Raportim Live
11:48, 15 Tetor 2024

Konferenca e plotë Rama-Péter Szijjártó-Varhelyi

11:39, 15 Tetor 2024

“Historia s’mund të pengojë të ardhmen”, Rama: Bllokimi që ju bë Shkupit, në dëm të gjithë rajonit

Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët me ministrin e Jashtëm hungarez dhe komisionarin Varhelyi komentoi bllokimin e Maqedonisë së Veriut për të nisur hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Rama ndër të tjera theksoi se pengesa që ju bë Shkupit në këtë proces është padyshim në dëm të gjithë rajonin. Kryeministri tha se historia nuk mund të pengojë të ardhmen dhe anëtarësimin në BE, ku sqaroi se kjo nuk është një sulm ndaj miqve bullgarë, por një fakt.

Edi Rama: Miku im jeni i njohur me këtë rajon fqinjësie dhe e dini që Shqipëria është bërë bashkë me të tjerë me detyrim për shumë herë. Në të gjithë këto çiftime kuptuam se nuk duam të bëheshim çift me detyrim, por të gjenim lumturinë tonë në të vetmin çift Shqipëri-BE. E gjetëm veten tonë të bashkuar me RMV. Më lini të them që nuk ishte aq keq sepse mundëm të ndanim situatata tona të zymta. Dukeshim pak si Vladimiri dhe Estragoni, në pritje të Godosë dhe Brukseli në atë kohë dukej fiks si imitim i Samuel Beckett.

Më duhet të them që ndihemi vërtet të trishtë, e them me sinqeritet, që vëllezërit tanë të Maqedonisë së Veriut, ende nuk kanë qenë në gjendje të hyjnë në këtë fazë të procesit, pasi kanë qenë ndër të parët që e kanë nisur këtë proces. Ndaj kur flas për poshtërimet tona, tri herë njëra pas tjetrës na u refuzuan fillimi i negociatave  ndihem njëfarë soj në siklet sepse ajo ndryshoj madje edhe emrin që të mund ta niste këtë gjë. I qëndroj gjithçkajë që kam thënë për miqt tanë bullgarë sepse historia nuk duhet të jetë arsye për të ndaluar bisedimet e anëtarësimit të një vendi. Janë tema shumë interesante për historianët, por nuk mendoj që janë pjesë e gjithçkaje që na lidh për tu bërë pjesë e BE. Nuk është sulm ndaj miqve tanë bullgarë thjesht po themi diçka të dukshme. Për ne dhe për mua arritja e Bashkimit Europian është ta mësosh ta shohësh rrugën me sytë e së ardhmes.

Dje në Procesin e Berlinit të gjithë deklaruan që vendosja e niveleve dypalëshe e procesit të anëtarësimit në BE është diçka e sëmurë, sepse nëse e vendos këtë proces në baza dyplaëshe vetëm sa i bën dëm një vendi, vetëm sa i bën dëm asaj që është një familje vlerash e parimesh. Të parandalosh Maqedoninë e Veriut që ta bënte këtë ishte t’i bëjë një dëm shumë të madh një kombi, populli dhe rajonit tonë. Vazhdoj t’i qëndroj kësaj dhe mund t’i them kujdo që kjo nuk është një konfrontim është një fakt. Unë e dua Aleksandrin e Madh, por nuk dua t’ja di ku ka lindur dhe nuk po pretendoj të marr pjesën time si shqiptarë nga gjenet e tij.

11:36, 15 Tetor 2024

Ministri i Jashtëm i Hungarisë: Shqipëria e ka merituar të nisë bisedimet thelbësore prej një kohe të gjatë

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Zijarto në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama dhe me Komisionin e BE-së, Varhelyi është shprehur se Shqipëria e ka merituar të nisë bisedimet thelbësore prej një kohe të gjatë.

I pyetur rreth ndarjes së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt integrimit në BE, Zijarto u shpreh se dihet se kush janë pengesat në këtë gjë, duke premtuar që do të vazhdojë mbështetja për të dy vendet, që procesi i anëtarësimit të jetë sa më i shpejtë.

Peter Zijarto: Dua të theksoj se Shqipëria e ka merituar të nisë bisedimet thelbësore prej një kohe të gjatë dhe unë besoj që edhe RMV do të meritonte po kështu të niste bisedimet e mirëfillta thelbësore. Ne e dimë se cilat janë pengesat dhe ajo që mund t’ju premtoj është se do të vazhdojmë të mbështesim të dyja vendet që këto vende të kalojnë procesin e anëtarësimit sa më shpejtë të jetë e mundur.

Ndërkohë Komisioneri i BE-së Oliver Varhelyi u shpreh se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë nisur Konferencën e Parë Ndërqeveritare në sfera dhe në mënyra të ndryshme në 2022.

Oliver Varhelyi: Më duket se kjo është e vetmja pyetje që jeni të interesuar dhe pse nuk ka të bëjë me Konferencën Ndërqeveritare të Shqipërisë. Më lini t’ju korrigjoj në përgjigje sepse në qoftë se të dyja vendet ishin bashkë në njëfarë mënyrë politikisht duke nisur të dyja vendet e kanë nisur Konferencën e Parë Ndërqeveritare në mënyra dhe në sfera të ndryshme në 2022. Nuk është e re që Shqipëria po ecën vetëm sepse është një proces i bazuar në meritë dhe kjo vlen edhe për Maedoninë e Veriut. Bashkim do të thoshte që ne të komprometojmë apo lejojmë që të komprometohen parimet e meritës dhe kjo është një nga gurthemelet e kritereve të Kopenhagës.

11:35, 15 Tetor 2024

Plani i Rritjes/ Varhelyi: Ballkani Perëndimor do marrë 90% të ndihmës që kanë vendet e BE për frymë

Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, është shprehur se Plani i ri i Rritjes ofron investime shtesë për të gjitha fushat për zhvillimin e reformave për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Por që ky plan të funksionojë, Komisioneri Varhelyi thekson se duhet një axhendë reformash nga shtetet kandidate të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim.

