Në nderim të Ismail Kadaresë, Ditë Zie Kombëtare më 2 dhe 3 Korrik
Data 2 dhe 3 Korrik janë shpallur Ditë Zie Kombëtare, në nderim të shkrimtarit të ndjerë Ismail Kadare. Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave këtë të Hënë.
Në VKM shkruhet po ashtu:
–Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.
–Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore të organizohen në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë, nga ora 09:00 deri në orën 11:00 ditën e nesërme, ndërsa të Mërkurën nga ora 11:30 deri në orën 12:30.
–Në orën 13:00 më datë 3 Korrik, në nderim të personalitetit të shquar të letrave shqipe do të ndërpritet çdo veprimtari dhe do të mbahet një minutë heshtje.
–RTSH-ja, gjatë kryerjes së homazheve të transmetojë muzikë funebre.
Ismail Kadare nuk jeton më, Fevziu: Shqipëria humbi intelektualin më të madh
Intelektuali Rexhep Qosja, fjalë të ndjera për Ismail Kadare: Emri dhe jetëshkrimi i tij janë të pavdekshme
Data 1 Korrik shënon një ditë zie për botën e letrave. Kolosi dhe romancieri shqiptar, Ismail Kadare u nda nga jeta ditën e sotme duke lënë pas një trashëgimi të vyer të veprave të tij, që patën një jehonë ndërkombëtare.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale shkrimtari dhe intelektuali Rexhep Qosja shkruan disa fjalë të ndjera për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë.
“E gjithmonshme dhe e gjithkohshme është edhe krijimtaria e shumëllojshme e Ismail Kadaresë,” kështu shkruan Qosja, duke ngushëlluar familjarët dhe miqtë e Kadaresë. Më tej Qosja nuk kursen as admirimin dhe vlerësimin e pashoq për kontributin e shkrimtarit.
Lajmin e plotë mund ta lexoni duke klikuar KËTU!
“Kohë e pamjaftueshme”, Besiana Kadare me zemër të thyer për humbjen e të atit
Besiana Kadare, vajza e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, ka zgjedhur vargjet poetike për t’i dhënë lamtumirën babait të saj. “Kohë e pamjaftueshme” e kolosit të ndjerë tregon më së miri dhimbjen e madhe të së bijës e gjithë familjes për largimin e tij nga jeta.
Kohë e pamjaftueshme
S’kam kohë të harroj shumë gjëra
Që nga mendja t’i nxjerr përjetë.
Për tragjikët e vjetër e shkrepëtimat
Do t’më duhen së paku dy vjet.
Dhe ndoshta po aq për Danten,
Për frëngjishten tok me plazhet po aq,
Ndoshta gratë do të jem duke fshirë
Kur muzgu do të afrohet ndërkaq.
Si udhëtari me peshë të tepërt
Para avionit që niset pas pak
I ngarkuar rëndshëm ende
Do t’afrohem tek varri humbak.
Nga supet si ta heq këtë barrë?
Ku ta hedh këte peshë, si?
Me të s’mund të zbres atje poshtë
Por as lart dot s’e lë kurrsesi.
I menduar gjer në çast të fundit
Nga mosthënia, nga pengu tragjik,
Një shenjë ndoshta të pakuptueshme
Do t’ju bëj të gjithëve e do ik.
Ismail Kadare 💔
Takimi i vetëm personal mes Ismail Kadaresë dhe Enver Hoxhës
Gazetari Blendi Fevziu ka folur sot në studion e “Rudina” edhe për takimin e diktatorit Enver Hoxha me shkrimtarin e madh Ismail Kadare.
“E ka takuar vetëm një herë në takim personal. Takim në vitin 1969, 1970. Ai po shkruante “Dimrin e Vetmisë së Madhe”. Kishte kontaktuar me bashkëshorten e Enver Hoxhës për të vënë në dispozicion arkivat e Moskës. Ajo e fton për një kafe në shtëpi, ai shkon bashkë me vajzën e madhe. Troket dera një moment, futet diktatori i cili thotë: A ju shqetësoj një minutë, a mund të ulem pak me ju? Gjithë biseda siç përmend ai dhe ish-bashkëshortja e Enver Hoxhës, biseda ka qenë rreth Gjirokastrës dhe takimit të Moskës për të cilin Kadareja do shkruante.
Për më shumë KLIKO KËTU!
Fevziu krahason Kadarenë me Nënë Terezën: Është shqiptari më i njohur në Perëndim!
Data 1 Korrik 2024 shënon një ditë të hidhur për artin shqiptar, me humbjen e kolosit Ismail Kadare. Duke e njohur personalisht e përmes veprave të tij, gazetari Blendi Fevziu foli për shkrimtarin sot te “Rudina”.
