Protestuesit largohen nga Kuvendi/ Noka: Regjimi arriti kulmin, kërcënoi me armë deputetët
Mosbindja civile e deputetëve të opozitës në ambientet e jashtme të Parlamentit ka përfunduar pas rreth 3 orësh. Teksa demokratët u nisën për në selinë e PD-së, Flamur Noka ka thënë se regjimi sot ka arritur kulmin duke kërcënuar nën tytën e armës deputetët.
Flamur Noka: Siç e patë, sot regjimi arriti kulmin duke kërcënuar nën tytën e armës deputetët. Nuk kishte ndodhur kurrë që forcat speciale të policisë të futen në ambientet e Gardës dhe të kërcënojnë nën tytën e armëve deputetët e popullit. Këtu vdes demokracia, shteti i së drejtës dhe shteti ligjor, vetëm diktatura, vetëm juntat fusin në Parlament polici dhe forca të armatosura.
Gjatë fjalës së tij në një prononcim për mediat, Noka ka thënë se ata janë të vendosur në rrugën e tyre për të vijuar me mosbindjen civile teksa është shprehur se sipas tij, “narko-regjimi është në panik nga opozita”.
Flamur Noka: Stërnipi i Enver Hoxhës kërcënon opozitën nga foltorja, narko-banditët me uniformë policore, gati të bëjnë çdo gjë. Që nga rrethimi dhe dhuna ndaj deputeteve, që nga prania e Gardës dhe Policisë tregon një panik. Narko-regjimi në panik nga mosbindja civile e opozitës. Edhe kërcënimet që hidhen nga Elisa Spirogjoka, nuk mund të tregojnë asgjë tjetër veçse panik dhe panik. Asgjë nuk i shpëton nga vullneti i opozitarëve. Shqiptarët kërkojnë qeveri teknike. Sot nuk kanë kaluar 24 orë nga dita kur kreu i narkos ju tha shqiptarëve se do çelë kapitujt e negociatave, i çeli nën tytën e armëve duke kërcënuar deputetët. Jemi të vendosur në rrugën tonë, asgjë nuk na ndal. Ne do të vazhdojmë në rrugëtimin tonë.
Momenti kur polici i tregon armën deputetit të PD-së
Ky është momenti kur një prej efektivëve të ndërhyrjes së shpejtë i tregoi armën deputetit të Partisë Demokratike, Luan Baçi, në perimetrin e oborrit të Parlamentit gjatë protestës së opozitës.
Ky episod ka shkaktuar tensione dhe ka ngjallur reagimin e ashpër të deputetëve të opozitës, të cilët iu kundërvunë fizikisht të njëjtit efektiv që preku armën.
Duket se pikërisht kapja e pistoletës me duar nga një efektiv i forcave speciale ndërsa debatonte me deputetin Luan Baçi, ka detyruar drejtuesit e policisë të largojë nga oborri i Kuvendit punonjësit e FNSH.
Flamur Noka dhe Bledion Nallbati u konfrontuan fizikisht me efektivin pasi ky i fundit preku armën për t’ja drejtuar deputetit Baçi.
Gazment Bardhi dhe Flamur Noka e dënuan këtë ngjarje, duke thënë se forcat speciale i drejtuan armën deputetit dhe se ata nuk lejohen në perimetrin e brendshëm të Kuvendit pasi sigurinë në atë zonë e garanton Garda e Republikës.
Pas këtij incidenti, ka ndërhyrë kreu i Gardës për të qetësuar situatën, teksa ka kërkuar largimin nga oborri i Parlamentit të forcave të ndërhyrjes së shpejtë dhe vendosjen e tyre në pjesën e jashtme të perimetrit.
I paqartë mbetet momenti përse efektivët e ndërhyrjes së shpejtë u lejuan nga gardistët që të futeshin në pjesën e brendshme të oborrit të Kuvendit, ku sigurinë në këtë perimetër e garanton Garda.
“I kanë drejtuar armën dhe qëlluan deputetët”, Noka dhe Bardhi për punonjësit e Policisë
Deputetët e opozitës janë përplasur me forcat e Policisë, të cilët kanë mbërritur në ambientet e jashtme të Kuvendit pas tensionimit të situatës me zhvendosjen e protestës nga Bashkia e Tiranës.
Në një prononcim për mediat, deputetët demokratë Bardhi dhe Noka janë shprehur është e paprecedentë që forcat policore të ndërhyjnë ndaj deputetëve.
Gjatë fjalës së tij, kreu i grupit demokrat, Bardhi thotë se punonjësit e policisë i kanë drejtuar armën deputetëve të Shqipërisë teksa shton se i kanë qëlluar ata në vendin e punës.
Gazment Bardhi: Kanë hyrë në ambientet e Kuvendit dhe kanë rrethuar deputetët e Kuvendit. I kanë drejtuar armën deputetëve të Shqipërisë, i kanë qëlluar ata në vendin e punës. Nuk ka ndodhur që në ambientet e Kuvendit të hyjnë forcat e policisë për të dhunuar deputetët. Fytyra e vërtetë e një krimineli, ushtari të bandave të Durrësit dhe mendojnë se do të trembin me forca speciale deputetët e Kuvendit.
Flamur Noka: I them nipit të Enver Hoxhës ti mund të rrish ministër aty, por do të tërheqësh zvarrë nëse sulmoni deputetët e opozitës. E paprecedentë që të ndërhyjnë forcat speciale ndaj deputetëve. Për të mbrojtur narkosin, një regjim që po shkatërron Shqipërinë. Nuk mbron veten as narkosi dhe as Elisa Spirogjoka, populli do ju bëjë gjyqin. Kjo që po shikoni janë hapa të mosbindjes civile.
Flamur Noka përplaset fizikisht me efektivin e policisë, sherr me grushte
Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka është përfshirë në sherr fizik me një punonjës policie në ambientet e oborrit të Parlamentit. Situata u tensionua kur protestuesit që ndodheshin para Bashkisë së Tiranës të udhëhequr nga Klevis Balliu, shkuan përpara Parlamentit ku u përplasën me policinë.
Tensionet u rritën gjatë shtyrjeve nga protestuesit, ndërsa nga ana tjetër policia kundërsulmoi.
Kjo shkaktoi reagimin e ashpër të Flamur Nokës dhe deputetëve të tjerë të PD-së që në oborrin e Kuvendit u futën forcat speciale të policisë. Noka goditi fizikisht njërin prej efektivëve që ishte me skafandër.
Protestuesit e Bashkisë shkojnë në Parlament, deputetët e PD përplasen me policinë
Protestuesit e opozitës që ishin mbledhur para Bashkisë së Tiranës janë zhvendosur përpara Parlamentit, ku janë përplasur me policinë.
Protestuesit që ishin te Bashkia Tiranë po udhëhiqen nga funksionari i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, duke kërkuar që të hyjnë në oborrin e Kuvendit.
Ndërkohë, në pjesën e brendshme të oborrit të Parlamentit ndodhen deputetët e PD-së dhe opozitës që janë të përjashtuar nga seanca plenare.
Policia ka krijuar një perimetër sigurie duke mos lejuar protestuesit që të hyjnë në oborrin e Kuvendit.
Përpara se të grumbulloheshin jashtë Parlamentit, protestuesit ndodheshin para Bashkisë së Tiranës fillimisht në protestën e tyre të radhës, duke djegur goma.
/tvklan.al