Edi Rama i është kthyer kritikave ndaj BE. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih ku ishte i ftuar së bashku me homologun e Maqedonisë së Veriut dhe Komisioneren e Zgjerimit Marta Kos të flisnin për anëtarësimin e sheh rikthimin e presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë si një dhuratë nga Zoti që BE të zgjohet nga gjumi. Sipas tij unioni, duhet të heqë dorë nga burokracia dhe të kthejë vëmendjen tek ajo që vlen vërtetë për kontinentin, bashkimi duke patur parasysh dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe fuqizimi ekonomik.

“Zgjedhja e Donald Trump është akti më bujar i Zotit kundrejt Bashkimit Europian, për t’i dhënë një shans shumë të madh Europës të zgjohet dhe Europa duhet së pari të mos jetë kaq vetë referente”, tha Rama.

Sipas Ramës procesi i anëtaresimit vetëm në meritë nuk mund të jetë mundësia e vetme që unioni duhet të vlerësojë për vendet kandidate, por të investoje rritjen ekonomike të këtyre vendeve.

“Besoj që ka ardhur koha që të bëjmë një ndarje shumë të qartë dhe shumë të menjëhershme. Procesi i bazuar në meritë duhet të jetë vetëm për një gjë, për të drejtën e votës në Këshillin Europian. Bazuar në meritë nuk mund të nënkuptoj sjelljen e të gjitha vendeve të BE-së në tregun e përbashkët. Të gjithë në kontinent, Komuniteti Politik Europian, tashmë duhet të shndërrohet në platformën e re dhe Bashkimi Europian duhet të investojë shumë mendim, duhet të bëhet një kontinent shumë ndryshe bazuar pikë së pari në dhënien e mundësive të reja gjithkujt për t’u rritur ekonomikisht dhe për të qenë  në një pozitë më të mirë. Në të kundërt do të jetë e pamundur”, tha Rama.

Për Ramën në këtë moment të përballjes me politikat e reja ekonomike të SHBA vetë BE ka më shumë nevojë për të gjitha vendet që janë në kontinent, por s’janë pjesë e BE-së.

“Zgjerimi është trajtuar gjithmonë si një lloj bujarie. Problemi është që nëqoftëse BE do të dojë të dalë nga të gjitha këto kriza duhet të bashkohet si Europë. Dhe ashtu siç ka thënë doktor Kissinger, Amerika pa Europën është thjeshtë një ishull, por që sherifi në atë ishull të marrë seriozisht BE, BE duhet të bëhet më i fuqishëm dhe shifrat kanë vlerë për sherifin. Kështu që ne duhet të shfaqemi te dera e sherifit si një treg 700 milionësh”, tha Rama.

Fokusi i investimeve vetëm tek mbrojtja për kryeministrin shqiptar lë jashtë vëmendjes sektorë jetik për të ardhmen e kontinentit, sicc është arsimi fjala vjen.

“Ka një nxitim për të investuar në mbrojtje dhe nuk kam dëgjuar kurrë asgjë më traumatike, më tronditëse e më të marrë sesa duhet të lëmë mënjanë arsimin, kujdesin shëndetësor dhe pjesën tjetër sepse tani përparësia jonë është të mbijetojmë. Nëqoftëse përgjigjja për të pasur më shumë investime, për të pasur më shumë fuqi ushtarake është të shndërrohemi në një kontinent injorance, atëherë mendoj që nuk vlejmë për asgjë dhe më mirë të vijë të na pushtojë dikush. Shqipëria ka qenë gjithmonë gati që të pushtohet nga amerikanët apo nga europianët. Problemi është që asnjeri s’do të na pushtojë. Europa duhet të mendoje në dy drejtime. Po, më e fuqishme ushtarakisht, por edhe më e fuqishme ekonomikisht. Dhe më e fuqishme në të gjitha sfidat që lidhen me të ardhmen”, tha Rama.

Tv Klan