Për herë të tretë, kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ngjit shkallët e Prokurorisë së Posaçme.

I pyetur nga gazetarët se për çfarë është thirrur, ai tha se “do shkojë te Dum Dumani”, referuar kreut të SPAK, Altin Dumani. Nuk i kurseu sërish akuzat ndaj këtij të fundit…


 “A e njihni Dum Dumanin kush është? Dum Dumani është ai që s’guxon të hapë çështjen McGonigal, se është kokë e këmbë bashkë me Edi Ramën. Dum Dumani është ai që s’guxon të përmendë njëherë emrin e Edi Ramës. As për çështjen e Sali Berishës…Unë po shkoj te Dum Dumani”, deklaroi Meta.

Meta ka qenë dhe më herët në SPAK, ku është pyetur për hetimet mbi marrëveshjen e CEZ me kompaninë DIA në 2009-ën. Hetimet e SPAK lidhen me privatizimin e kompanisë dhe dyshimet për abuzime me mbledhjen e borxheve. Por për të ka dhe dy kallëzime të tjera.

I pari i bërë nga Halit Valteri për lobimin në SHBA dhe i dyti për një tjetër çështje që ka të bëjë me shpenzime në një klinikë jashtë Shqipërisë. Për secilën, kryetari i PL është shprehur se “nuk ka asnjë shqetësim”.

Kujtojmë se ditën e djeshme në pyetje nga prokurorët u mor bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi. Deputetja qëndroi brenda ambienteve të Prokurorisë mbi 5 orë. Për gazetarët deklaroi se është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni sa i takon hetimit pasuror ndaj saj. Mohoi të jetë ngritur ndonjë akuzë.

E.D/tvklan.al