Seanca plenare
“Jemi dhunuar fizikisht”, Vokshi: Ndalimi i deputetëve i qëllimshëm, të tmerruar nga mosbindja civile
Deputetja e PD-së Albana Vokshi në një prononcim për mediat jashtë sallës së Kuvendit është shprehur se deputetët janë dhunuar fizikisht.
Vokshi thekson se ndalimi i deputetëve që nuk janë të përjashtuar ka qenë i qëllimshëm dhe se Kryetarja e Kuvendit ka dhënë urdhër Gardës pa nisur akoma seanca plenare e ditës së sotme.
Deputetja e opozitës shtoi se kjo gjë nuk do t’i ndalojë dhe se do të vazhdojnë mosbindjen civile që sipas saj ka tmerruar maxhorancën.
Albana Vokshi: Gratë deputete me urdhër të një gruaje deputete u ndaluan fizikisht nga Garda. Garda merr urdhër vetëm nga kryetari e Kuvendit, pavarësisht se Elisa Spiropali thoshte që nuk janë urdhrat e mia. Të na thojë Elisa Spiropali kush e mban peng këtë Parlament. Parlamenti nuk është më i përfaqësuesve të popullit, por është dhunuar nga ata që janë bërë palë me krimin e organizuar dhe bandat.
Shifeni se si kanë vënë hekurat është kthyer në një burg të sigurisë së lartë. Jemi një ditë pas hapjes së kapitujve. A është institucion demokratik ky. Ky është burg, nuk është Parlament ku gratë deputete u dhunuan fizikisht, nuk u lejuam të futeshim brenda, u dhunuam fizikisht. Cili Parlament që aderon Bashkimi Europian ndodh kjo. Garda ka marrë urdhër sot që të mos lejohen deputetët e opozitës pa nisur seanca. Ka qenë e qëllimshme ndalimi i deputetëve. Kjo është e paprecedentë. Mundohen të na pengojnë.
Brenda lejojnë përfaqësuesit e krimit të organizuar, përfaqësuesit e Bajrave dhe të Pëllumb Gjokës. E kanë kthyer sallën në qelinë e tyre, por ju mendoni se do të heqim dorë? Nuk do të heqim dorë. Këtu do na kenë, mosbindja civile ka nisur. Janë të tmerruar nga mosbindja civile, nga aksioni i opozitës. Do na kenë përballë deri sa ta çlirojmë këtë Kuvend nga bandat. Jemi dhunuar fizikisht. Zonja Hoti u përndoq.
I kushtoi përjashtimin nga seanca, Hoti tregon çfarë hodhi në Parlament: Nuk i trembem SPAK-ut
Sipas demokrates Elda Hoti, ajo që hodhi në Parlament nuk ishte diçka që mund të ju rrezikojë jetën deputetëve pasi siç thotë ajo ishte “aromatizues”.
Gjatë fjalës së saj në një prononcim për mediat, Hoti shprehet se nuk i trembet SPAK-ut, referuar deklaratës së kryeparlamentares Elisa Spiropali, e cili paralajmëroi padi ndaj demokrates Hoti në Prokurorinë e Posaçme.
Elda Hoti: Ajo që hodhëm në Parlament nuk ishte asgjë që mund të ju rrezikojë jetën, ishte një aromatizues, le ta verifikojnë. Unë nuk i trembem as SPAK-ut dhe askujt. Ne nuk na ndalojnë kërcënimet e kësaj bande.
Sipas Hotit, Garda i ka dhunuar pasi nuk i ka lejuar të hyjnë në Parlament teksa ka shtuar se kanë dashur që të ju bënin kontroll fizik, gjë që thotë se është e jashtëligjshme.
Elda Hoti: Nuk mundet Garda që të dhunojë gratë kryesisht, meqë i kanë merak. Jemi dhunuar nga Garda, nuk jemi lejuar të hyjmë në Parlament, donin të na bënin kontroll fizik, e jashtëligjshme. Këta e kanë kthyer Parlamentin në zyrë noteriale. Ky është Parlament i marrë peng nga bandat. Ne nuk do ta ndalojmë betejën tonë!
Kundër mosbindjes civile? Deputeti Shehaj: Duhet mënyrë tjetër, nuk mjafton
Deputeti demokrat, Agron Shehaj thotë se nuk mjafton vetëm protesta, teksa shton se Kuvendi është e vetmja mënyrë që kanë për t’u shprehur. I pyetur nëse është kundër mosbindjes civile, Shehaj është shprehur se duhet një mënyrë tjetër pasi shton se kjo nuk mjafton.
