Fredi Beleri, i zgjedhur kryetar i Bashkisë së Himarës nuk mund të ushtrojë këtë detyrë për shkak se është i dënuar me 2 vite burg me vendim të formës së prerë.

Kjo thuhet në relacionin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, i cili do të mblidhet nesër për të vendosur mbi vlefshmërinë e mandatit të Belerit.

Ndonëse nuk del me një vendim për shpallje vakance, një e drejtë kjo që i përket vendimmarrjes së komisionarit, administrata zgjedhore thekson se pas shkëmbimit të korrespondencës me Gjykatën e Posaçme të Apelit dhe marrjes në dorëzim të vendimit të shkurtuar në ngarkim të Belerit, rezulton se ai është deklaruar fajtor për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe për këtë është dënuar përfundimisht me 2 vite burgim.

Sipas KQZ-së kjo vepër hyn në kategorinë e veprave penale, për kryerjen e të cilave persona të caktuar nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë apo kryetarë bashkie.

Në këto rrethana thuhet në relacion, Beleri nuk mund të ushtrojë këtë detyrë për shkak të ndalimit që vjen nga ligji “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. 

Në rast se komisionari shtetëror i zgjedhjeve nuk do të ketë një vlerësim ndryshe nga sa bën administrata e KQZ-së, atëherë do të duhet të shpallet vakanca dhe KQZ duhet te njoftojë presidentin, i cili brenda 45 ditësh nga marrja e vendimit do duhet të caktojë një datë për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë  e Himarës.

Klan News