Edhe këtë të martë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, vijoi me argumentet e tij kundër dosjes së SPAK ku hetohet për korrupsion e pastrim parash.

Ai sërish u fokusua te dyshimet e ngritura nga Prokuroria se posedon një vilë në Qerret, duke kundërshtuar që logimet e numrit të tij të telefonit në këtë zonë të kenë qenë për shkak të aksesit në këtë pasuri.

Erion Veliaj: Më paska kapur me shtëpi në dorë nga qelizat e telefonit tim, i cili rezulton të ketë lëshuar sinjal 87 herë në zonën Kavajë, Lekaj, Golem, Harizaj, Mali i Robit, Gosë, Synej, gjatë muajve Prill-Maj 2023. Këtë idiotësi e paska ruajtur si as nën mëngë, se nuk më pyeti kur më kishte përballë e më pyeste për fustanët e gruas, por po të më pyeste do ia kishte kursyer vetes dhe SPAK-ut një turp të tillë.  Gjatë vitit 2023, unë kam drejtuar fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste në Rrogozhinë e Kavajë, (madje, dy herë në Rrogozhinë), në cilësinë e Drejtuesit Politik të Qarkut të Tiranës; dhe në vitin 2024, në po këto bashki, kam drejtuar fushatën e anëtarësimeve të reja në PS.

Në Facebook, Veliaj gjithashtu postoi disa foto dhe video nga fushata, teksa ironizion sërish prokurorin e çështjes.

Erion Veliaj: Po telefoni im ka lëshuar sinjal në atë kohë edhe te Kisha Katolike në rrugën e Kavajës, kur kam vajtur për të inspektuar punimet me Patër Zefin, por si duket, meqë Kisha është përballë pallatit të prokurorit tim ndërtues, do jetë trembur nga afrimiteti i krimit tim me ndërtimin e tij. Kështu është kur të bëjnë prokuror shoqet dhe të marrin në SPAK shokët – pa kriter e pa procedurë, e kështu, një miks mes injorancës e arrogancës bëhesh vrasës i gatshëm dinjitetesh njerëzore.

Veliaj është duke qëndruar në paraburgimin e Durrësit që prej 13 Shkurtit, teksa ka kërkuar në Gjykatën e Apelit lirinë.

Tv Klan