Agron Shehaj: Unë mendoj se thjeshtë protesta nuk mjafton. Kuvendi është e vetmja mundësi që kemi për të folur. Në kushtet kur mazhoranca ka vjedhur, parlamenti mbetet ndër të vetmet mundësi për t’u shprehur.
Pyetje: Jeni kundër mosbindjes civile?
Agron Shehaj: Duhet një mënyrë tjetër, nuk mjafton.
Gjatë fjalës së tij në prononcim për mediat në ambientet e jashtme të Parlamentit, deputeti Shehaj ka ngritur problematikën e mbetjeve toksike.
Agron Shehaj: Po them këtu atë që kisha ndërmend të thoja në Parlament shumë shkurt: Mbetjet toksike në Shqipëri, jo vetëm që janë eksportuar, por edhe janë importuar, një gjë që është tërësisht e ndaluar me ligj. Këtë e thonë mediat më prestigjioze në nivel botëror.
Mjafton të shikojmë se si është ngritur një skemë mashtrimi thjeshtë për të maskuar trafikimin e mjeteve toksike. Në një vend normal, prokuroria minimalisht duhet të kishte marrë në pyetje ministren e Mjedisit, e cila ka përgjegjësinë për monitorimin e mjeteve toksike.
Opozita tenton të djegë banderolën jashtë Parlamentit, ia fik Garda. Flamur Noka i godet me bidon
Deputeti i PD, Flamur Noka tentoi t’i vendoste flakën banderolës së shpalosur prej tyre në ambientet e jashtme të Parlamentit.
Deputetët e përjashtuar të opozitës që qëndrojnë në oborrin e Kuvendit, spërkatën me benzinë pankartën dhe tentuan t’i vendosnin zjarrin. Mirëpo banderola u fik nga punonjësit e Gardës.
Këta të fundit më pas tërhoqën banderolën duke mos e lejuar përfundimisht opozitën që t’i vendoset flakën.
Në nervozizëm e sipër, deputeti i PD Flamur Noka hodhi shishen në drejtim të punonjësve të Gardës.
Spiropali përjashton Elda Hotin: Dil jashtë nga Parlamenti, me ty do të merret SPAK
Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka përjashtuar nga seanca plenare deputeten e opozitës Elda Hotin dhe një deputet tjetër të opozitës.
Deputetja Hoti ka hedhur një material që nuk dihet se çfarë ishte, gjë që ka sjellë reagimin e maxhorancës.
Spiropali i ka bërë thirrje që të largohet nga Parlamenti deputetes Hoti duke theksuar se me të duhet të merret SPAK.
“Ju keni rrezikuar jetën e deputetëve. Zoti Doda ju po rrezikoni jetën e deputetëve në këtë sallë. Ju lutem Garda merni masa. Jeni e përjashtuar nga seanca, dilni jashtë dhe për veprat tuaja ka kallëzim penal. Me ju do të merret Prokuroria e Republikës së Shqipërisë dhe SPAK duhet të merret me ju zonjë, nuk duhet të merret kjo sallë seancash. Zoti Doda ju lutem uluni në vend, dilni jasht jeni e përjashtuar nga seanca. I lutem Gardës të verifikojë se çfarë ishte materiali që u hodh mbi deputetët, duhet të verifikoj. Zonja Hoti dhe zoti Doda dilni jashtë nga salla keni rrezikuar jetën e deputetëve. Dilni jashtë jeni të përjashtuar të dy”, shprehet Spiropali.
Ndërkohë opozita është përplasur sërish me punonjësit e Gardës ditën e sotme në ambientet e jashtme të Parlamentit. Deputetetët opozitarë kanë kërkuar të hyjnë brenda Parlamentit për seancën e sotme plenare, por nuk janë lejuar prej Gardës pasi 24 prej tyre janë përjashtuar nga Sekretariati i Etikës
Karriget e djegura të Parlamentit, Nallbati: T’i paguajë Elisa me Lekët e doganave
Teksa ndodhet në ambientet e jashtme të Parlamentit në përpjekje për të hyrë brenda në seancë plenare, deputeti i opozitës, Bledion Nallbati thotë se kjo është panorama e hapjes së negociatave të qeverisë së kryeministrit Rama.
I pyetur nga gazetari i Klan News, Enkel Xhangoli se a do të respektojë përjashtimin lidhur me aktet e dhunshme në seancë dhe djegien e karrigeve, Nallbati ka thënë se sipas tij, duhet t’i paguajë kryeparlamentarja Spiropali.
