Inaugurimi i Donald Trump si president i 47 i SHBA-së
Donald Trump merr detyrën si president, çfarë ndodhi
Donald Trump u betua këtë të hënë si presidenti i 47 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo është hera e dytë që Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Por çfarë ndodhi gjatë ceremonisë së sotme?
Trump foli për shumë gjëra, por ne po ndalemi tek bota, dhe siç e përshkruan BBC, mesazhin “e fortë” që dha. Presidenti i ri foli për dëshirën e tij për të qenë “paqebërës e bashkues”. Si referencë mori armëpushimin e djeshëm në Gaza.
Por pavarësisht kësaj, për audiencën botërore, fjalimi i tij ishte një tjetër mesazh i fortë sfidues dhe me plot referenca për potencialin dhe forcën amerikane, gati kërcënime për ata që do ta pengojnë rrugës.
Trump e quajti dhuratën e Kanalit të Panamasë ndaj Panamasë si “budallallëk” dhe përsëriti zotimin se do të bëjë diçka për këtë. “Do ta marrim mbrapsht”, paralajmëroi. Ndryshime edhe për Gjirin e Meksikës që do të njihet që sot e tutje si Gjiri i Amerikës.
Madje premtoi se flamuri amerikan do të vendoset në Mars. Pak metra më tutje, Elon Musk e priti deklaratën me buzëqeshje. Po ashtu përsëriti kërcënimin se do i trajtojë kartelet e drogës si organizata terroriste të huaja. Nuk mbajti pa folur as çështjen e tarifave për ekonominë botërore.
“Do të tarifojmë dhe taksojmë vendet e huaja për të pasuruar qytetarët tanë”, paralajmëroi Trump.
Trump përcjell ish-presidentin Joe Biden
Në këto momente përfundoi ceremonia e betimit të presidentit Donald Trump.
Në dalje të Capitol-it ai shoqëroi presidentin e larguar, Joe Biden, së bashku me bashkëshorten e tij, Jill. Ish-çiftin presidencial tashmë e priste një helikopter i ushtrisë amerikane.
Po ashtu, u larguan edhe ish-zv/presidentja Kamala Harris bashkë me të shoqin.
Teksa Trump mbante fjalimin e tij në Capitol, në krah të tij ndodheshin disa personazhe kryesorë që nuk ndajnë të njëjtat ide me të.
Trump mori shumë duartrokitje dhe brohorima nga të pranishmit, por ndryshe mund të themi për ish-presidentin Joe Biden dhe ish-zv/presidenten Kamala Harris, të cilën e mundi në zgjedhje.
Ata ndajnë politika të ndryshme nga Trump dhe siç duket nga pamjet nuk kanë qenë shumë të gëzuar teksa fliste.
Fotot më domethënëse nga ceremonia
Trump mbaron fjalimi: E ardhmja, në duart tona
Donald Trump tha se amerikanët folën me zgjedhjen që i bënë si president. Ai e mbylli fjalimin e tij duke thënë se Amerika nuk do të pushtohet ose intimidohet.
“Nuk do të dështojmë. Nga sot, SHBA do të jetë një komb i lirë, sovran dhe i pavarur. E ardhmja është në duart tona, epoka jonë e artë sapo ka nisur”, përfundoi ai.
Trump: Nga sot ka vetëm dy gjini, meshkuj dhe femra
Donald Trump premtoi se do të “farkëtojë” një shoqëri që është e bazuar në meritokraci.
Ai shtoi se nga sot politika zyrtare e qeverisë amerikane do të jetë që ka vetëm dy gjini, meshkuj dhe femra.
“Që sot e tutje, do të jetë politika zyrtare e qeverisë së Shteteve të Bashkuara që ka vetëm dy gjini, meshkuj dhe femra”, tha ai.
Trump premton ta bëjë Amerikën “të pasur sërish”
Presidenti i ri i Amerikës hodhi fokusin edhe në kostot e energjisë në rritje dhe inflacionin në SHBA. Ai tha se do të drejtojë të gjithë anëtarët e kabinetit që të bëjnë ç’të munden për të “mundur” inflacionin dhe për të ulur çmimet. Ai tha se do të shpallë një emergjencë kombëtare mbi energjinë dhe përsëriti premtimin se administrata e tij do të rrisë shpimet për gaz dhe naftë në tokën Amerikane.
“Amerika do të rikthehet edhe një herë si një komb prodhues”, tha Trump.
Ai u shpreh ndër të tjera se SHBA do të jetë një komb i pasur sërish për shkak të “arit të zi nën këmbët tona”. Trump tregoi për planet e tij për industrinë e automobilave duke thënë se do të revokojë një mandat për makinat elektrike dhe do të ndërtojë makina sërish në Amerikë.
Siç e kemi përmendur edhe përgjatë raportimit tonë, Trump do të përcaktojë kartelet si organizata të huaja terroriste. Mesa duket ai do ta kryejë këtë me anë të një urdhri ekzekutiv sot. Ky vendim mori duartrokitje të shumta në sallë.
Gjatë ceremonisë së inaugurimit të tij, përpara se të betohej zyrtarisht si Presidenti i 47-të i SHBA-ve, Trump nuk la pas as “romancat”. Në sytë e gjithë liderëve botërorë, përpara se t’i jepte dorën Joe Biden, Trump iu afrua bashkëshortes së tij Melania Trump për t’i dhënë një puthje.
Kjo nuk u ka shpëtuar mediave të huaja, të cilat e kanë konsideruar si një moment të sikletshëm “tentativën” e Trump për të rrëmbyer një puthje nga Zonja e Parë.
Trump: Zoti më shpëtoi për ta bërë Amerikën më të madhe sërish
Donald Trump u ndal edhe tek atentatet ndaj tij. Ai u shpreh se përgjatë 8 viteve të fundit është provuar më shumë se çdo president.
Trump shtoi se janë përpjekur që ta ndalojnë kauzën e tij dhe u përpoqën t’i merrnin lirinë, madje edhe jetën.
Për këtë arsye u shpreh se Zoti e shpëtoi për një arsye, që ta bëjë Amerikën të madhe sërish, slogani i dy fushatave të tij.