Ervin Salianji mbërrin në burgun e Fierit
Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka mbërritur në burgun e Fierit rreth orës 20:08.
Ish-deputeti demokrat mbërriti aty i shoqëruar me eskortë policie. Kanë qenë 3 automjete; një makinë e Policisë Rrugore, një fuoristradë e policisë brenda të cilës ka qenë Ervin Salianji në sediljen e pasme dhe një furgon i Forcës Kombëtare të Sigurisë.
Jashtë rrethimit të burgut ishin të pranishëm vetëm deputeti i PD në Fier Luan Baçi dhe punonjësit e mediave.
Një ditë pas dënimit me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit, Ervin Salianji u vetëdorëzua sot në Policinë e Tiranës rreth orës 17:30, ku pasi kreu veprimet procedurale aty, u nis më pas drejt Fierit.
Ervin Salianji u shpall fajtor për kallëzim të rremë për dosjen “Babalja”.
Burgu i Fierit ku do të vuajë dënimin z.Salianji është i sigurisë së zakonshme.
Avokati: Salianji do të shkojë në burgun e Fierit mbrëmjen e sotme
Ish-deputeti tashmë i Partisë Demokratike, Ervin Salianji do të shkojë mbrëmjen e sotme në burgun e Fierit për të vuajtur dënimin me 1 vit heqje lirie, të dhënë nga Gjykata e Apelit.
Këtë e ka konfirmuar zyrtarisht avokati i z.Salianji, Ledio Braho, i cili tha për gazetarët pas daljes nga Policia e Tiranës, se Ervin Salianji do të dërgohet drejt burgut të Fierit sonte në mbrëmje.
“Pamë një sjellje krejtësisht korrekte nga oficeërt e policisë. Salianji u nis drejt burgut që i ka caktuar regjimi, që është burgu i Fierit, që mbrëmjen e sotme do iki direkt në burgun e Fierit”, theksoi Braho.
I pyetur nga gazetarët nëse do të jetë problem fakti që Salianji do të jetë në të njëjtin burg ku janë edhe ish-funksionarë apo ish-eksponentë të PS që janë dënuar, avokati u shpreh se: “Nuk ka asnjë problematikë të tillë, të paktën nga informacionet që ne kemi. Gjithsesi kjo është detyrë e shtetit, nuk është detyrë e z.Salianji që të shmangë përplasjet”.
Ervin Salianji u vetëdorëzua pasditen e sotme rreth orës 17:30 në Policinë e Tiranës, një ditë pasi Gjykata e Apelit e dënoi me 1 vit burg për kallëzim të rremë për çështjen “Babalja”.
Salianji u dorëzua në Policinë e Tiranës, Nallbati: Beteja jonë do të vazhdojë në të gjitha format
Pas vetëdorëzimit të Ervin Salianjit në Policinë e Tiranës, deputeti demokrat Bledjon Nallbati në një prononcim për Klan News është shprehur se ky dënim nuk është vetëm për Salianjin por për çdo qytetar.
Nallbati theksoi se trupa gjykuese ka dhënë një vendim që sipas tij është paralajmëruar nga Kryeministri Rama në 12 Shtator në Parlament.
Bledjon Nallbati, deputet i PD: Ajo gjykatë, ajo trupë gjykuese dha në vendim të dhënë nga Edi Rama në Parlament në datën 12 Shtator, por përveç kësaj në momentin që Edi Rama dhe kjo qeveri nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk ka më kuptim që askush të respektoj vendime dhe ligje të dala nga kjo maxhorancë për aq kohë sa nuk respektohen vendimi e Gjykatës Kushtetuese që është gjykata supreme e këtij vendi. Megjithatë vendimi ishte personal i zotit Salianji. Është një akt kurajoz për t’i thënë kësaj qeverie se nuk ka frikë nga e vërteta, që nuk mund t’ja mbyllin gojën dhe se do të vazhdojë ta bëjë betejën nga këtu. E gjitha kjo nuk është një dënim për Salinajin, por një mesazh i qartë për këdo në këtë vend. Me atë vendim drejtësia e komanduar e Edi Ramës i ka thënë çdo shqiptari që ju kam vënë një palë pranga në xhep dhe kush guxon e shan partinë shtet si 30 vite më përpara, shkon në burg.
