe SPAK. Kjo është një luftë e duarve të pisëta të opozitës. Kjo është një luftë kundër integrimit evropian të Shqipërisë.

(Ndërhyn deputetja Albana Vokshi, i largon mikrofonin socialistit Koçi)

Elisa Spiropali: Zonja Vokshi mos ju afroni deputetit Koçi. Ju po dhunoni deputetin Koçi. Largohuni! Nuk keni të drejtë të dhunoni deputetët e Kuvendit! Largohuni prej aty! Vokshi largohuni nga aty, nuk keni të drejtë të dhunon deputetin e Kuvendit, largohuni!

Albana Vokshi – Elisa SpiropalitA je grua apo s’je?

Elisa Spiropali – Albana Vokshit: Uluni në vend zonja Vokshi! Vetëm sjellje prej gruaje nuk po bëni ju sot dhe nuk keni bërë ndonjëherë në Kuvendin e Shqipërisë!

10:56, 3 Tetor 2024

Përplasjet në Kuvend, Spiropali: Mirënjohje për punonjësit e Gardës së Republikës

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka shprehur mirënjohjen për punonjësit e Gardës së Republikës të cilët u përballën me tentativat e deputetëve të opozitës për tu futur në ambientet e Kuvendit. Spiropali ka theksuar se Garda nuk e meriton të trajtohet në atë formë.

Ndër të tjera Kryetarja e Kuvendit është shprehur se deputetët që nuk janë dënuar, duhet të jenë në sallë dhe se ata që i pengojnë kryejnë një akt shumë të rendë.

“Padiskutim që deputetët që nuk janë dënuar, duhet të jenë në sallë dhe ata që i pengojnë bëjnë një akt shumë të rëndë, jo vetëm ndaj tyre, por dhe ndaj Gardës së Republikës për të cilën kërkoj të gjithë mirënjohjen tonë dhe të publikut, që bënë një detyrë shumë të vështirë dhe përballet me shumë sulme, me shumë fyerje  të pamerituara. Të gjithë ata janë baballarë, të gjithë ata janë vëllezër, janë bij dhe nuk meritojnë të  trajtohen në atë formë”, shprehet Kryetarja e Kuvendit.

Ndërkohë seanca e ditës së sotme u zhvillua vetëm me praninë e mazhorancës dhe nisi në orën 10:00, siç ishte parashikuar. Fillimisht pati përplasje me deputetët e opozitës që tentuan të bllokojnë kolegët e tyre të mazhorancës për të mos hyrë as ata. Mirëpo socialistët përdorën dyer të tjera për t’u futur në sallën e seancave plenare.

10:51, 3 Tetor 2024

Bardhi për aksionin opozitar: Do të vazhdojmë si të na teket

Protesta e opozitës para dyerve të Kuvendit ka zgjatur rreth 2 orë. Në përfundim të saj, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka dhënë një prononcim për mediat ku ka thënë se aksioni opozitar “do të vazhdojë ashtu si të ju teket” deputetëve opozitarë. Gjatë fjalës së tij, Bardhi ka deklaruar se do të veprojnë në çdo godinë ku sipas tyre është fshehur krimi i organizuar.

Gazment Bardhi: Përjashtimi i 24 deputetëve të Shqipërisë me masën përkatëse nuk parashikohet në rrethanat që njeh rregullorja e Kuvendit. Edhe deputetët e dënuar, janë dënuar pa ligj, ky është regjim që nuk njeh ligj dhe kushtetutë. Kryetarja e Parlamentit hyn si mi në Parlament, mua nuk më duket jetë normale.

Ligjet mjafton të mblidhen tek vila e bollshme e Edi Ramës në Surrel dhe mund t’i miratojnë. Problemi është që ka rënë Parlamenti, kemi një regjim ku deputetët e Opozitës nuk lejohen të ushtrojnë funksionin e tyre. Nuk bën asgjë më shumë Putini. Rama sjellë deputetët të përplasen si delet, ndërsa vetë fshihet në Surrel dhe shijon luksin e krijuar me paratë e vjedhura të qytetarëve të varfër.

