“167 faqe vendim”, Monika Kryemadhi: SPAK ka shkelur detyrimin për ruajtjen e sekretit hetimor
Në 167 faqe vendim, SPAK ka argumentuar përse ka kërkuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj Monika Kryemadhit.
Kjo e fundit ka reaguar për herë të tretë në rrjetet sociale, ku e akuzon SPAK-un se nuk ka zbatuar detyrimin ligjor për ruajtjen e sekretit hetimor.
Monika Kryemadhi thotë se SPAK ka servirur informacione të pavërteta për të dhe familjen e saj. LEXO MË SHUMË
Arrestimi i Ilir Metës, Kryesia e PL-së: Burgosje politike pa prova dhe fakte
Kryesia e Partisë së Lirisë ka dalë me një qëndrim zyrtar sa i përket arrestimit të kreut të kësaj partie, Ilir Metës. Përmes një deklarate për shtyp, PL-ja dënon atë që e quan “akt terrorist të rrëmbimit dhe arrestimit politik” që sipas tyre është urdhëruar nga Kryeministri Edi Rama. Arrestimin e ish-Presidentit Ilir Meta, Partia e Lirisë e cilëson “burgosje politike” për shkak të qëndrimeve të tij. (Lexo më shumë)
Arrestimi i Ilir Metës, SPAK njoftim zyrtar: Veprime korruptive për kontratën CEZ-DIA
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit R. K. kryer në ish Prokurorinë e Krimeve të Rënda, procedimin penal Nr. 55 të vitit 2019. Objekti i hetimit të këtij procedimi janë veprimet korruptive të zyrtarëve të shtetit në lidhjen dhe zbatimin e kontratës së shërbimit CEZ-DIA.
Janë dokumentuar disa episode ku subjektet e këtij procedimi penal Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi në bashkëpunim mes tyre por edhe me funksionarë të tjerë publikë janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale.
1- Është provuar se ish-Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Ilir Meta, ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje. Kjo kontratë kishte për objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura. (Lexo më shumë)
Pamjet kur Ilir Meta dërgohet te Blloku i Sigurisë në “Mine Peza”
Ky është momenti kur Ilir Meta është dërguar nga forcat e policisë në Bllokun e Sigurisë në rrugën “Mine Peza” në kryeqytet.
Pamjet e siguruara nga gazetari i Klan News Besar Bajraktari tregojnë eskortën policore që dërgojnë Metën te Blloku i Sigurisë pasi la ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Lexo më shumë
Policia e Shtetit: Ilir Meta kundërshtoi arrestimin dhe ofendoi policët, u detyruam ta nxirrnim forcërisht
Policia e Shtetit, përmes një njoftimi zyrtar, informon se ish-Presidenti Ilir Meta kundërshtoi arrestimin dhe ofendoi punonjësit e policisë.
Bazuar në këto rrethana, thotë Policia, duke zbatuar rregulloren, forcat e policisë u detyruan ta nxirrnin me forcë nga automjeti.
Policia e Shtetit thekson se drejtuesi i grupit operacional i komunikoi Ilir Metës masën e sigurisë të dhënë nga gjykata, atë të arrestit në burg. Por ish-Presidenti, sipas policisë, refuzoi që të bindej dhe përdorimi i forcës nga ana e policisë ishte i imponuar. LEXO MË TEPËR
Arrestimi i Metës/ Monika Kryemadhi reagon sërish: Ndalim çnjerëzor në mes të rrugës
Çnjerëzore e konsideron deputetja Monika Kryemadhi arrestimin në mes të rrugës së ish-Presidentit Ilir Meta me urdhër të SPAK.
Në një reagim të dytë në rrjetet sociale, Kryemadhi thotë se tashmë është vënë edhe ajo zyrtarisht në dijeni për akuzat që SPAK ka ngritur ndaj saj, për të cilën është caktuar nga gjykata detyrim paraqitje.
Kryemadhi, ish-bashkëshortja e Ilir Metës, i konsideron akuza të rreme veprat penale ndaj saj dhe thotë se ka autorizuar avokatët e saj për t’u përballur juridikisht. LEXO MË SHUMË
Ishte në makinë me Metën në momentin e arrestimit, Peca: Na tërhoqën zvarrë…
Sekretari Organiziativ i Partisë së Lirisë, Artemis Peca, i cili ka qenë në makinë me ish-Presidentin Ilir Meta në momentin e arrestimit të këtij të fundit, ka treguar se si e priti kreu i PL-së ndalimin e tij.
Gjatë një konference për mediat, Peca është shprehur se Meta nuk ka qenë i shoqëruar me eskorta teksa ka shtuar se nuk ka pasur rezistencë nga ana e ish-Presidentit.
