Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ka kritikuar sot homologun e Ukrainës Volodymyr Zelensky, duke cituar “pikat” e Kremlinit mbi luftën. “Mendoj që e kam fuqinë t’i jap fund kësaj lufte, dhe gjithçka do shkojë mirë. Por sot dëgjova “Oh, nuk ishim të ftuar”. Epo, ti ke qenë atje për 3 vite rresht, duhet t’i kishe dhënë zgjidhje në këto 3 vite. Nuk duhet të kishe nisur kurrë përplasjet, mund të arrije një marrëveshje”, deklaroi ai për Ukrainën.

Sipas mediave të huaja kjo është një deklaratë e rreme, pasi siç të gjithë e dimë nuk ishte Ukraina ajo që e inicioi luftën në Shkurt të 2022-it. Gjithçka u bë me urdhër të Presidentit rus Vladimir Putin. Trump ka theksuar po ashtu se ai mund të arrinte një pakt për Ukrainën që do i kthente të gjithë territorin dhe shumë njerëz mbase s’do ishin vrarë. Por, sipas tij, ai zgjodhi mënyrë tjetër. (referuar Zelenskyt)

Nga resorti i tij në Florida, u shpreh për Zelenskyn kështu: “Ai është mirë, por mua më intereson të mbaroj punë. Ti ke pasur një lidership dhe nuk e ka penguar këtë luftë, gjë që s’duhet të kishte ndodhur kurrë.”

Shtoi po ashtu se nuk ka asnjë kundërshti për dërgimin e trupave nga shtetet europiane në Ukrainë, në kuadër të misionit paqeruajtës.

Theksojmë se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia ranë dakord për 4 parime pas bisedimeve që zgjatën më shumë se 4 orë në Arabinë Saudite. Më kryesorja, caktimi i një ekipi të nivelit të lartë për të ndihmuar “negocimin për përfundimin e konfliktit në Ukrainë” në një mënyrë që “është e pranueshme për të gjitha palët”. Nga ana tjetër, Zelensky, i cili nuk ishte i ftuar në bisedime, tha se Ukraina nuk do t’i “dorëzohet ultimatumeve të Rusisë”.

/tvklan.al