Kontejnerë me bombat amerikane nga më të fuqishmet mbërritën natën e kaluar në portin e Ashdodit në Izraeli.
Është fjala për ngarkesën e parë me bomba të llojit MK-84 me peshë mbi 900 kilogramë secila dhe që çan betonin dhe metalet në trashësi të mëdha, duke krijuar kratere të mëdhenj në vendet ku hidhet.
Administrata Biden ia kishte ndërprerë furnizimin me të tilla bomba të fuqishme Izraelit, për shkak të shqetësimeve se ato mund të përdoreshin në zona me popullsi të dendur dhe mund të shkaktonin viktima të shumta.
Rifurnizimi i ushtrisë izraelite me të tilla bomba tregon edhe një herë ndryshimin e qasjes së Uashingtonit drejt një politike miqësore ndaj Izraelit përballë luftës me Hamasin në Rripin e Gazës.
Ngarkesa mbërriti pak orë para se në Jeruzalem të mbërrinte Sekretari amerikan i Shtetit Marko Rubio, vizitën e të cilit në Jeruzalem është interpretuar në mediat ndërkombëtare si një shtysë për planin e Donald Trumpit që ka marrë edhe mbështetjen e kryeministrit Benjamin Netanjahu për rindërtimin e Rripit të Gazës, duke shpërngulur banorët palestinezë.
Tv Klan