Raportim Live
10:18, 16 Tetor 2024

16 emigrantët e huaj vendosen në qendrën e pritjes në Shëngjin

Rreth 2 orë pasi anija italiane “Libra” mbërriti në Portin e Shëngjinit, 16 emigrantët e huaj kanë zbritur nga bordi i mjetit lundrues.

Ata ju nënshtruan disa kontrolleve mjekësore përpara se të zbrisnin. Nën masa të rrepta sigurie, 16 emigrantët u shoqëruan në qendrën e pritjes të ngritur në Shëngjin, sipas marrëveshjes së nënshkruar prej Kryeministrave Rama-Meloni.

Emigrantët do të qëndrojnë rreth 24 orë në qendrën e pritjes në Shëngjin, e më pas do të dërgohen në kampin e Gjadrit, aty ku do të qëndrojnë për disa javë deri në shqyrtimin e dokumentacionit të tyre nga pala italiane.

Perimetri i brendshëm i qendrës së pritjes në Shëngjin dhe i kampit në Gjadër është kompetencë tërësisht e karabinierëve italianë, ndërsa perimetri i jashtëm menaxhohet nga Policia Shqiptare.

8:04, 16 Tetor 2024

Mbërrijnë 16 emigrantët e parë nga Italia, akomodohen në qendrën e pritjes në Shëngjin

Emigrantet ne Shengjin

Emigrantet ne Shengjin

Anija italiane me 16 emigrantët e parë ka mbërritur në Shëngjin sipas marrëveshjes së arritur mes Shqipërisë dhe Italisë.

Emigrantët, që janë nga Afrika Veriore, mbërritën mëngjesin e sotëm rreth orës 07:50 në portin e Shëngjinit. Ata do të qëndrojnë në kampin e Shëngjinit ku do t’ju nënshtrohen fillimisht kontrolleve.

Klan News ka ndjekur që prej momenteve të para mbërritjen në Shëngjin të anijes italiane me emigrantë.

Më pas emigrantët do të transportohen drejt kampit të Gjadrit.

Anija e marinës ushtarake “Libra” u nis nga brigjet e Lampedusa dhe mbërriti në brigjet shqiptare në orët e mëngjesit të sotëm.

16 emigrantët e parë që erdhën janë nga Egjipti dhe Bangladeshi.

Ata do të qëndrojnë 24 orë në qendrën në Shëngjin e më pas do të transferohen në kampin e Gjadrit ku do të qëndrojnë.

/tvklan.al