Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka përjashtuar nga seanca plenare deputeten e opozitës Elda Hotin dhe një deputet tjetër të opozitës.
Deputetja Hoti ka hedhur një material i lëngshëm që nuk dihet se çfarë ishte, gjë që ka sjellë reagimin e maxhorancës. Hoti pretendon se materiali i hedhur është parfum, por Spiropali ka kërkuar Gardës të verifikojë se çfarë lënde ishte.
Spiropali i ka bërë thirrje që të largohet nga Parlamenti deputetes Hoti duke theksuar se me të duhet të merret SPAK.
“Ju keni rrezikuar jetën e deputetëve. Zoti Doda ju po rrezikoni jetën e deputetëve në këtë sallë. Ju lutem Garda merni masa. Jeni e përjashtuar nga seanca, dilni jashtë dhe për veprat tuaja ka kallëzim penal. Me ju do të merret Prokuroria e Republikës së Shqipërisë dhe SPAK duhet të merret me ju zonjë, nuk duhet të merret kjo sallë seancash. Zoti Doda ju lutem uluni në vend, dilni jasht jeni e përjashtuar nga seanca. I lutem Gardës të verifikojë se çfarë ishte materiali që u hodh mbi deputetët, duhet të verifikoj. Zonja Hoti dhe zoti Doda dilni jashtë nga salla keni rrezikuar jetën e deputetëve. Dilni jashtë jeni të përjashtuar të dy”, shprehet Spiropali.
Ndërkohë opozita është përplasur sërish me punonjësit e Gardës ditën e sotme në ambientet e jashtme të Parlamentit. Deputetetët opozitarë kanë kërkuar të hyjnë brenda Parlamentit për seancën e sotme plenare, por nuk janë lejuar prej Gardës pasi 24 prej tyre janë përjashtuar nga Sekretariati i Etikës.
/tvklan.al