Sipas gazetarit, letërsia moderne shqiptare fillon me Kadarenë.
“Është një nga bashkëbiseduesit më të mirë që kam njohur në jetën time dhe me diapazon të jashtëzakonshëm kulturor. Stili im, nëse lexoj disa nga shkrimet e mia të gjimnazit apo fakultetit janë kopje të Kadaresë. Fjalët që përdorja vinin nga ndikimi i tij. I gjithë brezi im është ndikuar, përveçse letrar ai shihej edhe si një pol lirie në Shqipërinë e komunizmit. Letërsia moderne shqiptare fillon me Kadarenë.
Më tej, thekson se shkrimtari i ndjerë është padyshim shqiptari më i njohur në Perëndim.
Për më shumë KLIKO KËTU!
Blendi Fevziu: Ismail Kadare, si e njoha unë
Gazetari Blendi Fevziu ka bërë një shkrim se si është njohur me kolosin e letërsisë shqipe, i cili u shua ditën e sotme pas një arresti kardiak. Fevziu shkruan se Ismail Kadare ishte shkrimtari më i vërtetë që ka njohur ndonjëherë.
Një pjesë nga shkrimi i Fevziut
“…Për herë të parë e takova personalisht një pasdite të majit 1992, kur shkova ta merrja për një takim me studentë dhe intelektualë. Takimin do ta drejtoja unë. Isha 23 vjeç dhe i tregova gjithë atmosferën pas ikjes së tij. Atë që po ndodhte në universitet dhe në Tiranë. Ato javë që ndenji në Shqipëri u takuam shpesh. Ditën që po ikte qëlluam të dy në avionin e linjës Tiranë-Zyrih. Ai shkonte në Paris, unë në Strasburg. Nuk e dija nëse do kisha rast ta shihja sërish. Në fakt për thuajse 31 vite e kam takuar më shpesh sesa çdo njeri tjetër. Ai nisi ta ndajë jetën midis Parisit dhe Tiranës. Refuzoi çdo ftesë për t’u bërë pjesë e politikës; çdo propozim të çdo pesë viteve për t’u bërë President i Republikës.
“Unë nuk mund të bëhem President i Republikës”, më tha një ditë, “unë jam diktator, shkrimtari nga natyra është diktator, nuk i pranon kundërshtimet”. Kur ishte në formë rrëfente me një humor fantastik. Kishte edhe një sens autoironie. Tregonte sesi kishte vizituar Kinën në kulmin e revolucionit kulturor dhe se shkrimtarët i kishin çuar t’i takonin në orizore. Më pas i kishin transferuar në Vietnam, në kulmin e luftës me amerikanët. “Bombat binin diku afër”, rrëfente, “ndërsa ne na tregonin trase dhe flisnin për shumë armiq të vrarë. Kur u nisëm me avion, dritaret qenë zënë me batanije. Një moment dëgjuam një anuncim: ‘Kemi dalë nga hapësira ajrore e Vietnamit’. Shpërthyen duartrokitje”. Herë të tjera rrëfente për njerëzit e famshëm që kishte njohur në jetë. Që nga presidentë e mbretër e deri tek Marçelo Mastrojani apo Milan Kundera. Shumë herë të tjera e kam takuar në Paris. Kam drekuar sa herë në shtëpinë e tij, me gatimet fantastike të Elenës. Ose kemi shëtitur bashkë në Parkun e Luksemburgut, në bulevardin Sen Zhermen, ose kemi kaluar kohë në kafenetë e Bulevardit San Mishel. Më 2016-n, mora një ftesë për të asistuar në dekorimin e tij si Oficer i Lartë i Legjionit të Nderit. Në Francë ai kishte arritur gjithçka…”
Lexo shkrimin e plotë KËTU!
Shqipëria humbi një gjeni të letrave shqipe dhe sot qielli letrar siç e quan studiuesi Behar Gjoka, ka mbetur pa një tjetër yll.
Por në një rast të tillë, ashtu siç koha ka mësuar edhe në humbje të penave të ndritura, lipset që veprat e lënë mos ndalojnë kurrë së ristudiuari, madje në një kontekst tjetër, tashmë në një kohë kur shkrimtari nuk është më në të gjallë.
“Është çasti që tashmë me Kadarenë, paprania fizike, na krijon mundësinë që praninë e teksteve, ne ta rikonsiderojmë, ta rilexojmë. Në momentin që ndërpritet jeta fizike, fillon gjykimi, analiza, qasja me një sy tjetër e veprës letrare”, tha Gjoka.
Për më shumë lexo lajmin e plotë KËTU!
