Joe Biden propozon Kamala Harris kandidate për Presidente
Pasi u tërhoq nga gara, Joe Biden ka propozuar zv/Presidenten amerikane Kamala Harris si kandidaturë të Demokratëve për të garuar përballë Donald Trump.
“Dua t’i ofroj mbështetjen time të plotë Kamala Harris që të jetë e nominuara e partisë sonë. Demokratë, është koha të mundim Trumpin. Le ta bëjmë”, tha Presidenti Joe Biden në një postim në rrjetin social X.
“Presidenti më i dobët”, Donald Trump reagon pas dorëheqjes së Joe Biden
Ish-Presidenti Donald Trump, i cili kërkon një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë, ka reaguar pas tërheqjes së Joe Biden nga gara presidenciale.
Në një prononcim të shkurtër për CNN, Trump ka thënë se Joe Biden është Presidenti më i dobët që ka patur ndonjëherë SHBA-ja.
4 muaj nga zgjedhjet pas tërheqjes së Joe Biden, nuk dihet ende se cilin kandidat do të nominojnë Demokratët. Në shtypin amerikan përflitet zv/Presidentja Kamala Harris. I pyetur për Kamala Harris, Donald Trump tha: “Do të jetë më e lehtë për ta mundur se sa Joe Bidenin”.
Reagime për tërheqjen nga gara të Joe Biden dhe mbështetjen ndaj Kamala Harris
Joe Biden, që rikandidonte për një mandat të dytë si President i Amerikës, thotë se tërheqja e tij nga gara është në interesin më të mirë të vendit dhe partisë së tij.
“Edhe pse kisha si qëllim të rizgjidhesha, besoj se është në interesin më të mirë të partisë dhe të vendit që të tërhiqem nga gara dhe të fokusohem vetëm në detyrat e mia si President për pjesën e mbetur të mandatit presidencial”, shkruan ndër të tjera Joe Biden në letrën e tij.
/tvklan.al