Me rikthimin e saj në Shtëpinë e Bardhë, të gjithë sytë janë sërish tek Melania Trump, modelja e suksesshme sllovene që bëhet Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Prindërit e quajtën Melanija Knavs. Bota e njohu atë në rolin e Zonjës së Parë të Shteteve të Bashkuara, Melania Trump.

Ajo ka lindur më 26 Prill 1970 në Novo Mesto në Slloveni. Gjatë fëmijërisë së saj në qytetin e Sevnicës, babai i saj shiste makina, ndërsa nëna e saj punonte në industrinë e tekstilit.

Në një artikull kushtuar saj, Zëri i Amerikës shkruan se ajo ndërpreu studimet universitare dhe me emrin e ri Melania Knauss ndoqi karrierën e modeles në Evropë. Në vitet 1990, suksesi e solli atë në Shtetet e Bashkuara.

Melania Knauss u bë Melania Trump më 22 Janar 2005 dhe lindi djalin e saj të parë dhe të vetëm, Barron, një vit më vonë. Në të njëjtin vit, ajo u bë edhe shtetase amerikane.

Jeta e Melania Trumpit mori një kthesë tjetër kur burri i saj kandidoi për President të Shteteve të Bashkuara në vitin 2016 me Partinë Republikane dhe ajo iu bashkua atij në fushatën elektorale.

Është e mrekullueshme të jem këtu sot me ju dhe me bashkëshortin tim. Jam shumë krenare për të”, tha ajo në atë kohë.

Donald Trumpi bëri betimin si Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara në Janar të vitit 2017.

Si Zonja e Parë, Melania Trump bëri udhëtime në mbarë botën dhe ndërmorri projekte si fushata “Bëhu më i miri” që fokusohet në mirëqenien e fëmijëve, sigurinë në internet dhe abuzimin me opioidet.

Ajo mbajti një profil më të ulët se shumë zonja të para, por u përball megjithatë me një vëmendje intensive nga mediat.

Pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, Melania Trump praktikisht u largua nga sytë e publikut.

Ajo u rishfaq herë pas here për të mbështetur kandidaturën e bashkëshortit të saj për rizgjedhje dhe për të promovuar librin e saj me kujtime.

Klan News