“Akulli” diplomatik u thye. SHBA-ja dhe Rusia zhvilluan në Arabinë Saudite bisedimet e para për fundin e luftës në Ukrainë.
Delegacioni i Shteteve të Bashkuara u kryesua nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio i cili pas bisedimeve që zgjatën mbi katër orë u shpreh se të gjitha palët do të duhet të bëjnë lëshime për t’i dhënë fund luftës trevjeçare në Ukrainë.
“Unë do t’ju thoja se për t’i dhënë fund çdo konflikti, duhet të bëhen lëshime nga të gjitha palët. Ne nuk do të paracaktojmë se cilat janë ato. Ne sigurisht nuk do të negociojmë për këtë çështje sot apo në një konferencë për shtyp. Bashkimi Evropian do të duhet të jetë në tryezë në një moment, sepse ata gjithashtu kanë vendosur sanksione, por mendoj se çështja këtu është qëllimi dhe ne ramë dakord se cili është qëllimi. Qëllimi është t’i jepet fund këtij konflikti në një mënyrë që të jetë e drejtë dhe të pranueshme për të gjitha palët e përfshira”, tha Marco Rubio.
Delegacioni rus u përfaqësua nga ministri i Jashtëm Sergey Lavrov dhe Yuri Ushakovin, ndihmës i lartë i udhëheqësit Vladimir Putin.
Edhe ministri i jashtëm rus e konsideroi të frytshëm, takimin e parë dhe tha se i hap rrugën vazhdimit të procesit të paqes.
“Besoj se bisedimet ishin shumë të dobishme. Ne dëgjuam njëri-tjetrin dhe kam arsye të besoj se administrata amerikane është bërë më e ndërgjegjshme për pozicionin tonë të cilin e kemi parashtruar edhe një herë në detaje dhe me shembuj konkretë, bazuar në fjalimet publike të Presidentit Putin”, tha Sergey Lavrov.
I pyetur për mundësinë e ndonjë dislokimi të forcave të NATO-s në Ukrainë, Lavrov e cilësoi propozimin e Perëndimit si të paparanueshëm.
“Presidenti Putin ka theksuar më shumë se një herë se zgjerimi i NATO-s dhe anëtarësimi i Kievit në NATO përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për Federatën Ruse dhe sovranitetin tonë”, tha Lavrov.
Sipas televizonit amerikan Fox News, Uashingtoni dhe Moska kanë propozuar një plan me tre faza për fundin e luftës në Ukrainë. Ai përfshin së pari, një armëpushim, zhvillimin e zgjedhjeve në Ukrainë dhe më pas nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare.
Këshilltari për Siguri Kombëtare, Mike Waltz u tha gazetarëve se nuk është caktuar një datë për një takim mes Presidentëve Trump dhe Putin.
Klan News