Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla zhvilloi një takim me bashkatdhetarët që jetojnë e punojnë në Parma Itali.

Ai u bëri thirrje që të regjistrohen në portalin e KQZ për të votuar në zgjedhjet e 11 Majit. 

“Besoj se në 17 ditët e mbetura deri më 4 Mars ka ende kohë të mjaftueshme për të dyfishuar numrin e atyre që duhet të bëhen pjesë e votës së 11 Majit. Vota e 11 Majit është një votë e rëndësishme. Bëhet fjalë për zgjedhjet e parë që nga 31 Marsi 1991 ku më në fund ndreqet një gabim ose një borxh historik”, shprehet Balla.

Në fjalën e tij Balla vlerësoi mbështetjen e Italisë në rrugën e integrimit të Shqipërisë, por edhe ndaj italianëve.

“Ne jemi mirënjohës Italisë dhe qeverive italiane pa asnjë dyshim për mbështetjen dhe interesimin ndaj nesh. Shpresoj që në ditët në vijim parlamenti italian të votojë për njohjen e pensioneve për plot 500 mijë shqiptarë që përfitojnë. Pse nuk e negocionin qeveritë më parë? Italia mbetet mbështetëse kryesore e rrugës në BE dhe synojmë të mbyllim rrugëtimin për në BE që 2030 të na gjejë anëtarë të BE-së. Ta ndjeni veten të barabartë mes të barabartëve në familjen e madhe të Europës. Ky është një ribashkim i Shqipërisë me Europën”, theksoi ministri Balla.

Në këto zgjedhje emigrantët do të votojnë për herë të parë. Në seancën e radhës Parlamenti pritet të votojë edhe ndryshimet në kodin elektoral, që kanë të bëjnë pikërisht me votën e diasporës, ndërsa PD ka kërkuar që ata të votojnë me dokumente të shteteve ku jetojnë.

Klan News