Më tej, Varhelyi shton se do të ofrohen 6 miliardë Euro për vendet e Ballkanit Perëndimor, për të cilat thotë se do të marrin 90% të ndihmës që shtetet anëtare të BE-së marrin për frymë.

Oliver Varhelyi: Plani i Rritjes funksionon në 2 mënyra, ofron investime shtesë në të gjitha fushat ku na duhen të gjitha reformat për t’u bërë anëtar i BE-së. 6 miliardë Euro për këtë plan. Që të funksionojë, na duhet që prej vendeve kandidate të marrim. Pra, na duhet të kemi një axhendë reformash për secilën prej vendeve të BP. Skicë se çfarë ata do të bëjmë deri në fund të 2027-ës, do të realizojë të njëjtin efekt, rezultat si një program me një cikël normal. Axhenda e reformave do të jetë kyçe. Pagesat e para të lëvrohen brenda këtij muaji. Koha në fakt po ecën që vendet të vazhdojnë reformat që të lëvrojmë dhe pagesat e mëtejshme. Ky plan që mobilizon një plan do të sigurojë, do të kemi intensitet ndihme që përkon me kuadrin e kohezionit të shteteve anëtare. Që do të thotë, 90% të ndihmës që marrin ata për frymë, do ta marrë edhe Ballkani Perëndimor. Kjo nënkupton se pas kësaj, nuk do të ketë asnjë justifikim post të qenurit gati për të qenë anëtar të BE-së. Me Planin e Rritjes do të përshpejtojmë reformat për t’u bërë anëtar.

Kryeministri Rama e quan Planin e Rritjes jo vetëm si instrument financiar, por edhe si pjesë e integrimit në tregun e përbashkët europian.

Edi Rama: Kur hyra në këtë korridor 1 dekadë më parë, ju betohem, flokët e mi kishin shumë më tepër ngjyra. 10 vjet kanë qenë një rrugë e gjatë. Plani i ri i Rritjes nuk është thjesht një instrument financiar, por ka të bëjë me integrimin në tregun e përbashkët europian. Vetëm të qenurit pjesë e hapësirës së përbashkët të pagesave për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë, nënkuptojnë dhjetra milionë Euro të kursyera nga transfertat monetare. Mënyra se si e kemi pritur ne, me shumë inkurajim. 5 vjet më parë, dukeshin të pamundura, sot realitet. 3 herë u poshtëruam. Dinamikat pas dyerve të mbyllura, ishin të tilla që 3 herë ne u poshtëruam. Ajo që nuk të vret, të bën më të fortë. Rruga para është e gjatë, zakonet e vjetra nuk ikin kollaj, rruga mund të shndërrohet me pengesa, por për ne nuk ka të ardhme tjetër. Kur shqiptarët bien në dashuri, nuk i ndan askush.

11:35, 15 Tetor 2024

Ministri i Jashtëm hungarez: Shqipëria mund të hapë një tjetër grup-kapitull me BE në fund të vitit

Presidenca Hungareze e Bashkimit Europian duket se ka si synim që të përshpejtojë anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor, e veçanërisht të Shqipërisë, që sot mbajti Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me BE-në për hapjen e grup-kapitullit të quajtur “Themelore”.

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, që sot drejtoi Konferencën e Dytë Ndërqeveritare, tha se nëse puna ecën siç duhet, në fund të vitit Shqipëria mund të hapë një tjetër grup-kapitull.

“Çështjen e përshpejtimit me Ballkanin Perëndimor e kemi vënë në krye të saj dhe kemi disa plane mjaft konkrete. Njëri prej tyre u realizua sot. Ishte një plan dhe objektiv shumë i qartë i yni për të nisur negociatat e mirëfillta me Shqipërinë. Në qoftë se gjithësecili bën punën e vetë në mënyrë të drejtë, në mënyrën e duhur, atëherë përpara fundit të vitit një tjetër grup-kapitujsh mund të hapet me Shqipërinë, që është 6-ta dhe që ka të bëjë me marrëdhëniet me jashtë, që është e qartë që praktikisht, pragmatikisht po ta shikosh këtë çështje, Shqipëria është gati. Ndaj shpresoj që të gjitha detyrat burokratike të shtëpisë do të bëhen këtu në Bruksel dhe pastaj do të mund të ulemi për një tjetër Konferencë Ndërqeveritare përpara mbylljes së mandatit të kësaj presidence”, theksoi ministri i Jashtëm i Hungarisë.

11:33, 15 Tetor 2024

“Në Shqipëri po ndërtohet Europa”, Kryeministri Rama: Brenda dekadës të jemi gati për në BE

Kryeministri Edi Rama e vlerëson ambicioz planin që Shqipëria të jetë gati për anëtarësim në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.

Në fjalën e tij pas Konferencës së Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, Rama tha se Shqipëria duhet të jetë gati për anëtarësim në BE brenda dekadës.

“Është synimi ynë ta përmbyllim këtë proces brenda kësaj dekade dhe të jemi gati të trokasim në dyert e Këshillit Europian si shtet anëtar. Kjo sigurisht është shumë ambicioze, do kërkojë volum të jashtëzakonshëm pune. Kemi punuar shumë pranë me Komisionin dhe kemi hartuar së bashku një udhërrëfyes. Kemi një plan dhe po kështu mbështetemi te miqtë dhe partnerët tanë për të na ndihmuar ta arrijmë këtë gjë. Kemi nevojë për dije, kemi nevojë për mbështetjen e trurit. Jam besimplotë që përsa na takon ne, do të përmbushim të gjitha standardet apo piketat e ndërmjetme, një koncept që hyri sot në jetën time”.

Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje një deklaratë të eurokomisionerit Varhelyi, që në “Shqipëri ka nisur të ndërtohet Europa”. E sipas Ramës, kjo është ajo çka qeveria e drejtuar prej tij kërkon të arrijë deri në vitin 2030.

“Çfarë është e rëndësishme për ne është ta bëjmë Shqipërinë një vend anëtar për mënryën se si funksionon dhe kjo është gjëja më e rëndësishme sepse nuk duam që Shqipëria të largohet, të marrë çantat dhe të vijë në Bruksel. Duam që BE të vijë në Shqipëri. Varhelyi tha “në Shqipëri kemi nisur të ndërtojmë Europën, dhe është pikërisht ajo që duam të përfundojmë”.

