Trupi i pajetë i ish-deputetit Gerti Bogdani përcillet për në banesën e fundit
Homazhet në nderim të Gerti Bogdanit në ambientet e Parlamentit
Meta homazhe në nder të Bogdanit: Vlerësojmë kontributin dhe veprat e mira të tij
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta iu ka shprehur ngushëllimet familjarëve dhe miqve për humbjen e parakohshme të Gerti Bogdanit.
Pas mbajtjes së homazheve në nder të ish-deputetit demokrat, Meta ka thënë se të gjithë janë këtu për të vlerësuar kontributin, veprat dhe modelin shumë të mirë që Bogdani ka lënë pas.
Ilir Meta: Një ndarje kaq të befasueshme dhe shokuese, të gjithë janë këtu sepse vlerësojnë kontributin e tij, veprat e mira dhe modelin shumë të mirë dhe kujtimet shumë të bukura dhe pozitive. Jemi pranë familjes së tij dhe shokëve e bashkëpunëtorëve. I përjetshëm qoftë kujtimi i Gertit!
Peleshi homazhe për Bogdanin: Përfaqësonte një standard për të mos u humbur, por për tu ndjekur
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Niko Peleshi së bashku me një grup deputetësh të Partisë Socialiste i kanë dhënë lamtumirën e fundit ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdanit.
Në një prononcim për mediat, Peleshi ka shprehur ngushëllimet e tij për humbjen e parakohshme të Gerti Bogdanit për të cilin u shpreh se përfaqësonte një standard për të mos u humbur, por për tu ndjekur.
Niko Peleshi: Humbje e parakohshme, në një moshë kaq të re është e dhimbshme për këdo edhe për njerëz që i njeh apo nuk i njeh, për më tepër që bëhet fjalë për një djalë të mirë, të shkëlqyer të Tiranës dhe Shqipërisë, një politikan model, por mbi të gjitha një bashkëshort i mirë dhe qytetar shembullor. Dhimbja shumfishohet dhe dua që t’iu bashkoj të gjithë ngushëllimeve dhe dhimbjen që gjithkush e ndjen sot, dhe dhimbjen e të gjithë kolegëve tanë të grupit të deputetëve të Partisë Socialiste, të cilët janë sot këtu për të përcjellë një mikun e tyre, kolegun e tyre, një njeri me kaq shumë vlera që do t’i mungojë padyshim familjes, miqve, por edhe politikës shqiptare sepse përfaqësonte një standard për të mos u humbur, por për tu ndjekur. Ndaj ju falenderoj që më jepni mundësinë që të ndaj dhimbjen që ne sot të gjithë ndjejmë për këtë ikje të parakohshme, por kjo është jeta dhe mbase këto momente duhet të na bëjnë më të mirë.
Liri Berisha homazhe për Gerti Bogdanin: Lutem që familjarët ta kapërcejnë dhimbjen e rëndë
Bashkëshortja e kreut të Partisë Demokratike, Liri Berisha ka shprehur ngushëllimet për familjarët dhe miqtë për humbjen e Gerti Bogdanit. Me hidhërim të thellë, Liri Berisha lutet që familja e Gerti Bogdanit ta kapërcejë këtë dhimbje të madhe.
Liri Berisha: Nuk gjej fjalë të bëj një ngushëllim sepse asgjë nuk ka vlerë në këto momente se sa jeta e atij që iku. Në pozicionin e nënës, dua të ngushëlloj prindërit në radhë të parë dhe lutem bashkë me ta të gjejnë forcën për ta kapërcyer këtë dhimbje të rëndë.
Edlira, para së cilës dalim sot, ka detyra shumë të rënda dhe të vështira për të kryer. Ngushëllime të gjithë miqve dhe shokëve me të cilët ai bëri një rrugëtim kaq të shkurtër dhe të bukur. Ta kujtojmë gjithmonë me shumë dashuri dhe me shumë respekt.
Begaj për Bogdanin: Kishte vlera të jashtëzakonshme politike dhe morale
Presidenti Bajram Begaj ka vlerësuar figurën e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani. Në një prononcim për mediat pas kryerjes së homazheve, Begaj ju ka shprehur ngushëllime familjarëve për humbjen e parakohshme të Bogdanit.
