Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, mandatoi liderin e Partisë së Lirisë (FPO), Herbert Kickl, të provojë të formojë një qeveri të re, pasi javën e kaluar dështuan përpjekjet për formimin e qeverisë pa këtë parti. Nëse Kickl ia del ta formojë qeverinë, atëherë Austria do të udhëhiqet nga një qeveri e ekstremit të djathtë për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Partia e Lirisë që është kundër emigracionit, euroskeptike dhe kundërshton sanksionet ndaj Rusisë, fitoi zgjedhjet parlamentare shtatorin e shkuar. Ajo mori 28.8% të votave, duke e lënë në vendin e dytë partinë konservatore të kancelarit në largim, Karl Nehammer.
Por, në tetor, presidenti Van der Bellen ia tha mundësinë e parë Nehammerit për të formuar qeverinë e re. Vetë Nehammer është zotuar të mos bëjë koalicion me Partinë e Lirisë derisa Kickl të jetë udhëheqës i saj, ndërsa partitë e tjera nuk pranojnë fare të bashkëpunojnë me Partinë e Lirisë.
Përpjekjet për të formuar aleancë qeveritare pa partinë e ekstremit të djathtë dështuan në ditët e para të vitit të ri dhe Nehammer njoftoi të shtunën se do të jepte dorëheqjen. Partia e Popullit më pas la të kuptohej se mund të jetë e hapur për të bashkëpunuar me Kicklin.
Nuk është e sigurt se bisedimet për koalicion mes së djathtës ekstreme dhe konservatorëve do të jenë të frytshme, por tani për tani nuk ka opsione të tjera reale në Parlament, dhe sondazhet tregojnë se zgjedhjet e reja mund ta forcojnë edhe më shumë Partinë e Lirisë.
Në programin e saj zgjedhor të titulluar “Fortesa Austri,” Partia e Lirisë bën thirrje për “riatdhesimin e të huajve të paligjshëm”, për krijimin e një kombi “më homogjen” duke kontrolluar rreptësishtë kufijtë dhe pezullimin e të drejtës për azil përmes një ligji emergjent.
Partia e Lirisë gjithashtu kërkon heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, është shumë kritike ndaj ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën dhe dëshiron të largohet nga nisma e mbrojtjes raketore, European Sky Shield, e nisur nga Gjermania. Kjo parti kundërshton pavarësinë e Kosovës dhe kërkon tërheqjen e njohjes.
Klan News