11:32, 15 Tetor 2024

Marrëveshja me Italinë/ Rama: U kemi thënë ‘jo’ shteteve të tjera që na e kanë kërkuar

Kryeministri i vendit, Edi Rama thotë se shtete të tjera kanë kërkuar që të bëjnë një marrëveshje të ngjashme me Shqipërinë ashtu si modeli me Italinë. Gjatë një konference për shtyp me Komisionin e BE-së Varhelyi dhe Ministrin e Hungarisë, Szijjarto, Kryeministri Rama shprehet se Shqipëria ka refuzuar kërkesën e këtyre shteteve për një marrëveshje për emigrantët.

Pyetje: Marrëveshja me Italinë ka frymëzuar vendet e tjera të BE-së, a ju është ofruar ndonjë vend tjetër për një gjë të tillë?

Edi Rama: E kam shpjeguar gjatë për gazetarë të panumërt në Berlin dje përsa i përket arsyes pse Shqipëria e kë bërë këtë marrëveshje. Pikë së pari, na është kërkuar nga të tjerë dhe kemi thënë jo. Të gjithë duhet të kuptojnë se marrëdhënia jonë me Italinë është mjaft e veçantë dhe shkon pas mijëra vjet dhe shkon pas në kohë me shumë volume ndërveprimi më shumë se 30 viteve të fundit qëkur dolëm nga gropa e ferrit e regjimit më komunist në Evropë kur u larguan me qindra-mijëra nga brigjet tona dhe Italia hapi krahët për ne dhe erdhi të na shpëtonte nga një katrahurë pas rënis së skemave piramidale dhe duke ardhur tek ditët e tërmetit si fillesë e rindërtimit tonë të kësaj marrëdhënie kur Italia erdhi për të shpëtuar jetët e shqiptarëve në rrënoja. Nëse kjo për Italinë ka qenë punë e pistët, atëherë na duhet të reciprokojmë.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama shprehet se Bashkimi Europian nuk do të ketë kurrë një shtet më besnik se Shqipëria.

Edi Rama: Ne nuk jemi vend i BE-së, ne jemi vend evropian dhe kjo nuk është një certifikatë që ne kemi marrë. Gjeografia jonë flet shumë për atë që kemi bërë me Italinë. Nëse ka ndonjë gjë për t’u përpunuar dhe zhvilluar duhet të jetë në modelet e epërme të BE-së. Ne jemi shumë të prirur që të bëjmë çdo gjë që është e nevojshme për të qenë shtet krenar i BE-së. Edhe pse jam nga më të gjatët nga kryeministrat, kjo nuk më shpërqëndron nga fakti se përfaqësoj një nga vendet më të vogla. Kur hyn në familje të mëdha nuk mund të zgjedhësh vetëm ëmbëlsirat, shpeshherë duhet të marrësh gjëra të tjera në menu, por duhet ta bësh. BE nuk do të ketë kurrë një shtet më besnik se Shqipëria.

11:30, 15 Tetor 2024

Luksemburg – Deklaratat e Kryeministrit Edi Rama, ministrit të Jashtëm të Hungarisë, si dhe Komisionerit të BE për Zgjerimin, Olivér Várhelyi

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë Péter Szijjártó:  Mirëmëngjesi të gjithëve ju! Momentet që kemi përjetuar gjatë kësaj një orë e gjysmë të fundit kane qenë historike, sigurisht duke pasur parasysh faktin se kemi çelur grupin e parë të kapitujve me  Shqipërinë, që do të thotë, duke folur në mënyrë substanciale, bisedimet e anëtarësimit kanë nisur për t’u siguruar që Shqipëria të bëhet anëtare e BE sa më shpejt të jetë e mundur.

Çështja e përshpejtimit të zgjerimit të BE drejt rajonit të Ballkanit Perëndimor ka qenë në krye të rendit të ditës së presidencës hungareze. E kuptojmë që BE po humbet konkurrueshmëri, po humbet peshën e tij kur vjen fjala për politiken globale dhe ekonominë botërore. Kësisoj kuptojmë që BE ka nevojë për freski, për energji të re, për një stimul të ri. Duke qene fqinj të drejtpërdrejtë me rajonin perëndimor, duke njohur mirë rajonin, e dimë që kjo freski, kjo energji e re për të cilën kemi nevojë do të vijë absolutisht nga hapësira e Ballkanit Perëndimor. Për rrjedhojë është në interesin e mirëfilltë europian që zgjerimi i  BE  drejt Ballkanit Perëndimor të përshpejtohet.

Nga ana tjetër, na duhet të ndërmarrim hapa urgjente për të ruajtur besueshmërinë e politikës së zgjerimit. E konsiderojmë politikën e zgjerimit si një prej më të rëndësishmëve të BE dhe na duhet të kuptojmë që kjo politikë ka humbur besueshmëri gjatë kohëve të fundit, duke parasysh faktin se koha mesatare e pritjes së vendeve kandidatë në Ballkanin perëndimor ka tejkaluar tashmë 15 vjet.

Kjo është thjeshtë e papërshtatshme. Na duhet të përshpejtojmë procedurën e zgjerimit tani.

Nga ana tjetër, shumica e shteteve anëtare zakonisht shprehen se zgjerimi duhet të jetë një proces mbështetur në merita. “Mbështetur në merita”, – këtë dëgjojmë si shprehje shume shpesh dhe meritat janë qartësisht nëqoftëse do të shihnim arritjet e Shqipërisë gjatë viteve të fundit, qofshin në ekonomi, në politikë, në çështje sociale është e dukshme që meritat janë të pranishme. Ne hungarezët mund të mbështetemi tek përvoja jonë dypalëshe, shpresoj të mos jetë e ndaluar këtu.

