Vance sulmon Kamala Harris, e akuzon se gënjeu për shëndetin mendor të Biden
Kandidati republikan për zv/President të SHBA, JD Vance, ka akuzuar zv/Presidenten amerikane Kamala Harris se ka gënjyer për shëndetin mendor të Presidentit Biden.
“Joe Biden ka qenë Presidenti më i keq në jetën time, dhe Kamala Harris ka qenë pranë tij në çdo hap. Në 4 vitet e fundit, ajo ishte dakord me politikat për kufirin e hapur dhe mashtrimit të Biden që rriti koston e banesave dhe ushqimeve. Për 4 vjet, ajo gënjeu për shëndetin mendor të Joe Biden, duke i lënë kombit një President që nuk mund të bëjë punën. Presidenti Trump dhe unë jemi gati të shpëtojmë Amerikën. Këshdo që është në krye të listës së demokratëve, mirë se të vijë”, ka shkruar në rrjetet sociale senatori i Ohajos, njëkohësisht kandidati për zëvendësin e Donald Trump.
Kryeministri britanik Starmer: Respektoj vendimin e Biden
Kryeministri i ri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, thotë se e respekton vendimin e Joe Biden dhe pret me padurim të punojë me të përgjatë muajve që i kanë mbetur në detyrë si President i SHBA.
“E di që Presidenti Biden e ka marrë vendimin e tij bazuar në atë që ai beson se është në interesin më të mirë të popullit amerikan”, thotë Starmer.
Kryeministri britanik dhe Presidenti Biden u takuan për herë të parë rreth 2 muaj më parë në samitin e NATO-s që u mbajt në Uashington.
Kancelari Scholz: Vendimi i Biden meriton respekt
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, thotë se vendimi i Joe Biden meriton respekt.
“Falë tij, bashkëpunimi transatlantik është më i afërt, NATO është e fortë dhe SHBA është një partner i mirë dhe i besueshëm për ne. Vendimi i tij për të mos vazhduar garën meriton respekt”.
Zv/Presidentja Kamala Harris: Jam e nderuar që kam miratimin e Presidentit Biden
Zv/Presidentja e SHBA, Kamala Harris, të cilës Joe Biden i shprehu mbështetjen për t’u nominuar si kandidate, ka thënë në një deklaratë se është e nderuar dhe synon që të meritojë e fitojë nominimin e demokratëve.
“Jam e nderuar që kam miratimin e Presidentit dhe synimi im është që ta meritoj dhe fitoj nominimin”, është shprehur Harris.
Reagon ish-Presidenti Barack Obama: Një nga vendimet më të vështira të Joe Biden
Barack Obama: E di që Joe nuk është dorëzuar kurrë përpara asnjë beteje. Që ai të shikojë peisazhin politik dhe të vendosë se duhet t’ja kalojë pishtarin një kandidati të ri, është padyshim një nga vendimet më të vështira në jetën e tij. Por e di që ai nuk do ta merrte këtë vendim nëse nuk do të besonte se është i duhuri për Amerikës. Ky është një testament i dashurisë së Joe Biden për vendin e tij dhe shembulli i një nëpunësi të vërtetë publik që vendos interesat e popullit amerikan përpara interesave të tij. Gjeneratat e ardhshme të liderëve do të bëjnë mirë ta ndjekin. Kam besim se liderët e partisë tonë do të jenë në gjendje të organizojnë një proces nga do të dalë një kandidat i shquar. Unë besoj se vizioni i Joe Biden për një Amerikë bujare, të bashkuar dhe që ofron mundësi për të gjithë do të shfaqet plotësisht në Konventën e Demokratëve në muajin Gusht.
Bill dhe Hilary Clinton mbështesin Kamala Harris si kandidate për Presidente
Ish-Presidenti amerikan Bill Clinton dhe ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton vlerësuan dorëheqjen e Joe Biden nga gara presidenciale. Njëkohësisht ata kanë shprehur edhe mbështetjen për zv/presidenten Kamala Harris që të nominohet si kandidate e demokratëve.
Nancy Pelosi: Presidenti Biden është patriot
Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nancy Pelosi ka lavdëruar Presidentin Biden që u tërhoq nga gara. Ajo ishte ndër zërat e fuqishëm brenda demokratëve që i kishte kërkuar Biden të tërhiqej për shkak të sondazheve negative ndaj tij.
“Presidenti Joe Biden është një amerikan patriot që gjithmonë e ka vënë vendin të parin. Vizioni i tij, vlerat dhe lidershipit e bëjnë atë një nga presidentët më të rëndësishëm në historinë amerikane”, është shprehur Nancy Pelosi.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve: Joe Biden të japë dorëheqjen edhe si President
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i ka bërë thirrje Joe Biden që të japë dorëheqjen edhe si President, pasi ky i fundit shpalli zyrtarisht tërheqjen e tij nga gara presidenciale.
“Nëse Joe Biden nuk është i përshtatshëm për të kandiduar për president, ai nuk është i aftë të shërbejë si president. Ai duhet të japë dorëheqjen menjëherë”, tha republikani Johnson në një postim në rrjetet sociale.
Chuck Schumer: Joe Biden, patriot i vërtetë
Udhëheqësi i shumicës në Senatin Amerikan, Chuck Schumer, vlerësoi vendimin e Biden duke e konsideruar patriot të madh.
“Joe Biden nuk ka qenë vetëm President i madh, por ai është edhe njeri i mahnitshëm. Vendimi i tij nuk ishte i lehtë, por vendosi vendin, partinë dhe të ardhmen tonë mbi gjithçka. Joe sot tregoi që është patriot i vërtetë dhe amerikan i madh”, ka thënë Schumer.
Cili është hapi i radhës?
Pas tërheqjes së Joe Biden si kandidat për President, Demokratët duhet të zgjedhin një kandidat të ri që do të garojë përballë Donald Trump.
Pas 1 Gushtit, Demokratët kishin thirrur konventën e partisë për të nominuar zyrtarisht Bidenin. Por tani kjo konventë mund të shtyhet. Tashmë delegatët do të duhet që të zgjedhin një tjetër kandidat.
Reagime për tërheqjen nga gara të Joe Biden dhe mbështetjen ndaj Kamala Harris
Joe Biden, që rikandidonte për një mandat të dytë si President i Amerikës, thotë se tërheqja e tij nga gara është në interesin më të mirë të vendit dhe partisë së tij.
“Edhe pse kisha si qëllim të rizgjidhesha, besoj se është në interesin më të mirë të partisë dhe të vendit që të tërhiqem nga gara dhe të fokusohem vetëm në detyrat e mia si President për pjesën e mbetur të mandatit presidencial”, shkruan ndër të tjera Joe Biden në letrën e tij.
/tvklan.al