Deputetja e PD-së Albana Vokshi në një prononcim për mediat jashtë sallës së Kuvendit është shprehur se deputetët janë dhunuar fizikisht.

Vokshi thekson se ndalimi i deputetëve që nuk janë të përjashtuar ka qenë i qëllimshëm dhe se Kryetarja e Kuvendit ka dhënë urdhër Gardës pa nisur akoma seanca plenare e ditës së sotme.

Deputetja e opozitës shtoi se kjo gjë nuk do t’i ndalojë dhe se do të vazhdojnë mosbindjen civile që sipas saj ka tmerruar maxhorancën.

Albana Vokshi: Gratë deputete me urdhër të një gruaje deputete u ndaluan fizikisht nga Garda. Garda merr urdhër vetëm nga kryetari e Kuvendit, pavarësisht se Elisa Spiropali thoshte që nuk janë urdhrat e mia. Të na thojë Elisa Spiropali kush e mban peng këtë Parlament. Parlamenti nuk është më i përfaqësuesve të popullit, por është dhunuar nga ata që janë bërë palë me krimin e organizuar dhe bandat.

Shifeni se si kanë vënë hekurat është kthyer në një burg të sigurisë së lartë. Jemi një ditë pas hapjes së kapitujve. A është institucion demokratik ky. Ky është burg, nuk është Parlament ku gratë deputete u dhunuan fizikisht, nuk u lejuam të futeshim brenda, u dhunuam fizikisht. Cili Parlament që aderon Bashkimi Europian ndodh kjo. Garda ka marrë urdhër sot që të mos lejohen deputetët e opozitës pa nisur seanca. Ka qenë e qëllimshme ndalimi i deputetëve. Kjo është e paprecedentë. Mundohen të na pengojnë.  

Brenda lejojnë përfaqësuesit e krimit të organizuar, përfaqësuesit e Bajrave dhe të Pëllumb Gjokës. E kanë kthyer sallën në qelinë e tyre, por ju mendoni se do të heqim dorë? Nuk do të heqim dorë. Këtu do na kenë, mosbindja civile ka nisur. Janë të tmerruar nga mosbindja civile, nga aksioni i opozitës. Do na kenë përballë deri sa ta çlirojmë këtë Kuvend nga bandat. Jemi dhunuar fizikisht. Zonja Hoti u përndoq.

/tvklan.al