Investuesit hungarezë luajnë rol të rëndësishëm për modernizimin e ekonomisë shqiptare dhe të gjithë ata priren të raportojnë që rrethana dhe mjedisi që përjetojnë në Shqipëri janë absolutisht të kënaqshme, absolutisht të bazuara në treg dhe në konkurrencë.

Nga ana tjetër, kur vjen fjala për fusha të tjera, është e qartë që Shqipëria ka ecur shumë mirë, kur vjen fjala për kushtet që ka vendosur BE që të ketë mundësi të çelë kapitujt e negociatave.

Për rrjedhojë është një nder dhe privilegj i madh për ne që nisja e negociatave të vërteta thelbësore me Shqipërinë për anëtarësim nisën gjatë presidencës hungareze. Madje mund të them që ky po shndërrohet në zakon, nga ana jonë sepse 14 vjet e gjysmë më parë, ishim po në këtë pozicion dhe ishte hera e fundit kur përgatitjet e një vendi kandidat përfunduan, në atë kohë ishte Kroacia.

Dhe shpresoj që duke i dhënë fjalën kryeministrit për komentet përmbyllëse, shpresoj që të mos presim deri në presidencën tjetër hungareze për të patur një anëtarësim tjetër.

Duke folur në mënyrë më burokratike, sot folëm për grup kapitujt e ashtuquajtur “Themelorët”. Janë 6 grup kapituj, të cilët duhet të negociohen tej e tej.

E dimë sepse nuk ka kaluar shumë kohë që kur jemi bërë anëtarë të BE, e dimë që procesi i bisedimeve, procesi përgatitor është vërtetë i vështirë, kompleks, i fortë dhe e dimë që përvoja ka rëndësi këtu, kështu që kur kryeministri na nderoi me vizitën e tij të premten e kaluar në Budapest, ramë dakord që Akademia diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Hungari do të ofrojë trajnim për 50 pjesëtarë të administratës publike shqiptare, në mënyrë që ata të mund të kontribuojnë në procedurat e anëtarësimit dhe përgatitjet në përgjithësi.

E fundit në radhë, por jo nga rëndësia, më duhet të them që ne jemi të vendosur drejtpërdrejtë si fqinj të Ballkanit perëndimor dhe zhvillojmë një politikë mjaft të përgjegjshme të fqinjësisë sepse dimë sesi ndihesh në fqinjësi kur ka paqe, qetësi, zhvillim dhe stabilitet në zonën e Ballkanit perëndimor dhe kur përjeton mungesën e  gjithë kësaj. Ne e dimë që procesi i integrimit mund të ndihmojë për ta bërë Ballkanin perëndimor më të zhvilluar, me më stabilitet dhe më të sigurte. Për rrjedhojë Hungaria është e përkushtuar të shoqërojë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt BE. Ne do të bëjmë më të mirën në këtë drejtim.

Do doja të falënderoja kryeministrin që nuk humbi durimin gjatë muajve dhe viteve të fundit për të vazhduar dedikimin e përkushtimin e tij dhe mund t’ju premtoj që do të përgjigjemi reciprokisht këtij dedikimi dhe këtij durimi.

Nga ana tjetër, dua të njoh meritat e Komisionerit për zgjerimin, jo për shkak të shtetësisë së tij, por për atë çka ka bërë gjatë 5 vitet e fundit. Mendoj që për punën  e tij flet më shumë letra e nënshkruar nga 4 udhëheqës të BE, përfshirë Kryeministrin, dërguar presidentes se Komisionit ku theksoheshin arritjet që ishin përftuar gjatë mandatit të Komisionerit. Të dy, faleminderit kryeministër, faleminderit komisioner që më nderuat për të qenë pjesë e këtij momenti historik.

Faleminderit! 


Kryeministri Edi Rama: Mirëmëngjesi edhe një herë të gjithëve! Jam vërtetë i lumtur që gjendem këtu me ministrin Szijjártó, ne cilësinë e tij si kryesues i mbledhjes së dytë të konferencës ndërqeveritare me Shqipërinë dhe me komisinerin Várhelyi, në vijim të një seance emocionale do të thoja dhe të suksesshme të konferencës që e sjell Shqipërinë që ndihesh mjaft mirë dhe mjaft i sigurte.

Kështu që, faleminderit presidencës hungareze që ka luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në këtë proces, duke nxitur përpara dhe gjithashtu faleminderit Komisionerit Várhelyi dhe ekipit të tij që na ka ndihmuar e na ka mbështetur përgjatë gjithë rrugës për 5 vite të gjata sfiduese dhe jo fort të lehta për ta thënë butë dhe faleminderit gjithë shteteve anëtare, falë tyre qëndroj këtu përpara këtij hapi mjaft domethënës, drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe është me të drejtë një ditë historike, me domethënie historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, por në këndvështrimin tim dhe për BE. Nuk na duhet, së paku shpresoj jo, një kujtesë e rëndësisë për të qëndruar e për të punuar së bashku të lidhur nga parime dhe vlera që përkufizon BE. 

Kjo është veçanërisht e vërtetë në këto kohëra sfiduese kur një mori krizash na janë qasur me nevojën për t’u bërë më pranë e për të qëndruar të gjithë së bashku dhe nevojën e mirëfilltë për t’u përballur me veten dhe për të kuptuar mënyrën për të ecur përpara.

Për fat të keq dhe këtë nuk e shmang dot pa e thënë, kjo ishte me ndihmën e Vladimir Vladimirovich Putin që ky proces mori një shpejtësi të re pas agresionit të tij në Ukrainë që shërbeu si një zile zgjimi që i kujtoi Europës se iluzioni i vetëmjaftueshmërisë është vetëm kaq, një iluzion dhe të qartësojë në mënyrën më të vështirë se keni nevojë për Ballkanin Perëndimor, po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në.

Kështu çelja e grup kapitullit themelor sot me 5 kapitujt kryesor plus tri kriteret përbën një arritje të madhe dhe besoj për të dy palët, qoftë për Shqipërinë, ashtu edhe BE-në dhe shënjon një gur themeli historik në rrugëtimin e përbashkët drejt ribashkimit tërësor europian.

