Një vrasje me armë zjarri është shënuar ditën e sotme në lagjen “Mark Lula” në Shkodër.
Uniformat blu njoftojnë se vrasja ka ndodhur brenda një automjeti, ku është gjetur pa shenja jete 34-vjeçari Kolë Manaj dhe e plagosura Anila Ndoka. Ajo është dërguar në spital në gjendje shumë të rëndë për jetën.
Dyshohet se 34-vjeçari e ka qëlluar bashkëjetuesen e tij me plumb në kokë teksa ndodheshin brenda automjetit tip “Tiguan” në pronësi të Anila Ndokës. Pasi ka kryer aktin e rëndë, Manaj ka kryer vetëvrasje.
Mësohet se Anila Ndoka është nënë e 3 fëmijëve nga martesa e mëparshme, përkatësisht 20, 18 dhe 9 vjeç. Korrespondentja e Klan News, Emi Kalaja raporton se autori dhe e plagosura kanë bashkëjetuar prej 5 vitesh së bashku.
Personat e afërt të të plagosurës Anila Ndoka kanë thënë se 34-vjeçari ishte i papunë dhe problemet ekonomike mund të kenë sjellë dhe konfliktet mes çiftit. Ata përjashtojnë pistën e krimit të pasionit për motive xhelozie.
E plagosura, rreth 44 vjeç është me profesion punonjëse sociale dhe aktualisht punonte për një qendër komunitare pranë Bashkisë Shkodër.
Ndërkohë, në brendësi të automjetit është gjetur një armë zjarri pistoletë. Nga veprimet e para rezulton se automjeti nuk ka dëmtime të jashtme të shkaktuara nga armë zjarri.
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po heton mbi rrethanat e rastit. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 11:15, në lagjen “Mark Lula”, janë gjetur në një automjet, shtetasi K. M., 34 vjeç dhe shtetasja A. P., me plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
Shtetasi K. M. ka humbur jetën, ndërsa shtetasja A. P. është dërguar në spital, në gjendje shumë të rëndë.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë veprimet hetimore për rastin.
Nga veprimet e para rezulton se automjeti nuk ka dëmtime të jashtme të shkaktuara nga armë zjarri. Në brendësi të automjetit është gjetur një armë zjarri pistoletë.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
/tvklan.al