Ndër të tjera deputeti Nallbati ka thënë se opozita do të vazhdojë betejën në çdo formë, ku nuk do të mungojnë protestat e bllokimet e rrugëve.
Bledjon Nallbati, deputet i PD: Në të gjitha format nuk ka diskutim që beteja jonë do të vazhdojë me një marrëdhënie komplet tjetër me Parlamentin, me qeverinë dhe të gjitha institucionet e këtij shteti. Do të vazhdojë me protesta të vazhdueshme, bllokime aksesh dhe me të gjitha format e tjera që ne do të vendosim bashkarisht në mbledhjet e grupit.
Salianji flet para Policisë së Tiranës: Do i çmontojmë banditët, dita e demokratëve do vijë!
Ervin Salianji ka mbërritur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ku është pritur nga mbështetës të shumtë, të cilët e kanë përshëndetur para se ai të vetëdorëzohej.
Salianji ka zgjedhur që të mbajë një fjalë të shkurtër para mbështetësve të tij, të cilëve u ka thënë se në përballje me regjimin secili merr kostot e tij.
Në fund të fjalës së tij para se të vetëdorëzohej, Salianji u shpreh me bindje se do i çmontojnë banditët teksa ka shtuar se dita e demokratëve do të vijë.
Ervin Salianji: Në përballje me regjimin, secili merr kostot e tij. Unë e di se shumë prej miqve që janë mbledhur këtu në mënyrë rastësore apo shumë qytetarë dhe demokratë kanë vuajtur represionin e qeverisë, e vuajnë në mënyrë të përditshme që ju bën nëpërmjet institucioneve, vjedhjeve, tatimeve, policisë, nëpërmjet varfërisë që ka mbjellë kudo dhe nëpërmjet banditëve që ka mbjellë kudo. Ne do i çmontojmë banditët dhe dita e demokratëve dhe qytetarëve do të vijë!
Rrugëtimi i Ervin Salianjit nga selia e PD drejt Policisë së Tiranës
Ervin Salianji mbërrin në Policinë e Tiranës, takon simpatizantët e mbledhur në rrugë
Salianji niset drejt policisë: Do ta bëj betejën aty, e vërteta do të triumfojë!
Ervin Salianji: Çdo përpjekje që do të bëj është për të mirën dhe interesin publik, këta nuk do të ngopen me të keqen, ne nuk do të ngopemi duke bërë mirë dhe të forcojmë shtetin ligjor. Unë jam shprehur se do të përballem kudo që këta kërkojnë dhe në këtë pengmarrje banditeske, do ta bëj betejën aty.
Beteja do të jetë një betejë që shpresoj të frymëzojë të gjithë qytetarët. Ka më të mirë se ata, ne jemi më të mirë se ata. Vendosim sakrificën, duke sakrifikuar lirinë për të thënë të vërtetën. E vërteta do të triumfojë, si protesta e opozitës në 6 Tetor.
Sot nuk kam dashur të lajmëroj asnjëlloj proteste. Miq të cilët kanë lajmëruar, janë të mirëpritur. Protestat do të jenë të mëdha. Ju falenderoj të gjithë mediat që kanë qenë aleatë të rëndësishëm në demaskimin e kësaj ngjarje dhe në pasqyrimin e ngjarjes, do të shihemi shpejt!
Ervin Salianji del nga selia e PD
Ervin Salianji do të dërgohet në Burgun e Fierit
Drejtoria e Burgjeve ka vendosur që Ervin Salianji do të dërgohet në Burgun e Fierit për të vuajtur dënimin me 1 vit heqje lirie.
Pas vetëdorëzimit në Policinë e Tiranës, Salianji do të dërgohet më pas në Bllokun e Sigurisë në rrugën “Mine Peza”. Prej aty, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do ta transportojë drejt Burgut të Fierit.
Avokati i Ervin Salianjit ka mbërritur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës
Ervin Salianji vetëdorëzohet në Policinë e Tiranës, dënimin do ta kryejë në burgun e Fierit (Të gjitha zhvillimet)
Ervin Salianji u dënua me 1 vit burg për çështjen “Babale”. Vendimi është i ekzekutueshëm dhe ai u dorëzua në Policinë e Tiranës.