Vendi ku Blendi Fevziu propozon që të varroset Ismail Kadare
Blendi Fevziu propozoi në rrjetet sociale që Kadare të varroset pranë vëllezërve Frashëri, Faik Konivës dhe Mit’hat Frashërit në varrezën e nderit në kodrat e Liqenit të Tiranës.
“Ai duhet varrosur në altarin e njerëzve të shquar, pranë Vëllezërve Frashëri, Faik Konicën dhe Mit’hat Frashërit në varrezën e nderit në Kodrat e Liqenit të Tiranës”, shkroi ndër të tjera Fevziu.
Për më shumë lexo lajmin e plotë KËTU!
Mediat botërore shkruajnë për vdekjen e Ismail Kadaresë
Mediat botërore i kushtojnë vëmendje ndarjes nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare.
Në Francë, aty ku dhe zhvendosi krijimtarinë e tij pas largimit nga Shqipëria mediat i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë.
Media e madhe franceze, France24 shkruan se “Tregimi i tij i sofistikuar – shpesh i krahasuar me atë të George Orwell ose Franz Kafka, kishte në brendësi metaforë dhe ironi për të zbuluar natyrën e tiranisë nën sundimin e Hoxhës, i cili udhehoqi Shqipërinë nga viti 1946 deri në vdekjen e tij në 1985.
Media e njohur Le Monde shkruan për ndarjen nga jeta të Kadare dhe bën begraundin historik të jetës së shkrimtarit më të njohur shqiptar në botë. “Ai shpesh u këshillua të fitonte një çmim Nobel për punën e tij të madhe, e cila u gërmua në mitet dhe historinë e vendit të tij për të zbërthyer mekanizmat e totalitarizmit”, shkruan Le Monde.
Radio France international shkruan se Kadare përdori penën e tij si një armë vjedhurazi për t’i mbijetuar diktatorit komunist paranojak të Shqipërisë Enver Hoxha.
“Shkrimtari shqiptar thyen radhët me komunistët e izoluar të Shqipërisë dhe iku në Paris disa muaj përpara se qeveria të rrëzohej në fillim të viteve 1990”, thuhet në artikullin e Radio France International.
“Shuhet romancieri dhe Kolosi i letërsisë shqiptare”. Kështu shkruan media prestigjoze “Associated Press”, që i kushton një artikull shkrimtarit shqiptar, i cili u bë i njohur falë veprave të tij.
Por të shumtë kanë qenë dhe mediat e tjera të medha që kanë shkruar për vdekjen e shkrimtarit shqiptar, nga The Guardian, te Ansa dhe media greke Protothema.
Tregimet e tij alegorike, nën komunizm, tërhoqën vlerësime ndërkombëtare, por ai këmbënguli se nuk ishte një shkrimtar politik, kështu shkruan media prestigjoze britanike “The Guardian”.
“Kohët e errëta sjellin surpriza të pakëndshme, por të bukura. Letërsia ka prodhuar shpesh vepra madhështore në epoka të errëta, sikur të kërkonte të korrigjonte fatkeqësinë që u është shkaktuar njerëzve”, kështu ka deklaruar disa kohë më parë Kadare në një intervistë për AFP, e cila rikthehet për publikun pas vdekjes se shkrimitarit.
Vemendje për jetën dhe veprën e tij i kanë kushtuar edhe media italiane ANSA dhe ajo greke Protothema.
Shuhet Ismail Kadare, kolosi i letërsisë shqiptare
Kolosi i letrave shqiptare Ismail Kadare është shuar në moshën 88-vjeçare.
Gazetarja e Tv Klan, Anisa Krraba raporton se Kadare u gjet i pajetë nga familjarët dhe u dërgua në QSUT. Shkrimtari kishte pësuar arrest kardiak respirator.
Shkrimtari i njohur u konfirmua i vdekur mëngjesin e sotëm në QSUT, siç ka mësuar gazetari i Klan News Maksi Rama.
Ismail Kadare është shkrimtari më i mirë i letërsisë shqipe, ndër shkrimtarët më të mirë të letërsisë botërore bashkëkohore, dhe autori më i përkthyer jashtë vendit, fitues i disa çmimeve letrare ndërkombëtare dhe i nominuar me dhjetëra herë për çmimin Nobel.
Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore.
Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit me “Frymëzimet djaloshare” (1954); “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976).
Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris por krijimtaria e tij nuk u ndalua.
Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.
Që nga viti 1994 ai është anëtar i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës.
Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”, në 2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias për Letërsi”, një nga çmimet me prestigjoze letrare në botë. Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohet emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabuçhi.
Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.
/tvklan.al