Pyetje: Si do të vijojë ky aksion?
Bledion Nallbati: U hapën negociatat, por u mbyllën dyert e Parlamentit.
Pyetje: Do të vijoni të qëndroni këtu?
Bledion Nallbati: Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona deri në maksimum për të treguar fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie që pretendon se ka arritur hapjen e negociatave pas 13 vitesh, në fakt e ka vonuar 13 vite. Kjo është panorama e hapjes së negociatave të qeverisë së Edi Ramës me dyer të bllokuara të Parlamentit, me një numër pafund gardistësh. Me shumë gjasa i kanë marrë borxh nga vendet fqinje.
Pyetje: Ju keni një masë nga Sekretariati i Etikës, a nuk e respektoni atë përjashtim që ju është bërë?
Bledion Nallbati: Ta paguajë Elisa me lekët e doganave.
Flamur Noka: Edhe Hitleri miratonte ligje në bunker, por fundin e pati të shpejtë
Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka e ka konsideruar burg të sigurisë së lartë rrethimin e parlamentit me gardh metalik për të mos lejuar hyrjen e deputetëve të përjashtuar të opozitës.
Noka tha se fundi i qeverisë është i afërt. Demokrati e krahasoi me regjimin e Hitlerit veprimtarinë e Parlamentit.
“Kjo është fytyra e narkoparlamentit, 24 orë pasi shqiptarëve ju tha që po hapim kapitullin e negociatave. E kanë kther në burg të sigurisë së lartë. Aty vetëm përfaqësues të shqiptarëve nuk ka. Tmerr nga e vërteta, fundi po ju vjen. Edhe Hitleri miratonte të gjitha në një bunker të nëndheshëm, por fundin e pati të shpejtë”, u shpreh Flamur Noka.
Opozita bllokon foltoren e Kuvendit, Spiropali: Deputetët u përjashtuan për akte dhune
Mes tensionesh ka nisur seanca plenare e ditës së sotme pasi deputetët pjesëmarrës të opozitës kanë bllokuar foltoren e Kuvendit.
Ata kanë vendosur disa karrige në foltoren e Kuvendit, ndërkohë që afër tyre qëndron një deputet i opozitës.
Megjithatë, kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka vijuar me rendin e ditës, gjë që është ka sjellë reagime nga ana e opozitarëve.
Një kundërpërgjigje për ata ka pasur Spiropali, e cila ka thënë se të gjithë deputetët që nuk kanë kryer akte të dhunshme janë të mirëpritur të hyjnë në Kuvend.
“Janë të përjashtuar për shkak të akteve të dhunshme, të gjithë deputetët e tjerë janë të mirëpritur të hyjnë”, tha Spiropali.
Flamur Noka: Parlamenti sot është shndërruar në burg të sigurisë së lartë
Tensione brenda dhe jashtë Parlamentit/ Opozita përplaset me Gardën, në sallë bllokohet foltorja
Parlamenti i rikthehet sot seancës plenare, pasi javën e kaluar u anulua për shkak të vizitës së Presidentit turk Erdogan.
Por kësaj radhe, Garda ka marrë masa shtesë për të mos lejuar deputetët e opozitës që të hyjnë në Parlament.
Bëhet fjalë për 24 deputetë të opozitës që janë përjashtuar nga seanca me vendim të Sekretariatit të Etikës.
Për të shmangur përplasjet dhe bllokimet e dyerve të Parlamentit nga ana e deputetëve të opozitës, Garda ka vendosur gardh metalik.
Në seancën e fundit pati përplasje mes deputetëve të opozitës dhe gardistëve.
Për vendosjen e gardhit metalik ka reaguar edhe kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi.
“Ky është Kuvendi i Shqipërisë sot në mëngjes! Dera kryesore e tij e rrethuar me hekura dhe me më shumë forca sigurie sesa deputetë. Shqipëria bëhet kështu vendi i vetëm, që nga njëra anë është vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian, dhe nga ana tjetër rrethon hyrjen kryesore të Kuvendit për ta mbrojtur nga deputetët “armiq”! Kuvendi nuk është burg dhe as qeli burgu, edhe pse shumica e përfaqësuesve të mazhorancës qeverisëse duhet të ishte në burg dhe jo në atë sallë. Shndërrimi i Kuvendit në “qelinë e rrethuar me hekura” të Pëllumb Gjokës e të ngjashmëve të tij është një akt që turpëron Shqipërinë dhe çdo shqiptar”, ka shkruar Bardhi në Facebook.
/tvklan.al