Gerti Bogdani, ish-deputeti i Partisë Demokratike, ndërroi jetë mesditën e kësaj të mërkure si pasojë e një arresti kardiak.
Ai ka qenë në kafenenë e një hoteli në bulevardin “Dëshmoret e Kombit” së bashku me disa miq të tij kur është ndjerë keq dhe ka humbur ndjenjat.
Policia tha në një njoftim zyrtar se ishte ora 11:30 kur ndodhi ngjarja.
Ai u transportua pa vonesë në spital për ndihmë mjekësore, por nuk mundi të mbijetojë.
Gert Bogdani lindi më 7 Korrik të vitit 1980 në Tiranë. Ai ishte baba i dy fëmijëve të ardhur nga martesa me aktivisten Edlira Çepani.
I arsimuar jashtë vendit, u rikthye në Shqipëri dhe në vitin 2005 u përfshi në politikën aktive në radhët e Partisë Demokratike.
Në vitin 2007 u zgjodh kryetar i Njësisë Bashkiake Numër 10 në Tiranë dhe në garën elektorale të vitit 2009 fitoi mandatin si deputet në Parlamentin e Shqipërisë, mandat që e rinovoi në zgjedhjet e 2013 duke u rizgjedhur për herë të dytë deputet i PD-së.
Gert Bogdani rezultoi kandidati më i votuar për anëtar Kryesie, me 281 vota të anëtarëve të Këshillit Kombëtar në vitin 2021. Gjatë dy mandateve parlamentare, Bogdani ka shërbyer edhe në Komisionin e Integrimit Europian dhe në Komisionin e Medias.
Gert Bogdani ka mbajtur edhe detyrën e Kryetarit të Forumit Demokrat dhe për afro pesë vite ka qenë Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Demokratike.
Tv Klan