Raportim Live
11:34, 5 Korrik 2024

Celibashi: Shpallim të pavlefshëm mandatin e Belerit si kryebashkiak i Himarës

Ilirjan Celibashi: Në lidhje me këtë çështje, do të doja të thoja që ky proces administrativ dhe vendimmarrja që do e pasojë nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër jashtë asaj që KQZ-në e nxit ligji për dekriminalizimin apo kodi zgjedhor. Secila prej palëve pjesëmarrëse mund të kenë vlerësimet e tyre, por është fakt i pakundërshtueshëm që në këtë proces, KQZ nuk është futur për të prishur interesat e dikujt edhe pse vendimmarrja shkon në interes të dikujt dhe kundra dikujt tjetër. Nuk kemi pse ta fshehim të gjithë ngarkesën që përmban kjo çështje dhe duke qenë një çështje që ka rëndësinë që ka, në fund ngelet ajo që sa në përputhje me ligjin është kjo vendimmarrje. KQZ është komptente për ta zhvilluar këtë proces administrativ.

Në këtë proces, KQZ ka respektuar të njëjtat procedura, të njëjtat afate. Kjo çështje nuk është shqyrtuar duke pasur nxitim nga ana e KQZ-së dhe pak a shumë brenda. Ne kemi shqyrtuar raste të tjera të ngjashme edhe pse dallon rasti i Belerit nga thuajse të gjitha rastet e tjera në çështje që lidhen me dekriminalizimin. Duke e konsideruar të pranuar në arsyetimin tim të drejtën e KQZ-së për t’u marrë me këtë çështje, le të hyjmë tek thelbi i saj.

Ligji për dekriminalizimin ka qëllim të largojë të gjithë ata funksionarë publikë në kushtet kur kanë kryer vepra penale të caktuara apo masa dënimi. Për rastin kur kandidon, kompetenca e KQZ-së dhe ushtrimi i kësaj kompetence është e qartë për të gjithë, dikutimi ngelet nëse një person që e ka marrë këtë funksion publik gjatë ushtrimit të detyrës merr një masë dënimi, a është ky ligj i cili vepron ndaj këtij personi? Ky është diskutimi që ju sollët. Ne kemi një kryetar bashkie të zgjedhur që nuk është më në detyrë, nuk ka mundur të ushtrojë funksionin e kryetarit të bashkisë, por nuk është në kushtet e ushtrimit të detyrës, por për KQZ, kjo nuk ka rëndësi në kuptim të ligjit të themi.

Këtij ligji i nënshtrohen më shumë akoma, ty ligji të ndalon të mos kandidosh, nuk mund ta ushtrosh detyrën kur verifikohen kushtet e ndalimit. Ty nuk të lejohet të hysh në këtë klub nëse je sherrxhi, për qartësi si shembull. Nuk ka kuptim që të pranojmë që përjashtimisht në rastin për dekriminalizimin të lejohet.

Dua ta pranoj që ndoshta kaq qartë kjo nuk është e shkruar, por në interpretim të atij ligji, kjo është shumë e qartë. Kam keqardhjen që për shkak të ligjit të dekriminalizimit, ata të humbasin funksionet publike, por ky është ligji. Personi në fjalë, i zgjedhur ka një vendim penal të formës së prerë për një vepër penal për të cilën ligji ta ndalon për ta mbajtur atë funksion publik sepse përndryshe do të duhet të pranonim, t’i themi dikujt ok, vazhdo qëndro në detyrë edhe pse ke kryer vepër penale që është verifikuar pasi ke marrë detyrën. Nuk besoj se ka shumë sens dhe logjik dhe formal. Ndaj, ne me bindje të plotë, tej çdo komenti, unë mendoj që jemi në kushtet e humbjes së mandatit të kryetarit të Bashkisë Himarë, dhe shpallim të pavlefshëm këtë mandat kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimim. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

11:20, 5 Korrik 2024

Alfred Beleri flet në KQZ: Duhet të betohem dhe të shkarkohem sipas ligjit

Alfred Beleri: Duket qartë që nuk ka bazë ligjore për shqyrtimin e sotëm. Dikush do të nxjerrë gështenja nga zjarri me duart e KQZ. Institucioni që ju drejtoni është i vetmi që deri tani ka ruajtur nderin e këtij shteti dhe ka qenë beenda kuadrit ligjor, të gjitha institucionet e tjera janë bërë pjesë e padrejtësisë që më kanë bërë mua. Siç erdha sot këtu mund të kisha vajtur në Himarë të isha betuar. Këtë leje fare thjesht mund ta merrja për të bërë betimin. Unë duhet të betohem dhe të më shkarkojnë siç thotë ligji dhe Kushtetuta. Jam i qartë dhe unë që mandati si kryetar i Bashkisë Himarë ka mbaruar. Duket qartë arroganca e tyre. Duan t’i bëjnë zgjedhjet në mes të Gushtit, kur të gjithë bëjnë pushimet. Kanë 2 nënkryetarë bashkie në mënyrë të paligjshme të emëruar. Kryetari në detyrë është subjekt i SPAK-ut. Ata kanë një ankth. Do ju lutesha t’i drejtoheshit Kushtetueses nëse ka vakancë ligjore për ata që do vijnë, se duket qartë që do e bëjnë rrugë.

