Pas 10 vitesh nga miratimi i reformës në arsimin e lartë ekspertët vendas e të huaj përfshirë drejtuesit e universiteteve publike dhe private të kontraktuar nga ministria e Arsimit mendojnë se ligji i arsimit të lartë ka nevoje për t’u rishikuar.
Arsyet të cilat renditen në strategjinë e Arsimit të Lartë 2030 lidhen dhe me programet e reja të kombinuara që duhet të ofrojnë universitete për tu përshtatur më mirë me kërkesën e tregut të punës, mësimdhënie hibride në auditore dhe online, por dhe që financimet për universitet të jetë i bazuar mbi performacën e tyre.
Edhe vetë kryeministri e sheh si momentin përshtatshëm rishikimin e ligjit për arsimin e lartë.
“Ka kaluar e gjithë koha e nevojshme për të rishikuar kuadrin ligjor në ato që kemi mësuar nga eksperienca por nga çfarë na kanë mësuar zhvillimet e reja rreth e rrotull, apo edhe aleancat e ndërtuara tanimë nga universitetet, falë një hapi shumë të rëndësishëm që kemi bërë dhe për këtë jam shumë krenar si qeveri, duke thyer atë murin ndarës midis BE dhe vendeve jashtë BE, pasi Shqipëria ka qenë në pararojë të kësaj beteje dhe faktikisht në samitin e bërë këtu në Tiranë të Bashkimit Europian, u vendos që edhe për universitet europianë që nuk janë në BE, pra edhe për vendin tonë, të hapet mundësia e futjes në aleancën europiane të universiteteve”, shprehet Rama.
Kryeministri përmend mbështetjen financiare që ju është dhënë universiteteve deri tani, por flet për sfidën e sfidave që sipas tij është investimi tek cilësia e vetë stafeve akademike.
“Lidhur me nevojën e zgjerimit të bazës financiare, kemi zgjeruar bazën dyfish për arsimin e lartë, ndërkohë që kemi pesëfishuar bazën financiare për kërkimin shkencor, flas për buxhetin, përtej atyre që kanë mundur të përfitojnë universitetet. E vërteta është që nga sa mund të vërejmë edhe ne së jashtmi, nuk bëhet një sforco e mjaftueshme për rritjen e cilësisë së stafit akademik. Pra, patjetër që ne të gjithë, ju në radhë të parë, ne në mbështetjen tuaj jemi në funksion të rritjes së cilësisë së studentëve, por rritja e cilësisë së studentëve kalon medoemos përmes rritjes së cilësisë së stafit akademik”, tha Rama.
“Dobësia” e Ramës pas mandatit e tij të dytë është karahasimi me kundërshtarët në çdo sektor dhe sjell një histori si dëshmi se studentët trajtoheshin si klientë në kohën e universiteve private të PD.
Garanton mbështetje financiare, por kërkon nga universitetet t’i kthejnë sytë dhe të investojnë për teknologjinë dhe inteligjenca artificiale në veçanti.
Tv Klan