Edhe për shkak se pyetjet u fokusuan më së shumti tek drejtësia, por edhe pse e ka shpallur tanimë qëndrimin e ri ndaj SPAK-ut për të kërkuar standarde, Rama u ndal gjatë tek reforma në drejtësi, të cilën nën dritën e zhvillimeve të fundit në Amerikë gjeti rastin të sigurojë dhe njëherë se reformën e bëri ai dhe PS-ja dhe jo SHBA-ja.

Edi Rama: Tani edhe Amerika është tërhequr siç e keni parë, nga kjo punë dhe nëse SPAK-un do ta kishte sjellë Amerika, tani që Amerika është tërhequr nga kjo punë, do ta kishte marrë me vete në Amerikë, po jo. SPAK është këtu dhe SPAK ka vetëm një garanci dhe ua u kam thënë, po ia u them dhe do t’iua u them: e vetmja garanci për mbijetesën dhe shkuarjen përpara.

Garanton se do të jetë dhe mburoja e kësaj reforme dhe institucioneve të dala prej saj, përballë objektivit të hapur të Berishës për t’i shkrirë.

Edi Rama: E thotë troç na jepni votën të shkrijmë SPAK-un. SPAK-u ka vetëm një garanci, Partia Socialiste e Shqipërisë dhe unë në krye të saj.

Por e akuzon SPAK-un se po kryen veprime kriminale kur bashkëpunon me mediat duke i furnizuar me sekrete hetimor.

Edi Rama: Të papranueshme, sepse në atë institucion ndodh diçka që është e paligjshme, e dënueshme, kriminale. Ndodh bashkëpunimi me mediat dhe nxjerrja e sekretit hetimor në mënyrë të vazhdueshme për të intimiduar, për të linçuar njerëz paraprakisht.

Kush e akuzon se po ndërhyn në një pushtet tjetër siç është ai gjyqësor, i bën krahasimin me qasjen e Berishës kur pengonte drejtësinë për 21 Janarin dhe atë që i mbajti për arrestimin e Veliajt që vazhdon ta quajë të padrejtë.

Edi Rama: Jam kundër ndalimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, është i gabuar, është disproporcional, është i panevojshëm për të vazhduar hetimet dhe për të bërë një gjyq të drejtë, por ama, si mund të ndaloj unë ekzekutimin? E pra, në këtë vend ka ndodhur dhe nuk ka ndodhur përpara 100 vjetësh.

Pavarësisht se filantropi Xhorxh Soros është shpallur nga administrata Trump si armik i demokracisë, Edi Rama nuk e mohon miqësinë me të dhe të birin që prej disa vitesh është vendosur në krye të Fonadacionit “Shoqëria e hapur”.

Edi Rama: I kam pasur dhe do i kem miq dhe jam shumë krenar për atë miqësi që kemi shumë të qartë bashkë. Përrallat dhe historitë propagandistike që kërkojnë të lidhin gjëra që as nuk kanë lidhje fare, mua nuk më impresionojnë. Dhe siç kam miq Aleksin, të atin, kam dhe miq të tjerë që nuk janë miq me ta por unë nuk bëj spekulime dhe abuzime me miqtë.

Duke ju referuar deklaratave të Komisioneres së Zgjerimit për përmbylljen e procesit teknik të negociatave në 2027, thotë se arsyeja e vetme pse po përballon baltën e 12 viteve në pushtet është një ambicie e vjetër për të cilën “luftoi” dhe me Fatos Nanon për t’i marrë drejtimin e PS.

Edi Rama: Është vetëm një fotografi me të cilën zgjohem dhe me të cilën fle. Fotografia që dua ta bëj dhe ta postoj këtu në Facebook duke thënë: misioni u përmbush, Përqafime të gjithëve, Edi Rama. Fotografia ku do të jetë e shkruar ALBANIA në tryezën e Këshillit Europian.

Si Rama, ashtu dhe drejtuesi politik i diasporës me të cilin nisi komunikimin e sotëm virtual, kërkojnë nga KQZ të bëjë më shumë informim publik përmes reklamave për procesin e regjistrimit për emigrantët.

Tv Klan