Ndërsa zyrtarët amerikanë u përgatitën të dielën për fillimin e bisedimeve me Rusinë për përfundimin e luftës në Ukrainë, udhëheqësit europianë po nxitojnë të formulojnë një përgjigje ndaj qasjes së presidentit Donald Trump që duket se i lë ata dhe Kievin pa ndonjë rol të qartë në proces.

Ambasadori rus në Arabinë Saudite, ku do të zhvillohen bisedimet këtë javë, u takua të dielën me ministrin e jashtëm të mbretërisë. Dy zyrtarë të lartë të administratës Trump, këshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Waltz dhe i dërguari për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, do të fluturojnë drejt Arabisë Saudite për t’u bashkuar me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio për negociatat, i tha zoti Witkoff të dielën televizionit Fox News. Të dielën, sekretari Rubio tha në një intervistë nga Jerusalemi për televizioni CBS News se amerikanët do të shqyrtojnë çdo mundësi “për bisedime më të gjera që do të përfshijë Ukrainën, që do të përfshijë fundin e luftës, që do të përfshijë dhe aleatët tanë në mbarë botën, veçanërisht në Evropë”.

Takimi me Rusinë, edhe pse paraprak, do të sinjalizojë fillimin e negociatave të përshpejtuara falë këmbënguljes së presidentit Trump për një marrëveshje dhe vendosmërinë e tij në dukje për të zhvilluar negociatat vetëm me Rusinë, të paktën tani për tani. Ukraina nuk do të marrë pjesë, konfirmoi të dielën Andriy Yermak, shefi i kabinetit i presidentit Volodymyr Zelensky. Ai tha se Ukraina preferon të hartojë një plan të përbashkët për negociatat me administratën Trump përpara se të takohet me një delegacion rus. Ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky i përsëriti televizionit NBC News qëndrimin e tij për negociatat.

“Unë kurrë nuk do të pranoj asnjë vendim midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për Ukrainën, kurrë. Kjo është lufta në Ukrainë, kundër nesh dhe janë humbjet tona njerëzore,” shton ai.

Në një nismë të inkurajuar fillimisht nga Ukraina, administrata Trump është në bisedime për të siguruar një pjesë të fitimeve nga burimet natyrore të Ukrainës në këmbim të ndihmës për sigurinë. Por kur erdhi propozimi i administratës amerikane, Zelensky refuzoi kushtet, sipas të cilave Shtetet e Bashkuara do të merrnin gjysmën e fitimeve.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga aleatët e tyre europianë se çfarë do t’u nevojitej nga Uashingtoni për të marrë pjesë në marrëveshjet e sigurisë në Ukrainë, sipas një dokumenti të parë nga Reuters.

Demarshi diplomatik i dërguar javën e kaluar, i përbërë nga 6 pika dhe pyetje, kërkon gjithashtu se cilat vende mund të kontribuojnë në garancitë e sigurisë, cilat vende janë të gatshme të dërgojnë trupa në Ukrainë, dhe e çfarë madhësie mund të jetë forca e udhëhequr nga europianët. Vetë udhëheqësit europianë planifikojnë një samit të posaçëm në Paris. Presidenti Emmanuel Macron do të presë liderët europianë, përfshirë kryeministrin e Britanisë të hënën, për një samit urgjent mbi luftën në Ukrainë, pasi zyrtarët amerikanë sugjeruan se Europa nuk do të ketë asnjë rol në asnjë bisedë për t’i dhënë fund konfliktit.

Presidenca franceze tha të dielën se Macron kishte bërë thirrje për “bisedime konsultimi” dhe se ato do të trajtojnë qasjen e ShBA-së ndaj Ukrainës dhe rreziqet për sigurinë e kontinentit europian.

Klan News