“Brenda kokës së Vance e Trump ka një ‘Jaltë të re’, më tepër liri veprimi për Rusinë dhe Kinën dhe dobësim i aleancës me Europën dhe Japoninë”.
Me këtë titull e nis analizën, e përditshmja italiane Corriere della Sera që i referohet qasjes së re në politikat ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara me ardhjen e Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë, por edhe fjalimit të zëvendësit të tij James David Vance në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, ku kritikoi ashpër Bashkimin Europian.
Sipas analizës, Vance i shpjegoi establishmentit evropian se deri ku mund të shkojë rishikimi i rendit global i promovuar nga Shtëpia e Bardhë. Ai sulmoi qeveritë aleate dhe i dha legjitimitet të djathtës ekstreme. Këtë e bëri në tokën gjermane dhjetë ditë përpara zgjedhjeve legjislative. Më shumë se Putini dhe Xi Jinping, evropianët duhet të ruhen kundër një “armiku të brendshëm”, citohet të jetë shprehur ai.
Corriere shkruan se një rend i ri global po lind si në Konferencës së Jaltës ku u përcaktuan zonat e ndikimit mes fuqive të mëdha pas Luftës së Dytë Botërore. Nëse tronditja që i dha Vance do të zgjonte opinionin publik nga letargjia, kjo do të ishte një nga ato krizat që e bëjnë Evropën të rritet.
Tv Klan