Pyetje: A do të vazhdoni me të njëjtën skemë të bojkotit dhe në komisione?

Gazment Bardhi: Ne do të vazhdojmë, si është ajo shprehja, si të na teket. Pra, rast pas rasti do të veprojmë në raport me këtë godinë, me atë të Kryeministrisë dhe me çdo godinë që është fshehur krimi i organizuar dhe qëllohet ndaj atyre që sulmojnë dhe luftojnë krimin e organizuar.

Pyetje: A do të ketë marrëveshje me Edi Ramën, ashtu si ka pasur për komisionet parlamentare?

Gazment BardhiNuk ka pasur asnjëherë marrëveshje me Ramën, kemi detyruar Ramën që të njohë ato të drejta dhe ato kushte që kishte vendosur opozita në kuadër të atij aksioni.

10:28, 3 Tetor 2024

Mbyllet protesta e opozitës para Kuvendit

10:20, 3 Tetor 2024

“Qelbësira!” Opozita nuk përmbahet ndaj Gardës: Deputetet e papërjashtuara s’lejohen në Kuvend

Tensionet vijojnë të jenë prezente mes deputetëve në dyert e Kuvendit të Shqipërisë. Deputetët e PD-së që janë të përjashtuar nuk lejohet që të futen në seancë plenare, ndërsa këta të fundit nuk ngurrojnë të përplasen herë pas here me Gardën.

I pranishëm jashtë Kuvendit është edhe kreu i grupit të PD-së Bardhi, i cili thotë se edhe deputetet e PD-së, Elda Hoti, Sorina Hoti dhe Greta Bardeli të cilat nuk kanë një masë disiplinore nuk lejohen që të hyjnë në seancë plenare.

Deputetët e PD-së nuk janë kursyer ndaj Gardës duke i quajtur me fjalë të tilla si “qelbësirë apo hora” të cilëve u kanë kërkuar që të mos i prekin me dorë.

Flamur Noka: Nuk i lejojnë sepse kanë frikë nga zëri i opozitës, kanë nxjerë disa banditë dhe nuk i lejojnë as deputetët që nuk kanë asnjë masë. Sulltan Surreli urren opozitën. Do ta marrë përgjigjen, do i jepet ditën e hënë dhe në vazhdim.

Gazment Bardhi: Greta Bardeli, Elda Hoti dhe Sorina Hoti janë nuk janë deputete të përjashtuara dhe nuk lejohen nga banda e Edi Ramës që të ushtrojnë detyrën e tyre si deputete sepse qëllimi është të ketë një Parlament monist që të mos shqetësohet nga opozita.

10:15, 3 Tetor 2024

“Ke djeg Shqipërinë!” Gazment Bardhi shpërthen ndaj Peleshit: Zjarrin ja keni vënë ju Kuvendit.

Deputetët e përjashtuar të opozitës nuk janë lejuar nga Garda që të futen në ambientet e Kuvendit dhe kjo ka sjellë tension mes tyre.

Tension ka pasur edhe mes Gazment Bardhit dhe kreut të grupit parlamentar socialist, Niko Peleshi të cilit demokrati i është drejtuar duke i thënë që zjarrin ja kanë vënë ato Kuvendit dhe jo opozita. Ndër të tjera deputeti demokrat Luan Baçi i drejtohet Peleshit se 24 deputetët nuk kanë bërë asgjë për tu përjashtuar nga punimet e Kuvendit.

Niko Peleshi: Nuk firmosëm ne firmosët ju me zjarrin.

Gazment Bardhi: Ti i pari, zjarrin ja keni vënë ju Kuvendit.

