Uashingtoni do të nisë me Moskën, negociatat për paqen në Ukrainë përmes një takimi në Arabinë Saudite javën e ardhshme. Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio tha të dielën se në ditët e ardhshme do të përcaktohet se sa serioz është presidenti rus Vladimir Putin për paqen në Ukrainë, ndërsa zyrtarët amerikanë nisen për në Arabinë Saudite për takime me zyrtarët rusë.
Kryediplomati i SHBA-ve hodhi poshtë gjithashtu shqetësimet evropiane se janë përjashtuar nga bisedimet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke thënë në një intervistë me CBS se procesi i negociatave është ende në fazat paraprake.
Më herët të dielën, agjencia “Reuters” njoftoi se zyrtarët amerikanë u kishin dorëzuar zyrtarëve evropianë një pyetësor ku ndër të tjera kërkonin të dinin ndër të tjera, se me sa trupa mund të kontribuonin për zbatimin e një marrëveshjeje paqeje. Por asnjë aleat evropian nuk ishte ftuar në Arabinë Saudite, ku zyrtarët rusë dhe amerikanë pritet të nisin bisedimet në fillim të javës lidhur me rrugët për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Ky përjashtim detyroi presidentin francez Emmanuel Macron të thërasë një samit urgjent me liderët e Italisë, Gjermanisë, Britanisë së Madhe e Polonisë, e ku i pranishëm mund të jetë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte.
Samiti mund të zhvillohet që të Hënën. Presidenti ukrianas Volodymyr Zelenskyi tha se Ukraina nuk ka marrë ftesë për të qenë pjesë e takimit të Arabisë Saudite. Ai e konsideroi të çuditshëm faktin që po para negociatave të tilla, nuk ka patur konsultime me Ukrainën dhe aleatët perëndimorë.
Tv Klan