Dje isha në Berlin për procesin e Berlinit dhe një gazetar më pyeti nëse Shqipëria ka një plan B, në rast se BE-ja edhe njëherë vonon apo ndërlikon procesin, ashtu siç sinqerisht ka bërë në të shkuarën. Dhe po, për fat të keq është e vërtet që herë – herë, BE-ja mund të jetë e padrejtë dhe është treguar e padrejtë ndaj vendeve kandidate, u tregua e padrejtë ndaj nesh ku hodhi poshtë vet rekomandimet e Komisionit të vet mbështetur në fakte e në atë çfarë e bën Komisionin Europian raport hartuesin më të besueshëm për të nisur bisedimet me Shqipërinë më shumë se njëherë.

Megjithatë, ne shqiptarët nuk mund të kemi një plan B kur vjen fjala për liri individuale, sundimin e ligjit dhe demokracinë funksionale. Historia na ka mësuar në mënyrë më të vështirë se kjo nuk të gjendet, madje të garantohet jashtë sferës së BE-së. Këto janë A, B dhe C e mënyrës së jetës europiane.

Zgjedhja e një alternative ndaj anëtarësimit të plotë në BE, do të ishte të hiqje dorë nga mënyra e jetesës  që më së fundmi zgjodhëm, pasi duruam epoka errësire nën perandori e regjime që na u imponuan. Për ne nuk është një retorikë pro europiane është çështje jete a vdekje, për ëndrrën tonë që t’u lemë brezave të ardhshme një vend ku liria individuale është e padiskutueshme, ku sundimi i ligjit respektohet e ku demokracia funksion për gjithsekënd. Alternativat ndaj kësaj ëndrre janë vetëm makthe të llojeve të tjera. Gjendemi këtu sot sepse Shqipëria ka përmbushur në mënyrë absolute të gjitha parakushtet për të nisur këtë fazë të anëtarësimit dhe mbetet e palëkundur në vendosmërinë e saj për të përmbushur të gjitha detyrimet e ardhshme. Do ta bëjmë këtë së bashku me partneret tanë përmes negociatave me angazhime të qarta e përmes punës së madhe.

E bëjmë me përpjekje të ripërtërira për të forcuar arritjet e bëra në reformën në drejtësi, duke nxitur një sistem gjyqësor sa më transparent, më llogaridhënës dhe iu thashë edhe sot atë që iu kam thënë shteteve anëtare që  për herë të parë në historinë tonë, qysh prej kur Shqipëria u bë shtet sovran në 1912 po shohim hetime të profilit të lartë dhe figura politike që akuzohen apo dënohen përpara një gjykate të pavarur, pavarësisht lidhjeve të tyre me partinë në pushtet apo me të tjerë.

Do ta bëjmë këtë edhe duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në çdo nivel për të garantuar sigurimin e qytetarëve tanë e për të merituar vendin tonë në tryezën e BE-së.

Institucionet tona të reja të drejtësisë të lindura nga reforma më tërësore themelore në drejtësi që është ndërmarrë nga një vend kandidat përpara së të hyjë në BE, po shënojnë përparime domethënëse, krah agjencive ligjzbatuese të partnerëve europianë. Ky progres vetëm sa do të thellohet më tej. Do ta bëjmë këtë, duke mbrojtur e ruajtur të drejtat e njeriut, sigurisht në një shoqëri gjithëpërfshirëse që nderon diversitetin dhe ruan të drejtat e grupeve të pakicave, duke siguruar përputhshmërinë me standardet europiane ndërkombëtare të drejtave të njeriut.

Ne kemi zbatuar tashmë një kuadër mjaft progresiv ligjor, bazuar në standardet e Këshillit të Europës, duke shërbyer si një shembull i shndritshëm për shumë të tjerë, përshi edhe vende brenda Bashkimit Europian kur vjen fjala për angazhimin për një shoqëri gjithëpërfshirëse, ku të gjitha pakicat janë të barabarta dhe të mbrojtura njësoj dhe vullneti ynë për të jetuar në frymë e në letër këtë legjislacion do të plotësohet së shpejti me aktet nënligjore.

Do ta bëjmë këtë, duke forcuar funksionalitetin e integritetin e kuadrit tonë demokratik me administratë publike që udhëhiqet nga parimet e efikasitetit, transparencës dhe meritokracisë mbi punën e shkëlqyer të një ekipi të madh negociatorësh kombëtarë gjatë fazës sfiduese të kontrollit të legjislacionit me BE-në dhe do ta forcojmë këtë administratë publike në shërbim të qytetarëve tanë dhe të ardhmes sonë në Bashkimin Europian dhe ky është momenti për të falënderuar shumë kryeministrin Orban dhe qeverinë e tij, që na kanë treguar qysh prej ditës së parë e kanë theksuar kur unë vajta në Budapest vullnetin për të ndihmuar, për përcjelljen e dijeve që Hungaria ka përftuar gjatë procesit të vet të afrimit dhe më pas të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Kësisoj jam shumë mirënjohës miku im i dashur Peter dhe për këtë angazhim të fundit të akademisë suaj të shkëlqyer të Ministrisë së Jashtme për t’u vënë në shërbim të rritjes së aftësive dhe të nivelit të kapaciteteve tona negociuese. 

Nuk dua të marr më shumë kohë.

Më lini ta përmbyll duke shprehur bindjen që çdo sukses që Shqipëria arrin në procesin e integrimit në BE duhet të shihet po kështu si një hap tjetër përpara për të gjithë rajonin.

Edhe njëherë më shumë se kurrë BE-ja ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në, duke treguar rrugën drejt BE-së, duke qëndruar fort vlerave e parimeve të tij është një shprehje mjaft e gjallë e këtij angazhimi. E vendet tona mund të kenë mjaft dallime në  faza të ndryshme të këtij procesi, por një gjë është e njëjtë kudo. Dëshira për të qenë pjesë e këtij bashkimi që është projekti më i suksesshëm i paqes dhe zhvillimit që ka krijuar njerëzimi. Për Shqipërinë nuk ka tjetër të ardhme, nuk ka vend tjetër e nuk ka rrugë tjetër pos së ardhmes sonë në BE, vendit tonë brenda BE-së dhe rrugës së BE-së. Faleminderit!


Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi: I dashur kryeministër, i nderuar ministër Szijjártó!

Të dashur miq!

Mendoj që po kremtoni një vendim mjaft të rëndësishëm sot, ndonëse zhargoni i procesit duket shumë teknik që hapëm, grup kapitullin e parë të negociatave që tashmë është çelur rruga për bisedimet thelbësore çka nënkupton që tashmë do të negociojmë kushtet në të cilat Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Europian.

Kjo është ajo çka po ndodh sot.

Doja po kështu të falënderoja presidencën hungareze që ka nisur punën, duke e vendosur zgjerimin, jo vetëm si përparësi politike, por po kështu duke i kushtuar përpjekje të jashtëzakonshme për të nxitur e për të shtyrë përpara procesin institucional, çka nënkupton që të merren të gjithë vendimet e nevojshme, të zhvillohen të gjitha takimet e duhura për të ecur përpara edhe drejt përmbylljes së bisedimeve të anëtarësimit.

Është e padiskutueshme tashmë mendoj, për BE-në dhe udhëheqësit e saj që zgjerimi është mes tre përparësive kryesore. Është mes këtyre tre përparësive sepse pa zgjerimin, Europa nuk mund të bëhet më e fortë. Na duhet zgjerimi që Bashkimi Europian të bëhet më i fortë.

Krahasuar me pikën nga e nisëm në 2019 kemi bërë një rrugë të gjatë përpara. Më kujtohet shumë mirë dita e parë në detyrë kur mu desh të telefonoja kryeministrin Rama në mëngjes herët sepse ishin përballur me një tërmet shkatërrues, tërmet me shkallë Rihter 6,4 ballë. Ndërhymë menjëherë në përpjekje për të ndihmuar dhe mendoj që kjo formësoi dhe pjesën tjetër të mandatit dhe jo vetëm i dha formë mandatit, por solli po kështu, një qasje të re sepse ajo çka trashëgova nga Komisioni Juncker dhe kryeministri e përmendi tashmë ishte më shumë një skenë si një makinë e përplasur sesa një portofol. Kishim tre përpjekje të dështuara për të arritur marrëveshje për nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo ishte pika nga duhet ta filloja dhe në thelb u desh që politika e zgjerimit të ngrihej, më së pari, në këmbë dhe pastaj të merreshim me integrimin e mirëfilltë që do të thotë të dinim sesi do të arrinim ekonomi të ngjashme, shoqëri të ngjashme në Ballkanin Perëndimor edhe përpara sesa të ndodhë anëtarësimi dhe kjo u bë përmes Planit Ekonomik të Investimeve.

E para ishte të hartonim një metodologji të re dhe pastaj i treti është edhe plani i rritjes, që tashmë po e përshpejton zgjerimin dhe për të bërë të mundur që në fund të mandatit të Komisionit të ardhshëm, ne të mund të shohim kryeministrin Rama që të emërojë dhe Komisionerin e parë apo të japë propozimin e vet për Komisionerin e parë në Komision.

Kur diskutoja me kryeministrin planet e mia dhe i thoja që “Mendoj se mund të bëjmë maksimumin”, ai më shihte, nuk e njihnim njëri-tjetrin, por më shihte, si ta them, me një nivel modest pikëpyetjeje nëse kjo do të ishte e mundur dhe është e mundur. Është e mundur sepse Shqipëria ndërmori një qasje të re kur vjen fjala për t’i bërë gjërat dhe kjo qasje e re do të thotë të mos druhet të bëjë gjithçka është e nevojshme, përfshirë edhe në terren.

Në qoftëse do të marrim disa shembuj. Kishim në 2020 shqetësime mjaft të mëdha sa i takon krimit të organizuar, sa i takon korrupsionit, sa i takon sistemit gjyqësor dhe ne vërtetë u futëm shumë thellë me kryeministrin dhe ai është angazhuar, e ka realizuar por duke ndërmarrë veprime, së bashku me shtetet anëtare duke ndërtuar besimin copëz pas cope, tullë pas tulle dhe mendoj që ishte një element thelbësor në suksesin që vendi ka akumuluar tashmë.

Po të hedhësh sytë pas e të shohësh ku jemi tani, kaluam COVID, na u desh të dërgonim vaksinat, u mor një vendim i madh që në 2020 për të nisur negociatat, pastaj u përballëm me një tjetër problem që nuk kishte aspak lidhje me Shqipërinë, por në 2022 patëm Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, çka nënkuptonte që bisedimit e anëtarësimit nisën.

Krah kësaj nisëm, po kështu, të ndërtonim Europën në Shqipëri. Kemi trajtuar çështje, të cilat mendoj se kanë qenë problem prej një sërë dekadash. Bypass-i i Vlorës që e përuruam, tashmë keni Kolegjin e Europës në Shqipëri, i pari në Ballkanin Perëndimor dhe mund të vazhdoj lista shumë, shumë e gjatë dhe kjo ka ndodhur sepse Shqipëria kurrë nuk është stepur të bëjë çdo gjë të nevojshme në rrugëtimin e saj drejt BE-së dhe shpresoj që kjo të vazhdojë sepse nëse kjo vazhdon, kjo nënkupton që në të gjitha instrumentet që kemi në duar, Shqipëria mund ta përgatisë veten për tu bërë anëtare në fund të mandatit të ardhshëm, por kjo nënkupton që në terren, po kështu, duhet të zbatojmë Planin Ekonomik të Investimeve. Kështu kemi lajme të mira. Jemi në nivelin e 60% të zbatimit. Mendoj që ndoshta është pjesa më e suksesshme e të gjithë pjesës së buxhetit të BE-së, 60% vetëm deri tani, çka nënkupton se jo vetëm që kemi arritur sukses sa i takon zbatimit, por kjo nënkupton që efektivisht, programi është edhe mbi atë çfarë duhet të kemi, në fakt, 7 miliardë për nevojae  investime që mund të nxitim dhe një 20 miliardësh tjetër investime në rajon, investime në ekonomi, jo investime në përgjithësi, investime që do të krijojnë një ekonomi të re dhe një shoqëri të re në Ballkanin Perëndimor, qoftë tek ndërlidhshmëria, energjia, mjedisi, qoftë trajtimi i mbetjeve apo ujërave të ndotura.