Luan Baçi: Si ka mundësi 24 deputetë i formosni me i lënë jashtë ju? Çfarë bëmë ne dje? Ju e keni bërë, je kryetar i grupit Parlamentar.

Niko Peleshi: Ore i dogje ti karriket nuk i dogji kryetari i grupit parlamentar. Ti edhe hakërehesh. Djeg karrigen dhe më hakërehesh mua.

Luan Baçi: Jo mor jo karrigën e dogje ti.

Gazment Bardhi: Ke djeg Shqipërinë!

Niko Peleshi: O Gaz nuk e ke skenar këtë. Kjo nuk është opozitë. Kjo është rruga juaj?

Gazment Bardhi: Po si i përgjigjesh krimit dhe bandës ti?

Niko Peleshi: Kështu i përgjigjesh ti, me kolegun tënd deputet.

Gazment Bardhi: S’kam gjë me kolegët deputetë, kam me ushtarët e krimit.

Niko Peleshi: Këtë e kemi parë 20 vjet këtë film, me zjarr me të djegur.

Gazment Bardhi: Hajdutërinë tuaj nuk e kemi parë 20 vjet as 30 as 50.

10:04, 3 Tetor 2024

Benzi i Elisa Spiropalit përdoret si karrem për opozitën, socialistët hyjnë në Kuvend nga dera sekrete (Video)

Në kushtet kur deputetët e opozitës kanë bllokuar dy dyert kryesore të Parlamentit për të mos lejuar ministrat dhe deputetët e mazhorancës të hyjnë brenda përsa kohë nuk lejohen dhe ata vetë, socialistët kanë përdorur një hile që revoltoi të djathtët.

Teksa opozitarët mbanin të bllokuara dyert, në oborrin e Kuvendit u fut makina e kryeparlamentares Elisa Spiropali e shoqëruar nga eskorta, siç e parashikon protokolli.

Deputetët e opozitës u mblodhën përreth makinës së Spiropalit për të mos e lejuar të dilte. Mirëpo, kryeparlamentarja nuk ndodhej aty.

Në situatën kur deputetët e opozitës përqëndruan vëmendjen tek makina e Spiropalit, një pjesë e deputetëve dhe ministrave të mazhorancës përdorën një derë të tretë sekrete të Parlamentit për t’u futur në sallë, duke kapur kështu në befasi kolegët  e tyre të opozitës.

Këta të fundit e kuptuan skenarin. Ishte vetë deputeti i PD Flamur Noka, i cili po qëndronte pranë makinës së Spiropalit, kur tha se kjo e fundit nuk ishte brenda automjetit.

9:58, 3 Tetor 2024

Noka shpërthen ndaj Peleshit dhe Hasanit: Hajdutë, vodhët Shqipërinë dhe qani për karriget tona!

Teksa Garda nuk i lejon deputetët e përjashtuar të opozitës të futen në ambientet e Kuvendit, Flamur Noka nuk është përmbajtur ndaj ministrit Igli Hasani dhe kreut të grupit parlamentar socialist, Niko Peleshi.

Teksa këta të fundit kanë tentuar që të hyjnë në Kuvend për të marrë pjesë në seancën plenare, Noka i ka shoqëruar gjatë rrugës duke ju drejtuar me fjalët “hajdutë që keni vjedhur Shqipërinë dhe qani për një karrige”.

Flamur Noka-Igli Hasanit: Jam unë përfaqësuesi, ti nuk ke punë! Ti përfaqëson hajdutët, nuk përfaqëson popullin. Ti përfaqëson narko-regjimin, ti përfaqëson hajdutët. Unë jam zgjedhur me votën e popullit, ti nuk je zgjedhur. Kur të marrësh votën hajde fol!

Noka-Peleshit: Jeni hajdutë, përfaqësoni hajdutët! Keni vjedhur Shqipërinë dhe qani një karrige. Ti përfaqëson narkosin, karrigen time kam djegur. Ti ke djegur paratë e shqiptarëve, ke djegur paratë, ku i keni çuar 50 miliardë Euro? Ku janë 50 miliardë Euro dhe qani me lot krokodili për një karrige që është e jona dhe e paguajmë ne! Hajdutë!