Bajram Begaj: Vlera të jashtëzakonshme politike, morale. Ishte një njeri që pati një jetë të mbushur plot qoftë publike dhe qoftë politike. Ngushëllime familjes.
Gjiknuri nuk mban dot lotët në homazhet për Gerti Bogdanin
Boçi homazhe për Bogdanin: Hidhërimi i familjes tonë politike, shumë i madh
Me dhimbje të madhe, nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi i ka dhënë lamtumirën kolegut dhe mikut të tij, Gerti Bogdanit. Në një prononcim për mediat, Boçi ka thënë se hidhërimi i familjes politike të PD-së është shumë i madh teksa ka folur me vlerësim të lartë për figurën dhe atë që përfaqësonte Gerti Bogdani.
Luçiano Boçi: Dhimbja jonë është shumë e madhe, ndoshta në ato raste që fjalët nuk e përcjellin në thellësinë e saj dhe hidhërimi i familjes tonë politike është shumë i madh. Gerti, kishte ndërtuar parajsën e tij të vogël me shoqërinë dhe familjen e tij. Në Kuvendin e Shqipërisë me zërin e tij të fortë dhe me zërin e tij si një njeri shembull i të rinjve që duhet të ndërtojnë një karrierë të tillë politike.
Për Luçiano Boçin, ashtu si dhe për shumë të tjerë, ikja e parakohshme e Gerti Bogdanit nga jeta është e pabesueshme. Teksa i jep lamtumirën e fundit, Boçi shprehet se Bogdani do të do jetë gjallë në nderimet dhe kujtimet e tyre.
Luçiano Boçi: Nuk e besoj ende, ai do të mbetet në kujtimet tona. Ndoshta kujtimet nuk mjaftojnë, por ja që Zoti duket sikur sot na fut në meditimin se “pse Gerti duhet të ikte kaq i ri?”. Fatet ndonjëherë janë të tilla dhe detyra jonë është që ta nderojmë dhe ta mbajmë gjallë kujtimin e tij. Lamtumirë Gert, shumë ngushëllime për familjarët dhe të dashurit e tij. Gerti do të jetë pjesë e kumtit politik të PD-së.
Kolegët demokratë të Bogdanit nderojnë kujtimin e tij
Kolegët demokratë të Gerti Bogdanit kanë mbërritur në sallën e seancave plenare, ku po kryhen homazhet në nder të ish-deputetit.
Me trishtim të thellë, ata i kanë shprehur ngushëllimet e tyre familjarëve për humbjen e parakohshme të Bogdanit.
Gerti Bogdani përcillet për në banesën e fundit
Homazhet në nder të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gert Bogdani, mbahen ditën e sotme në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë nga ora 10:00-12:00 dhe varrimi do të bëhet më pas në varrezat e Sharrës.
Ndërkohë, Partia Demokratike në nder të Gert Bogdanit ka shpallur të enjten ditë zie dhe për rrjedhojë ka pezulluar të gjitha aktivitetet partiake në gjithë vendin.
I ndjeri, Gert Bogdani humbi jetën mesditën e djeshme (18 Shtator 2024), si pasojë e një arresti kardiak në moshën 44-vjeçare.
Ai ka qenë në kafenenë e një hoteli në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” së bashku me disa miq të tij kur është ndjerë keq dhe ka humbur ndjenjat.
Bogdani u transportua në spital për ndihmë mjekësore, por fatkeqësisht nuk mundi të mbijetojë.
Kush ishte Gert Bogdani?
Gerti Bogdani lindi më 7 Korrik 1980 në Tiranë dhe kreu studimet e larta në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Bogdani e nisi karrierën politike në vitin 2007 duke u angazhuar pranë Partisë Demokratike dhe në këtë vit u zgjodh kryetar i Njësisë Bashkiake Nr.10 në Tiranë.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, Gerti Bogdani u zgjodh deputet. Më pas ka qenë kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
Në zgjedhjet e 2019, ai u bë anëtari më i votuar në Kryesinë e Partisë Demokratike duke marrë mbi 70% të votave.
Në vitin 2022, Gerti Bogdani votoi në Primaret e brendshme të Partisë Demokratike për të qenë kandidat për Bashkinë e Tiranës.
I ndjeri Gerti Bogdani është i martuar me aktivisten Edlira Çepani të cilët janë prindër të dy fëmijëve.
/tvklan.al