Abulhkeem Alshater është një nga shumë sirianë që jetojnë në qytetin e vogël austriak të Kritzendorf. Ai po kujdeset për pastrimin e qytetit pasi përmbytjet e Shtatorit shkaktuan dëme të mëdha. Katër muaj më vonë pas asaj fatkeqësie natyrore , 44-vjeçari është i shqetësuar për të ardhmen e tij në këtë shtet.
Gjatë zgjedhjeve Partia e Lirisë, e ekstremit të djathtë, nën drejtimin e Herbert Kickl doli si partia më e madhe me 29% të votave. Presidenti austriak Alexander Van der Bellen ngarkoi Kickl, kreun e Partisë së Lirisë, euroskeptike, miqësore me Rusinë, me detyrën e formimit të një qeverie koalicioni.
Gjatë fushatës së tij zgjedhore ai u zotua se do të miratonte ligje më të ashpra për azilin dhe do të godiste emigracionin e paligjshëm nëse fitonte. Por këto premtime të tij nuk janë pritur mirë nga shumë emigrantë të huaj që jetojnë në këtë vend mes tyre edhe ky 44-vjeçar.
“Unë nuk kam frikë për veten time, por kam frikë për familjen time dhe fëmijët e mi. Ata tani do të diskriminohen kudo dhe do të përballen me shumë urrejtje dhe racizëm”, tha Alshater.
Tani ai druhet se do të ketë një valë urrejtjeje ndaj emigrantëve si ai.
“Unë punoj, paguaj taksat. Kickl mund të thotë çfarë të dojë, por nuk mund të bëjë asgjë. Ne jetojmë në një shtet ligjor këtu, ka një Kushtetutë. Por megjithatë, do të ketë shumë urrejtje dhe racizëm nuk do të jetë mirë as për median, ai dëshiron të kufizojë edhe shtypin”, tha Alshater.
Për t’i ikur luftës nga atdheun e tyre, numri i sirianëve që jetojnë në Austri u rrit më shumë se tetë herë midis 2015 dhe 2024, sipas të dhënave zyrtare, me 95 180 atje që nga Janari 2024.
Alshater, me profesion piktor që tani jeton në Vjenë, mbërriti në vitin 2015, ai është gjithashtu kreu i ‘Komunitetit të Lirë Sirian’, një grup i themeluar në Vjenë për të promovuar demokracinë dhe për të lehtësuar integrimin më të mirë të të gjithë atyre emigrantëve të huaj të cilët zgjedhin këtë vend për të jetuar.
Me origjinë nga Homs, Alshater, i cili ishte një aktivist i të drejtave të njeriut në Siri, thotë se mund të kthehet në shtëpi vetëm kur të ketë liri dhe demokraci të vërtetë, diçka që ai mendon se do të arrihet pas shumë vitesh.
“Unë mendoj se kur të ketë liri dhe demokraci dhe të ketë një shtet të së drejtës, atëherë unë do të kthehem. Kur të jetë e sigurt si Evropa. Por kjo nuk do të ndodhë. Do të duhet shumë kohë, të paktën 10-20 vjet nëse është e mundur”, tha Alshater.
Për gazetarët e agjencisë së lajmeve Reuters ai shprehet se organizata e tij po merr shumë telefonata dhe mesazhe nga njerëzit që pyesin se çfarë duhet të bëjnë kur Herbert Kickl te marrë pushtetin.
“Në Siri u rrëzua një diktator dhe në Austri disa politikanë tani janë të lumtur, jo se civilët tani janë të sigurt, por janë të lumtur që refugjatët tani mund të deportohen. Si organizatë ne e shohim këtë çnjerëzore dhe të papranueshme. Çdo ditë ne marrim shumë telefonata dhe mesazhe nga njerëzit që pyesin se çfarë duhet të bëjnë”, tha Alshater.
Ndërsa për austriakët si Josef Binder me profesion marangoz në Vjenë, ardhja në pushtet e partisë së ekstremit të djathtë e lumturon.
Binder është i zhgënjyer me kushtet e punës dhe politikën dhe kjo është arsyeja pse, thotë ai mbështet Partinë e Lirisë së ekstremit të djathtë, duke thënë se udhëheqësi i tyre, Herbert Kickl, sipas tij është një njeri me integritet të madh dhe ka në zemër interesin më të mirë të qytetarëve.
“Unë mendoj se ai është një njeri shumë i besueshëm dhe një person që nuk mposhtet. Unë mendoj se ai është një person që nuk e lejon veten të korruptohet. Ndoshta atëherë ai mund të duket i rrezikshëm nga këndvështrimi i të tjerëve, por në realitet ai nuk është aspak i rrezikshëm”, tha Binder.
Binder e konsideron veten një nga personat e paktë që kanë mbetur që ofron shërbime të zdrukthtarisë dhe lyerjeve . Një marangoz me profesion, ai e mori kompaninë nga prindërit e tij, të cilët edhe pse në pension, ende e ndihmojnë herë pas here.
Kompania në distriktin Inzersdorf të Vjenës operon që nga viti 1974 dhe tani aktualisht ai ka një ekip prej 15 vetash.
I vetëm në zyrë dhe me disa dokumenta me të cilat punon ai thotë se rritja e pakënaqësisë mbi ekonominë e Austrisë është një arsye e rëndësishme për të mbështetur partinë e ekstremit të djathtë.
“Unë u befasova vërtetë nga rezultatet e zgjedhjeve, por edhe i kënaqur. Një qeveri nën drejtimin e Kickl është zgjidhja më e mirë për Austrinë në këtë fazë, ku tani po përballemi me probleme të mëdha ekonomike, ndoshta edhe në Evropë në tërësi”, tha Binder.
Binder, i shqetësuar për punonjësit e tij, dëshiron të shohë më shumë njerëz që punojnë me kohë të plotë dhe të ketë më shumë stimuj për të punuar.
“Unë mendoj se na duhen më shumë njerëz që punojnë me kohë të plotë. Dëgjoj në shumë biseda njerëz të cilët janë të lumtur dhe krenarë që punojnë pak dhe ja dalin në fund të muajit. Kjo është e padrejtë për njerëzit që duan të punojnë nga mëngjesi në darkë dhe që mundohen fizikisht njësoj si punonjësit e mi të cilët sërish janë më të varfër krahasuar me profesione të tjera”, tha Binder.
Që nga Shtatori, Partia e Lirisë është rritur në sondazhe në rreth 35 përqind.
Nëse Kickl formon me sukses një qeveri të re, ai do të bëhej kancelari i ri i Austrisë dhe lideri i parë i ekstremit të djathtë në vend që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Me Kickl në krye, Austria do t’i bashkohej bllokut në rritje pro-Kremlinit në Evropën Qendrore, të udhëhequr nga Viktor Orbán i Hungarisë dhe Robert Fico i Sllovakisë, me Republikën Çeke që mund të ndjekë shembullin nëse populisti Andrej Babiš fiton zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Tetor.
Klan News