9:40, 3 Tetor 2024

“Mos prek me dorë”, tensionohet situata, deputetët e opozitës përplasen me gardistët

Deputetët e opozitës janë përplasur me punonjësit e Gardës në hyrjen anësore të Parlamentit. Situata u tensionua kur, siç duket në pamje, ka shkuar për të hyrë në Parlament ministri i Financave Petrit Malaj.

Punonjësi i Gardës që shoqëron ministri tentoi të hapte rrugën e bllokuar prej deputetëve të opozitës. Por në këtë moment, deputetët opozitarë u përplasën me të dhe punonjës të tjerë të Gardës.

 Shumica e deputetëve të opozitës nuk lejohen të hyjnë në Parlament për shkak se janë përjashtuar nga Këshilli i Etikës. Për pasojë, ata kanë bllokuar hyrjet e Kuvendit dhe nuk lejojnë të hyjnë brenda as ministrat dhe deputetët e mazhorancës.

9:38, 3 Tetor 2024

Deputetët e përjashtuar të opozitës të revoltuar: Do të hyjmë në Parlament, nuk kemi skenar!

Pavarësisht vendimit të Sekretariat të Etikës për t’i përjashtuar, deputetët e opozitës duken të bindur të qëndrojnë në dyert e Kuvendit derisa Garda t’i lejojë të hyjnë për të marrë pjesë në seancë plenare.

Në një prononcim për Klan News, deputetët e opozitës janë të revoltuar dhe thonë se nuk kanë skenar teksa shtojnë se duan të hyjnë në Parlament pasi sipas tyre nuk kanë bërë asgjë të gabuar për t’u përjashtuar nga punimet e Kuvendit.

Enkel Xhangoli: Si është skenari?

Bledion Nallbati: Ne do të hyjmë në Parlament.

Dashnor Sula: Ne nuk kemi skenar, ne do të hyjmë në Parlament, nuk kemi skenar. Çfarë kemi bërë njëherë?

Enkel Xhangoli: A do të përplaseni me Gardën?

Bledion Nallbati: Po çfarë pune kemi ne të përplasemi me Gardën? Garda ka për detyrë të hapë derën dhe të hyjmë brenda.

Asllan Dogjani: Skenarët i bën Edi Rama.

Bledion Nallbati: Ne do të rrijmë dhe këtu me Gardën bashkë me këta të tjerët që pretendojnë të hyjnë në Parlament.

Dashnor Sula: Ne na ka dënuar me nga 40 ditë, çfarë kemi bërë ne? E paligjshme totalisht, se merr urdhra Klodi Bushka, kjo ëhstë turp,.

Enkel Xhangoli: Aksioni do të vazhdojë?

Dashnor Sula: Ne do të hyjmë brenda. Përmbushim detyrat tona.

Saimir Korreshi: Ne kemi ankimuar në Byro, vendimi akoma nuk ka marrë formë të prerë.

Kujtojmë se 24 deputetë të opozitës janë përjashtuar për shkak të veprimeve të dhunshme dhe kaosit të shkakatuar në seancën plenare të ditës së hënë.

8:28, 3 Tetor 2024

Opozita nuk lejohet në Parlament, përplaset me Gardën dhe deputetët socialistë (Të gjitha zhvillimet)

Opozita jashtë parlamentit, përplasje me gardën

Kuvendi mblidhet ditën e sotme pa 24 deputetë të opozitës, të cilët janë përjashtuar për kaosin dhe veprimet e dhunshme të kryera gjatë seancës plenare të ditës së hënë.

Megjithatë, ata kanë thënë se nuk do të njohin asnjë vendim nga ana e Sekretariatit të Etikës teksa kanë shtuar se do të vazhdojnë me aksionin opozitar.

Kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi deklaroi se në seancën e sotme parlamentare, Partia Demokratike do të bëjë çdo gjë për të penguar zhvillimin normal të punimeve.

“Sa i takon seancës së nesërme, grupi parlamentar ka vendosur të bëjë gjithçka për të mos lejuar normalitet në seancën e nesërme. Strategjitë se çfarë do bëjmë do t’i mësoni aty, mos prisni detaje, pjesa dërrmuese e reagimeve tona janë spontante të diktuuara nga sjelljet e mazhorancës”, deklaroi Gazment Bardhi.

Gjithashtu edhe Flamur Noka u shpreh ditën e djeshme se nuk do të njohin asnjë vendim të Sekretariatit të Etikës.

Flamur NokaJu mendoni se deputetët e PD-së do të njohin vendimet e “narkos”? Ne jemi përfaqësues të popullit opozitar që nuk pranon çetën e hajdutëve dhe nuk pranon që Shqipëria të shpopullohet. Ne do të jemi aty. Nuk njohim asnjë vendim as të “narkos” dhe as të veglave të “narkos”!

Kujtojmë se për ata që ishin zjarrndezësit e karrigeve opozitare në oborrin e Kuvendit dhe që qëlluan në drejtim të Kryetares së Kuvendit me këmbët e karrigeve të dëmtuara, masa ishte më e ekstremja e dhënë ndonjëherë që prej ndryshimit të rregullores së Kuvendit. Flamur Noka, Gazmend Bardhi dhe Bledion Nallbati përjashtohen për 60 ditë nga punimet e Kuvendit.

Dënimin më të lehtë pas këqyrjes se pamjeve filmike nga kryetarja e këtij Sekretariati, Klotilda Bushka, e cila nuk ishte në seancën e ditës së hënë, iu dha Edi Palokës me 10 ditë, ndërsa 20 deputetët e tjerë të opozitës përfshirë dhe Monika Kryemadhin e PL dhe Vangjel Dulen e PBDNJ, u përjashtuan të gjithë për 40 ditë.

Vendimi i opozitës për të mosbindje dhe bojkot të jetës parlamentare ka ardhur pas dënimit me 1 vit burg të Ervin Salianjit në lidhje me çështjen “Babale”. Opozita nuk e pranon vendimin e gjykatës, të cilin e cilëson politik dhe të diktuar nga mazhoranca.


Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 30.9.2024. (Neni 44, pika 2, të Rregullores së Kuvendit)

2. Njoftime (Neni 44, pika 3, të Rregullores së Kuvendit)

3. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë mbi bashkëpunimin teknik 2022 për projektin “Programi për një zhvillim urban rezistent ndaj ndryshimeve klimatike në Shqipëri””. (Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, e 121, pika 1, të Kushtetutës, dhe neneve 55 dhe 73-77 të Rregullores, shumicë absolute votash për miratim)

Pyetje

Shprehet nismëtari

Shprehet Komisioni përgjegjës për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin.

Dhënie mendimi Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të

Drejtat e Njeriut.

Dhënie mendimi Komisioni për Politikën e Jashtme.

Dhënie mendimi Komisioni për Çështjet Europiane.

Diskutime

(Shprehen grupet parlamentare)

Koha e votimit

4. Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e përfaqesuesve të shoqërisë civile sipas ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, raundi i dytë. (Në mbështetje te nenit 147, pika 8 të Kushtetutës dhe nenit 35, pika 16 e ligjit nr. 115/2016 “për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, si dhe nenit 111 të Rregullores së Kuvendit).

5.Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e përfaqesuesve të shoqërisë civile sipas ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, raundi i dytë. (Në mbështetje te nenit 147, pika 8 të Kushtetutës dhe nenit 35, pika 16 e ligjit nr. 115/2016 “për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, si dhe nenit 111 të Rregullores së Kuvendit).


/tvklan.al