Në të gjitha aspektet e jetës së përditshme, Bashkimi Europian po e përshpejton ritmin dhe ndërkohë pret që ju të ndërmerrni reformat e nevojshme që ju të bëheni anëtarë. Kryeministër, keni tashmë gjithçka në dispozicionin tuaj ndaj shpresoj që kur të vijë koha për të ikur, ju do të përshpejtoni edhe më shumë punën që unë e di, ju e keni kaq shumë përzemër.

Faleminderit shumë!

11:29, 15 Tetor 2024

“Zgjerimi forcon BE-në”, Varhelyi: Shqipëria mund ta përgatisë veten për tu bërë anëtare në fund të mandatit të ardhshëm

Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm hungarez dhe kryeministrin Edi Rama shprehet se Shqipëria me zhvillimin që ka pasur, mund ta përgatisë veten për tu bërë anëtare e BE në fund të mandatit të ardhshëm.

Komisioneri, Oliver Varhelyi tha se Shqipëria asnjëherë nuk e frenoi hapin e saj dhe dëshirën për të qenë një vend anëtar i BE-së. Ai theksoi se BE e ka përshpejtuar ritmin dhe vendet kandidate duhet të bëjnë më shumë në përmbushjen e reformave.

Komisioneri i BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi: Mendoj që po kremtoni një vendim mjaft të rëndësishëm sot. Kjo nënkupton që tashmë është çelur rruga për bisedimet thelbësore dhe do të negociojmë kushtet në të cilat Shqipëria do të jetë anëtare e BE. Kjo është ajo çfarë po ndodh sot. Falenderoj presidencën hungareze që ka nisur punën, duke e vendosur zgjerimin jo vetëm si përparësi, por duke i kushtuar përpjekje çka nënkupton që të zhvillohen të gjitha takimet e duhura për të ecur përpara dhe drejt përmbylljes së bisedimeve. Është e padiskutueshme për BE që zgjerimi është mes tre përparësive kryesore. Sepse pa zgjerimin Europa nuk mund të bëhet më e fortë. Krahasuar me pikën ku e nisëm në 2019 kemi bërë një rrugë të gjatë përpara.

Më kujtohet dita e parë kur mu desh të telefonoja kryeministrin Edi Ramën sepse u përballën me një tërmet. Ndërhym për të ndihmuar dhe mendoj që kjo formësoi pjesën tjetër të mandatit dhe solli një qasje të re. Ajo çfarë trashëgova ishte më shumë një skenë si një makinë e përplasur. Kishim tre përpjekje të dështuara. Kjo ishte pika nga më duhej ta filloja. U desh që politika e zgjerimit të ngrihej një herë në këmbë pastaj të merreshim me integrimin e mirëfillte dhe të dinim se si të arrinim ekonomi, shoqëri të ngjashme në Ballkanin Perëndimor përpara anëtarësimit. E para ishte të hartonim një metodologji të re dhe e treta është Plani i Rritjes që tashmë po e përshpejton zgjerimin dhe për të bërë të mundur që në fund të mandatiti të komisionit të ardhshëm ne të mund të shohim edhe kryeministrin Rama që të japë propozimin për komisinerin e parë në komision.

Kur diskutoja me Kryeministrin planin ai më shihte, nuk e njihim njëri-tjetrin, me një nivel modest pikëpyetje se nëse do të ishte i mundur. Shqipëria ndërmorri një qasje të re që do të thotë të mos druhet të bëjë çfarëdo që është e nevojshme. Shembull kishim në 2020 shqetësime sa i takon krimit të organizuar, korrupsionit, sistemit gjyqësor dhe ne vërtet u futëm shumë thelllë me Kryeministrin duke ndërtuar besimin tullë pas tulle që ishte një element në suksesin e arritur tani. Kaluam Covid, na u desh të dërgonim vaksina, u morr një vendim i madh për negociatat dhe pastaj u përballëm me një tjetër problem që nuk kishte lidhje me Shqipërinë edhe në 2022 patëm Konferencën e Parë dhe krah kësaj nisëm të ndërtonim Europën në Shqipëri. Kemi trajtuar çështje që mendoj se kanë qenë problem prej dekadash. Tani kemi Kolegjin e Europës dhe kjo ka ndodhur sepse Shqipëria kurrë nuk është stepur të bëjë gjithçka të nevojshme në rrugëtimin drejt BE dhe shpresoj që kjo të vazhdojë pasi kjo nënkupton që në të gjitha instrumentet Shqipëria mund ta përgatisë veten për ta bërë anëtare në fund të mandatit të ardhshëm.

Kemi lajme të mira jemi në nivele të 60% të zbatimit deri tani, çka nënkupon që jo vetëm që kemi arritur sukses për zbatimin, por efektivisht programi është mbi atë çfarë duhet të kemi në fakt 7 miliardë për investime që mund të nxisin një 20 miliardësh tjetër investimesh në rajon në ekonomi, që do të krijojë një ekonomi të re, qoftë tek trajtimi i mbetejeve apo ujërave të ndotura. BE po e përshpejton ritmin dhe pret të ndërmerni reformat e nevojshme që të bëheni anëtare. Keni tashmë gjithçka në dispozicionin tuaj dhe shpresoj që kur të vijë koha që të largohem ju do të përshpejtoni edhe më shumë punën që unë e di ju e keni kaq shumë për zemër.

11:28, 15 Tetor 2024

Negociatat me BE/ Rama: Anëtarësimi është çështje jetë a vdekje, për ne nuk ka rrugë tjetër

Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është çështje jetë a vdekje për shqiptarërt. Kështu ka deklaruar Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm hungarez dhe eurokomisionerin Varhelyi pas Konferencës së Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE.

