Erion Veliaj nëpërmjet një statusi në Facebook vijoi me argumentet e tij kundër dosjes hetimore të SPAK. Ai sërish u fokusua te dyshimet e ngritura nga Prokuroria se posedon një vilë në Qerret.
Veliaj kundërshtoi provën e prokurorisë se qelizat e telefonit të tij kanë treguar se ai ka qenë në bregdetin e Kavajës, duke nënkuptuar aksesin në këtë vilë.
Kryebashkiaku i Tiranës deklaron në reagimin e tij se ai ka qenë për shkak të fushatës zgjedhore.
“Më paska kapur me shtëpi në dorë nga qelizat e telefonit tim, i cili rezulton të ketë lëshuar sinjal 87 herë në zonën Kavajë, Lekaj, Golem, Harizaj, Mali i Robit, Gosë, Synej, gjatë muajve Prill-Maj 2023. Gjatë vitit 2023, unë kam drejtuar fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste në Rrogozhinë e Kavajë në cilësinë e Drejtuesit Politik të Qarkut të Tiranës; dhe në vitin 2024, në po këto bashki, kam drejtuar fushatën e anëtarësimeve të reja në PS”, ka shkruar Erion Veliaj.
Veliaj e shoqëroi mesazhin e tij në Facebook me disa foto nga fushata zgjedhore, teksa ironizoi prokurorin Ols Dado.
“Po telefoni im ka lëshuar sinjal në atë kohë edhe te Kisha Katolike në rrugën e Kavajës, kur kam vajtur për të inspektuar punimet me Patër Zefin, por si duket, meqë Kisha është përballë pallatit të prokurorit tim ndërtues, do jetë trembur nga afrimiteti i krimit tim me ndërtimin e tij. Kështu është kur të bëjnë prokuror shoqet dhe të marrin në SPAK shokët-pa kriter e pa procedurë, e kështu, një miks mes injorancës e arrogancës bëhesh vrasës i gatshëm dinjitetesh njerëzore”, shkroi Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës që prej 13 Shkurtit qëndron në paraburgimin e Durrësit, ndërsa ka kërkuar në Gjykatën e Apelit, lirinë.
Klan News