11:18, 5 Korrik 2024

Dule në KQZ për mandatin e Belerit: Synimi i këtij procesi, uzurpimi i Bashkisë së Himarës

Vangjel Dule: Unë do të dëshiroja të theksoja që në fillim se sot jemi përpara një tentative për të përmbyllur një proces politik që ka nisur më 6 Maj 2023. Synimi i këtij procesi ishte uzurpimi i Bashkisë së Himarës nëpërmjet nëpërkëmbjes së vullnetit të sovranit. Kaso me të drejtë tha se këtij procesi kërkohet që t’i fshihet fytyra dhe t’i falet dikujt tjetër autorësia. Është bërë e qartë se subjekti që kishte vënë për qëllim dhe do të përmbushë misionin e rrëmbimit të Bashkisë së Himarës është PS dhe kreu i saj, Edi Rama. Belerit, kryetari të Bashkisë së Himarës dhe anëtarit të PE i është privuar e drejta themeltare e të zgjedhurit.

Nuk i dhënë më 14 Maj si të gjithë të paraburgosurve dhe të burgosurve të tjerë që të shprehë vullnetin e tij, pra nuk ka votuar Beleri. Belerit i është privuar e drejta që të zgjidhet. Nuk është përmbushur detyrimi kushtetues duke marrë përsipër detyrën që i ka ngarkuar sovrani. Belerit i janë privuar të drejtat kushtetuese. Komunitetit të Himarës i është privuar e drejta të zgjedhë drejtuesin e vet. Prej 14 muajsh, Bashkia e Himarës drejtohet në mënyrë abuzive, sot drejtohet nga një kryetar i komanduar i cili është komandim i një ish-kryetari të komanduar.

Kemi të bëjmë me një zinxhir shkeljesh në drejtime të ndryshme. Beleri nuk kishte asnjë flagrancë, ishte thjesht me avokatin dhe një të afërm të tij. Ju lutemi ruajeni imazhin dhe nderin e këtij institucioni që është garanti i votës së lirë që përbën themelin e sistemit tonë demokratik. Nëse edhe ju do të bëheni palë për humbjen e gjurmëve të këtij procesi, do të jetë thjeshtë hallka e përdorur institucionale e radhës sepse e vërteta nuk ka asnjë gjasë dhe asnjë mundësi të mos zbardhet.

11:04, 5 Korrik 2024

KQZ vendos sot për mandatin e Belerit, palët parashtrojnë pretendimet

Avokatja e Belerit: Ne kërkojmë pushimin e procedurës për shkak se është një procedurë në tejkalim të kompetencave. KQZ nuk ka kompetenca në fazën që është momentalisht.

Salianji: Përveç kauzës që është bërë publike, përveç personit që është pjesë e këtij shqyrtimi. Përsa i përket anës thelbësore, ky është një proces automatik në momentin që ka dalë vendimi i Apelit. Të gjithë palët nuk mund të diskutojnë për thelbin. KQZ me vendim të Apelit që ka marrë dijeni mund ta kishte konstatuar që në atë moment. Në kompleksin e tij, KQZ ka të gjithë të drejtën për ta ndërprerë mandatin dhe të njoftojë organet për shpalljen e zgjedhjeve. Nuk mund të diskutojmë kur ka një vendim të Gjykatës Apelit.

Ivi Kaso: Ka një konfuzion, midis dispozitave të ligjit të dekriminalizimit dhe organet për vetëqeverisjen vendore. Mazhoranca duhet të vërë fytyrën nëse do që në bazë të vendimit të formës së prerë ta shkarkojë. Këshilli i Ministrave dhe Rama duhet të marrë përgjegjësinë ta shkarkojë. Këtë gjë mazhoranca nuk do ta bëjë sepse nuk do ta fusë në ato afate kohore. Pasi ta shkarkojnë, vendimi të bëhet pasi ta shpallë Kushtetuesja. Nuk e di nëse ishte dëshirë që mandatin e Belerit të ja bënte dhuratë për 60-vjetor Edi Ramës. KQZ duhet të ndjekë rrugën ligjore.

Avokatja e Belerit: Shteti bazohet mbi ligjin, nuk bazohet mbi një paragraf të shkurtër që raportohet në një mënyrë të ngushtë që nuk është krijuar nga KQZ, por nga subjekte të tjera. KQZ, organ administrativ. Vendimi nuk i jep të drejtë KQZ-së të shqyrtojë një vendim që ka marrë në 2023 që i ka dhënë mandatin. Kërkoj të zbatohet ligji nga KQZ-ja.

10:17, 5 Korrik 2024

KQZ i heq mandatin Fredi Belerit

Kryebashkiaku i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri ka mbërritur fizikisht në mbledhjen e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ku do të vendoset për fatin e mandatit të tij. Beleri është shoqëruar nga makina e burgjeve në KQZ, ku do të vendoset nëse do i hiqet ose jo mandati i kryetarit të Bashkisë Himarë.

Avokatja e Belerit kërkoi ditën e djeshme në mbledhjen e KQZ-së që Beleri të përfaqësojë personalisht pretendimet e tij. Beleri është dënuar me 2 vite burg për shit-blerje votash për zgjedhjet e 14 Majit të vitit të shkuar.

Ndërkohë administrata zgjedhore në relacion thotë se Beleri nuk mund ta ushtrojë detyrën e kryetarit të Bashkisë Himarë për shkak se është i dënuar me vendim të formës së prerë.

Në këto rrethana, thuhet në relacion se Beleri nuk mund të ushtrojë këtë detyrë për shkak të ndalimit që vjen nga ligji “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Në rast se Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve nuk do të ketë një vlerësim ndryshe nga sa bën administrata e KQZ-së, atëherë do të duhet të shpallet vakanca dhe KQZ duhet të njoftojë presidentin, i cili brenda 45 ditësh nga marrja e vendimit do duhet të caktojë një datë për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Himarës./tvklan.al