Udhëheqësit evropianë u takuan në Paris të hënën pasi administrata amerikane e Presidentit të SHBA Donald Trump, mbështetësi kryesor ushtarak i Kievit, njoftoi se do të ulet në bisedime me Rusinë për të gjetur një marrëveshje për përfundimin e luftës.

Të lënë jashtë bisedimeve SHBA– Rusi për fundin e luftës, europianët u mblodhën për të koordinuar përgjigjen e tyre ndaj hapave të shpejtë të Trumpit.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, kancelari gjerman Olaf Scholz, Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte dhe liderë të tjerë europianë u mirëpritën në Pallatin Elysee nga Presidenti Emmanuel Macron.

Është e paqartë çfarë ishte në axhendë, por deklaratat e tyre pas takimit japin një ide. Kryeministri britanik Keir Starmer pas takimit tha se duhet të ketë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara për vendet evropiane për të dërguar forca paqeruajtëse në Ukrainë, pas arritjes së një marrëveshje të paqes.

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha të hënën se çdo debat tani për dërgimin e paqeruajtësve në Ukrainë është “plotësisht i parakohshëm” dhe “shumë i papërshtatshëm” ndërkohë që lufta vazhdon.

Takimi ishte jo formal dhe nuk ishte e parashikuar marrja e vendimeve.

Trump habiti Ukrainën dhe aleatët europianë javën e kaluar kur njoftoi se kishte telefonuar Presidentin rus Vladimir Putin, i izoluar prej kohësh nga Perëndimi, për të diskutuar përfundimin e luftës pa u konsultuar me ta.

Klan News