Teksa në Shëngjin pritet të ankorohet anija e parë me emigrantë banorë të zonës shprehen se ata janë të mirëseardhur. Për agjencinë e lajmeve Reuteres ata kujtojnë vitet 90 kur shqiptarët u larguan drejt Italisë dhe tani është radha e vendit tonë që t’i ndihmojë refugjatët.

“Përderisa këto njerëz po vijnë prej halli, këtu do të jenë nën kujdesin e qeverisë italiane me të gjitha shpenzimet, kështu që ne nuk na prishet punë dhe jemi shumë të kënaqur që t’i ndihmojmë sadopak.”

“Edhe ne kemi fëmijë andej dhe njëlloj si fëmijët tanë që kanë vuajtur dikur ata vijnë këtu për më mirë.”

16 emigrantët e parë që do të vijnë në Lezhë janë nga Egjipti dhe Bangladeshi. Anija “Libra” e marinës ushtarake u nis të hënën nga Lampedusa dhe pritet të mbërrijë mëngjesin e së mërkurës.

Në port gjithçka është gati ndërsa është bërë edhe trajnimi i stafit. Refugjatët iu nënshtruan kontrollit fillestar në Itali ndërsa në Shëngjin do të bëhet regjistrimi i tyre dhe kontrollet shëndetësore. Ata do të qëndrojnë 24 orë në qendrën në Shëngjin e më pas do të transferohen në kampin e Gjadrit ku do të qëndrojnë.

Punimet për të dyja qendrat u mbvyllën javën e kaluar ndërsa objektet kanë të gjitha elementët e sigurisë. Qendrat do të menaxhohen nga pala italiane ndërsa jashtë perimetrit do të ketë edhe punonjës të policisë shqiptare. Kampi rrethohet nga një mur 7 m i lartë ndërsa ka edhe kamera dhe pajisje të tjera për sigurinë.

Klan News