Kryedemokrati Sali Berisha ka akuzuar 6 prokurorë të SPAK-ut që sipas tij kanë lidhje me Ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Ballën.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha akuzon Ballën se sipas tij, ai është personi më me pushtet që del më shumë se të tjerët në veprimtari kriminale me bandat pas Kryeministrit Edi Rama.
Sali Berisha: Në këtë Prokurori janë 6 prokurorë që kanë ardhur nga bandat e Taulant Ballës, famozi Shehaj që për mashtrim duhet të ishte në burg. Po ashtu edhe Enkelejda Fetahu. Në dijeninë time pas Ramës, Balla është personi me pushtet që del më shumë se të tjerët në veprimtari kriminale me bandat. Del në lirimin e 2 vrasësve dhe ata janë të lirë.
Pasi ka bërë këto akuza në drejtim të 6 prokurorëve, Berisha është pyetur dhe në lidhje me fatin e SPAK-ut nëse ai do të vijë në pushtet pas zgjedhjeve të 11 Majit. Teksa e ka quajtur “institucion që është jashtë çdo kontrolli”, Berisha ka thënë se SPAK duhet të shuhet me çdo kusht.
Sali Berisha: Të njëjtin fat me bandat do të ketë, ky institucion nuk do të ekzistojë. Një institucion që është jashtë çdo kontrolli, është një institucion për t’u shuar me çdo kusht. Ky institucion nuk mund të kontrollonte kurrë gjykatësit. Ju duhet ta denonconi këtë në mënyrë më të fuqishme.
/tvklan.al