Festimet në Kosovë, në diskursin politik, nuk kaluan të qeta, ndonëse vetë klasa politike atje u përpoq ta mbante të tillë. Për këtë shërbeu deklarata e Grenell, i cili solli dhe njëherë në vëmendje mungesën e madhe në këto festime të njeriut kyç të shpalljes së pavarësisë, Hashim Thaçi. Analisti Baton Haxhiu, duke komentuar deklaratën e Grennell thotë se kjo nuk mjafton dhe tashmë është koha për veprime që ish-drejtuesit e UÇK-së të kthehen në Kosovë.

“Tek e fundit nëse mund ta them kështu Grenell është fajtori kryesor që është shpejtuar procedura për arrestimin e Thaçit. Njeriu që shkon për të nënshkruar marrëveshjen e paqes me Trump, u ndal rrugës nga Jack Smith. Trump dhe Grenell u treguan të pafuqishëm për të ruajtur idetë e marrëveshjes, dhe mos ndodhte ajo që i ndodhi Thaçit. E kanë për obligim Grenell dhe Trump ta sqarojnë deri në fund dhe të lirojnë burrat e UÇK-së dhe Kosovës që luftuan për liri për t’u burgosur vetë. Kjo është e pandershme dhe historikisht e papranueshme. Më vjen keq që Grenell dhe Trump janë fajtorët e pafuqishëm në mund të them kështu.”


Po sa mundësi ka që Grennell dhe administrata e re në Uashington të ndikojnë që Thaçi dhe të ndaluarit e tjerë në Hagë të lirohen?

“Doland Trump e ka detyrim moral dhe politik që ta kthejë në tryezën e Zyrës Ovale.“

Haxhiu thotë se Thaçi edhe pse e dinte se Gjykata Speciale do t’i kthehej kundër, vendosi me vetëdije të plotë që ta mbështeste krijimin e saj për t’i hapur rrugë shtetndërtimit.

Heshtjen e Prishtinës zyrtare e quan të turpshme.

“Këto reagime janë për turp. Unë nuk dua të mendoj që Vjosa dhe Kurti e mbajnë atje sepse e konsiderojnë konkurrent politik. Është e pandershme dhe e turpshme që ata duhet të jenë në burg, dhe ata të kenë fuqinë politike që u duhet. E vërteta është se ata e duan Thaçin në burg, mua më shqetëson se si është e mundur që njerëzit mund të jenë kaq të pashpirtë dhe kaq jo humanë ndaj atyre që kanë shpallur pavarësinë. Nëse ata dënohen, dënohet historia jonë dhe kontestohet pavarësia jonë. Historia do i dojë moralisht, krerët.”

Qëndrimin pasiv të Prishtinës në raport me procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së e shikon edhe si pjesë të luftës politike.

“Njerëzit në garën politike më shumë i duan të burgosur njerëzit që të largohen nga gara politike. Në asnjë moment ku VV ka qenë në parlamet dhe parti të tjera, fatkeqësisht nuk kanë ngritur një inciativë që parlamenti i Kosovës të prekë realisht esencën e procesit gjyqësor ku preken të drejtat e njeriut, dhe për 5 vite nuk kanë mundur të vijnë në Kosovë. Rusia i deshi në burg.”

Të vetmit që i njeh merita ndaj kësaj çështje delikate, është kryeministri Edi Rama.

“Tregoi dhe një herë që është burrë shteti dhe i guximshëm, dhe i vetmi si politikan që u ballafaqua me ata që nisën një proces gjyqësor dhe nuk heshti asnjëherë. Epoka e lavdishme për lirinë në një moment po konsumohej dhe në garën politike disa i duan të burgosur njerëzit.”

Hashim Thaçi u arrestua më 5 Nëntor të vitit 2020 me vendim të Gjykatës Speciale, bashkë me figura të tjera të UÇK-së të cilët prej gati 5 vitesh përballen me akuza për krime lufte gjatë luftës së Kosovës.

Klan News