Gjatë fjalës së tij, Peca ka pretenduar se forcat policore i kanë tërhequr zvarrë, ndërsa thotë se sipas tij, ai dhe Meta vetëm i kanë pyetur se “çfarë kërkojnë prej tyre”.
Artemis Peca- Sekretar Organizativ PL: Që ta dinë të gjithë, Ilir Meta nuk është frikacak. Nuk është si këta që lëvizin me eskorta nga frika. Meta nuk ishte në makinë me asnjë njeri tjetër dhe nuk ishte i shoqëruar me eskorta, nuk pati rezistenccë, u tregua shumë i sjellshëm dhe shumë i eduktuar. U kërkoi mandatin “ju lutem kush jeni ju, pse duhet të vij”. Ata në asnjë moment nuk dëgjonin fjalën e Metës. Ata vetëm tërhiqnin me forcë Metën dhe mua nga ana tjetër. Më pyetën mua se “kush je ti”. Ju thashë që jam “Sekretari Organizativ i Partisë”. Ju lutem i thashë “na tregoni se çfarë kërkoni”. Na thanë “do të vini me ne”. Na morën nga bluza dhe na tërhoqn zvarrë, ne nuk ushtruam asnjëlloj rezistencë.
Ndaj Metës rëndojnë 3 akuza penale, për “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “mosdeklarim pasurie”.
Arrestimi i Metës, Gjokutaj: Kjo është goditje politike, sistemi i drejtësisë ka rënë dhe u vërtetua sot
Avokati Genc Gjokutaj në një konferencë për mediat, është shprehur se arrestimi i ish-Presidentit Ilir Meta është një goditje politike në prag të zgjedhjeve.
Gjokutaj thekson se tashmë ka rënë sistemi i drejtësisë dhe kjo është vërtetuar me arrestimin e Metës ditën e sotme. Avokati tha se nuk ka asnjë provë që implikon Ilir Metën në çështjen për të cilën akuzohet.
Genc Gjokutaj: Një pjesë të mirë e ezuroi zoti Blushi. Doja tu tërhiqja vëmendjen ju shtypit dhe opinionit publik sepse duhet ta kuptoni që është i njëjti trajtim jo ligjor i liderëve të opozitës. Keni parasysh që goditja e parë zotit Meta i është dhënë në pozicionin e Presidentit të Republikës me akte të falsifikuara. E gjithë kjo është eleminimi politik i tij si një pengesë e madhe për rilindjen dhe mazhorancën. Sot merret me një çështje penale që është një çështje e gjykuar që zoti Meta ka dhënë sqarime të hollësishme. Nuk ka asnjë provë që ta implikojë zotin Meta. Kjo është një e vërtetë që do të referohet edhe në aktet e dosjes sepse aktet aty janë. Një çështje e gjykuar nga një kallëzues që ka dhënë ose dëshmi të rremë ose kallëzim të rremë dhe përpara SPAK nuk ka qenë identik në rrëfimin e tij dhe në të dyja rastet zoti Meta nuk implikohet. Kjo është një goditje pastërtisht politike në prag të zgjedhjeve dhe kjo është dritë dielli dhe për më tepër duke u drejtuar nga drejtuesi i saj Altin Dumani që ka konflikt interesi në këtë çështje. Ai nuk mund të jetë hetuesi i kësaj çështje. Në këto raste këto janë ato elementet që e bëjnë këtë proces jo të rregullt ligjor.
Cili është qëllimi, qëllimi është politik dhe aspak ligjor. Goditja po të ishte do të ishte në fillim kur çështja filloi. Përse nuk është vepruar. Po se çfarë qëndron pas këtij arresti nuk e thonë. Kemi të bëjmë me një strukturë që duhet të ishte ligjore dhe veprën e korrupsionit nuk ngurojnë të thonë që korrupsioni konsumohet edhe duke zbatuar ligjin.
Ka rënë sistemi i drejtësisë dhe rënia e sistemit të drejtësisë provohet me episodin e sotëm me arrestimin e zotit Meta. Do të vazhdojmë të gjithë betejën ligjore në të gjitha shkallët e ankimit krahas formave të tjera të protestës. Kaq mund t’ju themi sot.
Arrestimi i Metës/ Blushi: Akt terrorist, Rama i ka shpallur luftë opozitës
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi thotë se arrestimi i ish-Presidentit Ilir Meta është një akt terrorist nga ata që i quan “kriminelë nën uniformë të narko-policisë”. Në një konferencë për mediat, Blushi akuzon Kryeministrin Rama, për të cilin thotë se qëndron pas arrestimit të Metës.
