Komisariati Nr.1 i policisë ka dorëzuar pranë Strukturës së Posaçme kallëzim për 23 deputetë të opozitës që u përfshinë në seancën e djeshme në akte dhune dhe zjarrvënie.
Flamur Noka është i vetmi që akuzohet për dy vepra penale, “shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “goditjet për shkak të detyrës”, pasi ai dhe Gazment Bardhi hodhën në drejtim të kryetares së parlamentin sende të forta, mes të cilave dhe këmbët e një karrigeje.
Bardhi, në akuzën e policisë bëhet përgjegjës vetëm per goditje për shkak të detyrës, ndërsa për Bledion Nallbatin që së bashku me Nokën i hodhën benzinë dhe më pas iu vendosën zjarrin karrigeve në oborrin e Kuvendit akuza që rëndon është është “shkatërrimi i pronës me zjarr”.
20 deputetët e tjerë, përfshirë dhe aleatët Vangjel Dule e Monika Kryemadhi, akuzohen për “shkatërrim të pronës” pasi nxorrën ndenjëset e tyre në oborrin e parlamentit.
Por duket se opozitarët do t’i paguajnë nga xhepi i tyre kostot e aksionit që ndoqën në seancën e të hënës.
Kuvendi ka njoftuar se ka ngritur një grup pune për të bërë vleresimin e dëmeve dhe në përfundim deputetët e përfshirë në aktet e djeshme do të ngarkohen me përgjegjësi për dëmshpërblimin financiar.
“Karriget e djegura prej tyre nuk janë të tyret, po janë të popullit shqiptar dhe janë blerë e mirëmbahen ashtu si edhe të gjitha pajisjet e tjera, me taksat e shqiptarëve. Zëvendësimi i plotë i tyre dhe i çdo pajisjeje tjetër të dëmtuar do të bëhet ekskluzivisht me të ardhurat që do t’u mbahen nga paga deputetëve të përfshirë”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Ndërkohë, përveç ndalesave nga paga për shkak të kostove që do ju faturohen për dëmtimin dhe djegien e karrigeve, nga paga e tyre pritet të mbahen dhe ditët e përjashtimit për 24 prej deputetëve të opozitës.
Grupi parlamentar socialist ka kërkuar masa disiplinore për të gjithë kolegët që u përfshinë në aktet e të hënës dhe Sekretariati i Etikës do të mblidhet të mërkurën për të shqyrtuar propozimin.
Deputetët e kallëzuar:
Flamur Noka 53 vjeç
Gazment Bardhi 38 vjeç
Bledion Nallbati 39 vjeç
Dhurata Çupi 51 vjeçe
Flamur Hoxha 56 vjeç
Xhelal Mziu 57 vjeç
Lefter Gështenja 52 vjeç
Agron Gjekmarkaj 50 vjeç
Ina Zhupa 37 vjeç
Lindita Metaliaj 47 vjeçe
Dashnor Sula 59 vjeç
Luan Baçi 61 vjeç
Lodovik Hasani 57 vjeç
Asllan Dogjani 57 vjeç
Elidon Bushati 51 vjeç
Erisa Xhixho 39 vjeç
Sorina Koti 40 vjeçe
Sajmir Korreshi 43 vjeç
Edmond Spaho 66 vjeç
Kasem Mahmutaj 62 vjeç
Vangjel Dule 56 vjeç
Monika Kryemadhi 50 vjeçe
Isuf Çelaj 60 vjeç
Tv Klan