Rama, në fjalën e tij, përsëriti se u desh agresioni i Rusisë në Ukrainë që Bashkimi Europian të kuptonte rëndësinë e Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri Rama nuk la bërë edhe disa kritika për BE-në, kur tha se ishte treguar e padrejtë me Shqipërinë.

Mund të mos duket e këshillueshme të shihesh me Hungarinë së fundmi, por ja ku jam dhe mund t’ju them që ndihesh mjaft mirë dhe mjaft i sigurtë. Faleminderit Presidencës Hungareze që ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm duke nxitur këtë proces. Faleminderit dhe komisionerit Varhelyi, faleminderit dhe gjithë shteteve anëtare.

Është një ditë e rëndësishme me domethënie historike për Shqipërinë por edhe për BE-në. Nuk na duhet një kujtesë e rëndësishme për të qëndruar e punuar së bashku të lidhur nga parimet dhe vlerat që përkufizojnë BE. Kjo është veçanërisht e vërtetë në këto kohëra sfiduese kur një mori krizash na janë qasur me nevojën për t’u bërë më pranë dhe nevojën e mirëfilltë për t’u përballur me veten dhe për të kuptuar mënyrën për të ecur përpara. Për fat të keq, kjo ishte me ndihmën e  Vladimir Putin që ky proces mori një shpejtësi të re pas agresionit të tij në Ukrainë që shërbeu si zile zgjimi dhe që qartësoi se keni nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa Ballkani Perëndmor ka nevojë për BE. Çelja e grup-kapitujve të Themeloreve sot përbën një arritje të madhe për të dyja palët dhe shenjon një gur themeli historik.

Për fat të keq është e vërtetë që herë-herë BE mund të jetë e padrejtë dhe është treguar e padrejtë ndaj vendeve kandidate, e padrejtë ndaj nesh ku hodhi poshtë rekomandimet e Komisionit të vetë bazuar në fakte. Megjithatë ne shqiptarët nuk mund të kemi një plan B. Historia na ka mësuar se kjo nuk mund të gjendet apo madje të garantohet jashtë sferës së BE. Këto janë A, B dhe C e mënyrës së jetës erupiane. Për ne nuk është retorikë eurpiane, është çështje jetë a vdekje për ëndrrën tonë që t’u lëmë brezave të ardhshëm një vend ku liria individuale është e padiskutueshme dhe sundimi i ligjit funksionon. Alternativat ndaj kësaj ëndrre janë vetëm makthe. Gjendemi këtu sepse Shqipëria ka përmbushur parakushtet dhe mbetet e palëkundur për të pëmbushur të gjitha detyrimet e ardhshme”.

Kryeministri vlerësoi faktin se Shqipëria tashmë ka bërë një reformë në drejtësi që nuk e ka bërë asnjë shtet tjetër i BE-së përpara se të anëtarësohej. Rama theksoi se reforma në drejtësi do të thellohet akoma më shumë gjatë rrugës europiane.

“Do ta bëjmë këtë bashkë me partnerët tanë, e bëjmë për të forcuar arritjet e bëra në reformën e drejtësisë duke nxitur një sistem gjyqësor më transparent, llogaridhënës dhe që për herë të parë në historinë tonë po shohim hetime të profilit të lartë dhe figura politike që akuzohen apo dënohen përpara një gjykate të pavarur pavarësishht lidhjeve me partinë në pushtet apo edhe të tjerë. Do ta bëjmë këtë edhe duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Institucionet tona të reja të lindura nga reforma në drejtësi po shënojnë përparime domethënëse. Ky progres vetëm sa do të thellohet më tej. Do ta bëjmë këtë duke ruajtur të drejtat e njeriut.

Do të ndërtojmë punën mbi punën e shkëlqyer të një ekipi të madh negociatorësh dhe do ta forcojmë këtë administratë publike në funksion të qytetarëve tanë. Dhe ky është momenti për të falenderuar Kryeministrin Orban dhe qeverinë e tij që na treguar që prej ditës së parë vullnetin për të ndihmuar për përcjelljen e dijeve që Hungaria ka përfituar gjatë procesit të vetë të afrimit dhe anëtarësimit në BE. Jam shumë mirënjohës edhe për këtë angazhim të fundit. Për Shqipërinë nuk ka tjetër të ardhme pos së ardhmes tonë në BE dhe rrugës së BE”, theksoi Kryeministri Edi Rama.

11:28, 15 Tetor 2024

Shqipëria hap negociatat për grup-kapitullin e parë me BE

Kryeministri Rama-ministri i Jashtem hungarez-Eurokomisioneri Varhelyi

Kryeministri Rama-ministri i Jashtem hungarez-Eurokomisioneri Varhelyi

Shqipëria mbajti sot Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me Bashkimin Europian, duke hapur grup-kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim.

Grup-kapitulli i quajtur “Themeloret” përmban disa kapituj, që kanë të bëjnë me Reformën e administratës publike”, “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”, “Drejtësia, liria dhe siguria”, “Kriteret ekonomike”, “Prokurimi publik”, “Statistikat”, “Kontrolli financiar” si dhe  “Funksionimi i institucioneve demokratike”.

Konferenca e Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE u drejtua nga ministri i Jashtëm i Hungarisë Péter Szijjártó, pasi Hungaria ka drejtimin e Presidencës së Bashkimit Europian.

Pas hapjes së Konferencës së Dytë Ndërqeveritare, ministri Péter Szijjártó, Kryeministri Edi Rama dhe eurokomisioneri Varhelyi dolën në një konferencë shtypi ku mbajtën deklaratën e tyre dhe ju përgjigjën pyetjeve të gazetarëve.

Kryeministri Edi Rama e konsideroi gur-themeli këtë proces dhe tha se për Shqipërinë anëtarësimi në BE është çështje jetë a vdekje dhe se nuk ka rrugë tjetër.

Ndërsa ministri i Jashtëm hungarez dhe eurokomisioneri Varhelyi theksuan se Shqipëria e meriton plotësisht hapjen e negociatave, teksa sipas tyre BE-ja duhet që të përshpejtojë procedurën e zgjerimit me shtete të tjera.


Redaksia tvklan.al