Tedi Blushi: Akt i pashembull terrorist. Kriminelët nën uniforma të narko-policisë kryen një prej krimeve më të pashembullta në Shqipëri duke rrëmbyer ish-Kryeministrin, ish-Kryetarin e Kuvendit dhe ish-Presidentin Ilir Meta, i cili edhe pse me imunitet dhe gjoja nën mbrojtje nga Garda, i tradhtuar dhe prej tyre, u rrëmbye nga dhjetra kriminelë nën uniformë të cilët i paralajmëroi që nga ky moment e kanë personale me shqiptarët e ndershëm sepse kanë marrë një detyrë që vetëm banditë dhe kriminelë mund ta bëjnë. Më e rëndë është dhuna fizike që këta terroristë kanë ushtruar sot ndaj ish-Presidentit duke kënaqur egon e kryemafiozit, Edi Rama, i faktuar botërisht si Kryeministri i vetëm në botë, i cili ka pritur në zyrë, përfaqësuesit e krimit të organizuar.
Akti i sotëm është një shpallje lufte ndaj opozitës që nga ky moment dhe që nga dita e sotme, i ka 2 drejtuesit të ndaluar politikisht. Tejkalimi i çdo vije të kuqe do të marrë edhe përgjigjen e popullit opozitar dhe të gjithë shqiptarëve të ndershëm në të katër anët e botës. Hakmarrje primitive e Ramës që përmes xhelatëve kreu aktin e fundit duke arrestuar në mënyrë kriminale liderin dhe Presidentin e PL-së, Ilir Meta. Të gjithë ata që kanë pasur shpresë tek sukseset, sot u bindën se në këtë vend nuk ka drejtësi. Kur ky akt kriminal në mes të ditës para qindra qytetarëve ndodh ndaj një ish-Presidenti, imagjinoni se ç’do të ndodhë sot e në vijim me secilin prej jush, me çdo qytetar të pambrojtur.
Kjo është beteja e të gjithë shqiptarëve të ndershëm që e duan atdheun, familjen dhe kombin shqiptar. Ndaj Metës nuk ka akuzë të mbështetur mbi fakte dhe prova, nuk ka prova e dokumente e dëshmi të vërtetë që e implikon atë në aferë korruptive. Proces i inskenuar nga Rama dhe i zbatuar nga xhelati i tij në krye të kësaj strukture terroriste sepse akuzat e vetme për të cilat Meta është ndaluar: Mbrojtja e interesit kombëtar, mbrojtja e çështjes së Kosovës, beteja e tij e jashtëzakonshme për mbrojtjen e çështjes së detit. Edi Rama do të marrë përgjigjen më shembullore nga shqiptarët e ndershëm dhe patriotë nga të katër anët e botës. Ne jemi duke identifikuar të gjithë skuadrën terroriste që ka marrë pjesë sot dhe do ju faktojmë me prova lidhjet e tyre kriminale.
Berisha për arrestimin e Metës: Kriminela me uniformë e rrëmbejnë dhe godasin pas koke!
Teksa ka postuar pamjet e arrestimit të ish-Presidentit Ilir Meta, kryedemokrati Sali Berisha thotë se e denon me forcë ‘këtë akt montruoz’.
“Kriminelë me uniformë rrëmbejnë dhe godasin mbas koke publikisht, me porosi të Edi Ramës ish- Presidentin, ish-Kryeministrin dhe ish-Kryetarin e Parlamentit Ilir Meta! Dënoj me forcën më të madhe aktin e tyre monstruoz!”, shkruan ai përmes një postimi në Facebook.
Arrestohet me urdhër të SPAK ish-Presidenti Ilir Meta (Të gjitha zhvillimet)
Është arrestuar me urdhër të SPAK kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta. Ish-presidenti akuzohet për “korrupsion“, “pastrim parash” dhe “mos deklarim pasurie“.
Raportohet se Meta është vënë në pranga rreth orës 12:20 nga agjentët e BKH-së te Kthesa e Kamzës teksa po shkonte drejt selisë së partisë. Ai kishte planifikuar konferencë për shtyp sot në orën 13:40.
Po me urdhër të SPAK, “detyrim paraqitje” është caktuar ndaj ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi.
Kujtojmë se Meta ka qenë disa herë në SPAK ku është pyetur për llogari të një hetimi në lidhje me një pagesë të bërë për lobim në Shtetet e Bashkuara. Po ashtu, Prokuroria e Posaçme ka nisur prej kohësh një hetim pasuror ndaj tij dhe ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi.
Prokuroria e Posaçme ka të regjistruar më herët të paktën 3 procedime penale që kanë bazë kallëzime të bëra nga qytetarë, por edhe persona të tjerë që lidhen me ish-presidentin Ilir Meta, por edhe Kryemadhin.
Kallëzime të cilat janë përkthyer në procedime të regjistruara për çështje të korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë./tvklan.al